Nga David Farley
Unë e ngrita gotën time të verës si një boksier i cili sapo ishte shpallur fitues pas 12 raundesh. Rreth meje, 10 njerëz të tjerë gjithashtu ngritën gotat ndërsa burri në krye të tryezës dha një dolli. Kjo nuk ishte dollia e parë e ditës. Nuk ishte as e dyta. Dollia e gjashtëmbëdhjetë? E njëzet? Nuk e di, e kisha humbur numërimin.
Mirësevini në një supra, një festë tradicionale gjeorgjiane. Në Republikën e Gjeorgjisë, këto vakte epike bëhen për raste të veçanta ose, në këtë rast, pa ndonjë arsye të madhe. Unë isha në rajonin malor Racha në pjesën veri-perëndimore të vendit dhe para meje ishte një pjatë e bollshme tipike gjeorgjiane: troftë e zhytur në salcën e arrave, një byrek me fasule me mish që quhej “lobio”, buke e pjekur me djathë, mish qingji, mish pule me një salcë hudhre të quajtur shkmeruli dhe, sipas traditës gjeorgjiane, tre lloje të ndryshme buke. Të gjitha këto në një vakt që zgjat goxha dhe mund ta gjesh në shtëpitë e çdo banori dhe unë e gjeta në shtëpinë e një miku.
Nuk kishte hapësirë të mjaftueshme për sasi të bollshme të ushqimit në tryezën e gjatë, drejtkëndëshe, kështu që gratë e shtëpisë filluan të grumbullonin enët e mbushura me ushqime njëra mbi tjetrën.
Nuk ishte vetëm vera që më bëri të ndihem i trullosur dhe i hutuar. Isha në “gjendje kome të rëndë ushqimore”. Ose, më konkretisht po përjetoja shemomechama, një fjalë gjeorgjiane e papërkthyeshme. Mako Kavtaradze, themelues i “Muzeu i Recetave” tha se, për gjeorgjianët, shemomechama do të thotë kur je i ngopur, por vazhdon të hash, e tepron me ushqimin.
Por më konkretisht, siç tha Meri Gubeladze, kuzhiniere e famshme, shemomechama do të thotë kur nuk keni pasur ndërmend të hani aq shumë, por e keni bërë pavetëdije. Zakonisht është kur diçka shijon aq shumë sa nuk mund t’i rezistoni. Ju ia veni fajin ushqimit e jo atij që e ha dhe kjo ndodh shumë shpesh.
“Unë e dua këtë fjalë,” tha Tekuna Gachechiladze, kuzhinier dhe pronar i restorantit të njohur “Tbilisi Culinarium Khasheria”.
Ai tha se nuk e mban mend herën e parë që e ka dëgjuar fjalën “shemomechama” por është diçka që i ndodh shpesh. Zakonisht ndodh kur ha vonë, kur pas një dite të gjatë pune në kuzhinë përfundoj duke ngrënë një supra dhe edhe pse mund të mos jem fare i uritur, unë ha dhe ha derisa në fund ndodh shemomechama.
Fjala shemomechama dhe kuptimi i saj është e lidhur në mënyrë të pashmangshme me supra pasi në fund të fundit, arritja e shemomechama në një supra është e pashmangshme.
Kjo mund të jetë një arsye e madhe pse kjo fjalë u zhvillua brenda dhe rreth një kulture kulinarie si ajo e Gjeorgjisë.
“Ekziston një ide për ushqimin gjeorgjian që e bën atë të papërmbajtshëm dhe në kontekstin e një feste, kur kaq shumë pjata të ndryshme janë në tryezë, është gjithmonë joshëse të hani vetëm pak më shumë nga sa keni nevojë, sepse vaktet gjithmonë duket se janë si një festë atje” tha Darra Goldstein, një ndër personat që merr pjesë shpesh në vakte të tilla.
Çelësi për të kuptuar shemomechama është se fjala sinjalizon një mungesë qëllimi, është sikur diçka të detyron të hash vetëm pak më shumë, edhe pse nuk e ke qëllim. Thjesht ndodh.
Carla Capalbo, autore e librit “Tasting Georgia” thotë se një nga ‘rregullat’ kryesore të supres është që pjatat e servirjes të rimbushen vazhdimisht dhe mysafiri të ketë një truzë të mbushur.
Ushqimi dhe pijet shpesh lidhen me identitetin e një kombi, veçanërisht si një mënyrë për të dalluar veten nga të tjerët. Në Gjeorgji, ekziston një lidhje e fuqishme midis ushqimit dhe ndërgjegjësimit kombëtar.
Por, si mund të kishte lindur një fjalë e tillë nga kjo kulturë ushqimore?
“Përfundimi i vetëm në të cilin mund të arrij është se gjeorgjianëve nuk u pëlqen të marrin përgjegjësinë për veprimet e tyre,” tha Gubeladze. Ne shpesh ia hedhim fajin 70 viteve të okupimit Sovjetik, ku shteti po merrte çdo vendim. Por gjithashtu, është më lehtë të fajësosh shemomechama sesa të pranosh se je një person që ha shumë!”
Patjetër që u ndjeva si një derr në kohën që supra kishte mbaruar. Unë dhe miqtë e mi shkuam një shtëpinë e një miku dhe kur arritëm atje, pronari i shtëpisë këmbënguli që të hanim. Në i thamë që nuk mund të hanim më, por ai e kishte vendosur se do të hanim. Mbi të gjitha, në Gjeorgji ata thonë se një “mysafir është një dhuratë nga Zoti”.
Dhe kështu, me këtë, ne u ulëm në një tryezë në oborr dhe filluam një festë të re përsëri dhe si duket, shemomechama do të qëndrojë dhe për ca orë të tjera me ne.(BBC, gazeta “Si”)
Shemo-me-chame(a) , ndoshta mund te kete afersi kuptimi me fjalet tona : 1-GRYKE-SI ; 2-LUPASH ; 3-TE HASH QYL , e cila verehej si tipar qe manifestohej nga i nje mase e zyrtareve komuniste ?!!!
Ore David Farley djali . Përkthehet qëçke me të , biles , në të gjitha gjuhët e botës .
E ka emrin “ Tafmo “.
Shko në Amerikë , dhe do gjesh që atje prehj tafmosë me hongër , mbi 20 % e popullsisë janë bo njisha për obezitet .
Ky ushqimi , qenka njëlloj si puna hasudes, që bëjmë ne, për darkë Iftari, gjatë muajit të Ramazonit .
Zakonisht , darka e iftarit , pas agjërimit nga mjesi deri në aksham , bëhet e bollshme , me shumllojshmëri gjellësh , dhe që mbyllet edhe me ëmbëlsirë . Për ëmbëlsirë ofroheshin , që nga syltiashi e deri tek kabunia . Një nga llojet e ëmbësirave, që përdoret ndonjë darkë është dhe hasudja , e cila , për të qenë i drejtë e i saktë , qahet fare kur e lajnë në tlynë .
Një familje myslimone, që e agjëronte e gjitha, për tu nderuar , kishin ftu për darkë iftari hoxhën e katundit . Me këtë rast , ftohej edhe ndonjë mik e farefis tjetër . Ky hoxha kishte qëllu hamës i madh .
Kur hyni hoxha , sofra ishte shtru plot e për plot , por në një qoshe të dhomës ishin rrjeshtu edhe gjellët e tjera , të cilat pritnin me u servir me radhë më vonë . Amo, hoxhës i zuni syu një tepsi plot me topa hasudje , dhe si qejfli i modh omëlsinash , ju fiksu, dhe aty e kishte mendjen .
Filluan me hongër , por për çudi , familjarët e miqtë vërejtën që hoxha nuk po hante shumë , m.gj.se ato e njifnin dhe e dinin që hante shumë .
Filluan me i servir , ” urno hoxhë efendi , ha zotnija jote , se kjo dhe ajo gjella janë të mira , mishi me pilaf osht qa fare , etj , elozhe , por hoxha meazallah se hante shumë . Mendja i rrinte tek hasudja . E kur u vu hasudja në sofër , bir none . Të shifje hoxhen , jo nga nji , por nga dy topa fuste në gojë prej njëheri . Ha e ha , por në një moment ngeli , e s’po hante mo . U shtri e u bo keq fare . Të zot e shtëpisë u alarmuan dhe s’po dijshin çfarë me bo . Po ju vdiste hoxha në shtëpi . vrap çuan me thirr doktorin dhe pas disa kohe ai ja mbrrini .
I treguan se si ishte puna , dhe doktori , duke e dijtë dhe ai huqin dhe tafmonë e hoxhës në të hëngër , u afru dhe boni gati 1 lugë gjelle plot me një ilaç lëng për hoxhën . U mundu me e pru në vehte për me i dhonë longun .
Dikur, në një moment, hoxha hapi sytë dhe doktori i tha : hape gojën që të pijsh këtë lëngun .
Hoxha e vërejti shtremët dhe ju kthy . Hik mër budalla s’e nuk kam vend as për një pikë e jo mo për një lugë . Të kishte pasë vend ene për atë që thu ti , do i kisha fut hasude , por hik , se s’ka vend mo fare , dhe u kthy në krah e ja futi gjumit .
Pra, jo vetëm në Gjeorgji , por gjithandej , ka ca lloje gjellësh , të cilave nuk mundesh me i rezistu , sidomos tafmaqarët, dhe han e han deri sa plas.