Kryeministri Edi Rama ka uruar Ditën e Pavarësisë përmes dy postimeve në rrjetet sociale.
Në postimin e parë kreu i qeverisë ka shpërndarë një foto të Ismail Qemalit me një citim të “babait të pavarësisë”: “Flamuri ynë, n’atdhenë t’onë të lirë. Rroftë Flamuri! Rroftë Shqipërija!”
Ndërkaq në foton e dytë të publikuar nga Edi Rama shfaqet Monumenti i Pavarasisë ku flamuri është i ngritur në gjysmë shtizë.
Më herët një urim lidhur me Ditën e Pavarësisë erdhi edhe nga presidenti Ilir Meta i cili u shpreh se 108 vite janë mjaftueshëm për të dëshmuar pjekurinë dhe seriozitetin e një shteti modern.
“Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë!
Të punojmë dhe angazhohemi çdo ditë për ta mbrojtur simbolin tonë të shenjtë dhe përbashkues, të valvitet krenar në këto troje, i pastër dhe i paprekur, njësoj si gjaku i derdhur për të, nga bijat e bijtë më të mirë të kombit.
108 vite janë mjaftueshëm për të dëshmuar pjekurinë dhe seriozitetin e një shteti modern, për përmbushjen pa vonesë të aspiratës popullore dhe misionit të nisur në 28 nëntor 1912, nga Ismail Bej Vlora dhe gjithë etërit e Pavarësisë, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa.
Urime për 28 Nëntorin e Gjergj Kastrioti Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit! ??
Zoti e bekoftë Flamurin Kombëtar dhe shqiptarët kudo ndodhen! “- shkruan Meta. (TemA)