Nga Hamdi Jupe
Ka ndodhur më dhjetë nëntor të vitit 1938 në Gjermaninë naziste. Turma huliganësh, të nxitur nga partia në pushtet, sulmuan sinagogat, dyqanet, shtëpitë dhe pronat e hebrenje duke grabitur, thyer e djegur gjithçka. Të gjitha këto, në emër të “rracës ariane” që predikonte Hitleri. Të tjerat pastaj dihen. Ky është një shembull që nuk harrohet.
Fantazma e natës së “xhamave të kristaltë” na u shfaq netët e fundit në Tiranë. Në formën, (në dukje), të protestave për vrasjen e një të riu, me pjesëmarrjen e një grushti alabakësh, të dirigjuar në prapaskenë nga oposita shqiptare, që ngrohte duart në zjarrin që diqte institucionet e shtetit. U sulmua Muzeu Historik Kombëtar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Biblioteka Kombëtare, Ministria e Financave, dekori i festave të fund-vitit, reklama të bisnesit privat, semaforët e rrugëve, që nuk kanë lidhje fare me politikën. Këto nuk janë prekur as në nëntëdhjetenjëshin, as në nëntëdhjeteshtatën, as në nëntëdhjetetetën. Ato janë institucione të shtetit dhe çdo parti që vjen në pushtet, i përdor në shërbim të popullit. Barbari haxhiqamiliane në shekullin e njëzetenjëtë.
U sulmuan tani, bash në ditën e tridhjetë-vjetorit të lindjes së opozitës shqiptare. Trofe të bukur ka gjetur opozita për të festuar jubileun e saj! Në Shqipëri nuk ka hebrej, “nata e kristaltë” është organizuar ndaj institucioneve publike. Vetëm se mjetet janë të njëjta, të vjetruara gati një shekull dhe, si të tilla, të njohura mirë edhe nga shqiptarët. Këto ditë ata patën rastin të shikojnë edhe një herë me sytë e tyre se kush është opozita politike në këtë vend, të shijojne “provën gjenerale” të asaj se çfarë ofron ajo për popullin shqiptar, pesë muaj para zgjedhjeve të reja parlamentare.
Rasti mori shkas nga vrasja e një të riu nga arma e policisë. Ngjarje të tilla të rënda tërheqin vëmendjen e shoqërisë, prandaj protesta në Tiranë filloi si kundërpërgjigje qytetare ndaj vrasjes. Fillimisht në të pati disa qindra qytetarë, që kishin dalë atje për të shprehur revoltën e tyre. Pastaj ngjarjet morën drejtim tjetër dhe prandaj numri i pjesëmarrësve erdhi duke u rrudhur vazhdimisht, në varësi edhe të shkallës së alabakërisë së demonstruar në protestë. Aq sa në ditën e katërt, policia arrinte t’i kapte një e nga një për zvarku si minjtë, të fshehur nëpër gjirizet e pallateve.
Opozita nuk doli hapur në këto protesta. Ajo i drejtonte ato nga “prapa kuintave”. Dhe kishte rast të dilte në shesh, sepse prandaj është opozitë. (Kuptohet, sipas rregullave të situatës së pandemisë) Të dilte me nga një qiri të ndezur në dorë, pa parrulla, pa thirrje, pa zhurmë, për të përkujtuar me dinjitet atë që iku nga kjo botë, sepse kështu e kërkonte rasti. Vetëm kaq do të kishte mjaftuar dhe opinioni publik do ta kishte mirëpritur qëndrimin e saj. Por këtë nuk e bëri, bëri atë që ajo di të bëjë më mirë: të hedhë gurin e të fshehë dorën, duke nxitur adoleshentët të sulmojnë institucionet.
Në këtë përvjetor të tridhjetë të krijimit, Partia Demokratike e sheh veten në një krizë të rëndë, të shkaktuar nga vetë lidershipi i saj. Sondazhet e fundit e lenë edhe katër vjetë të tjera në opozitë. Por kjo është gjysma e së keqes. Partitë reja që kanë dalë e po dalin përditë si këpurdhat pas shiut nga gjiri i saj, kërkojnë të shkyejnë së pari “mëmën” e tyre tridhjetë-vjeçare. Për këtë nuk është fajtor as vendi e as popullii shqiptar, është vetë lidershipi i saj. Në këto rrethana të krizës totale, dukej sikur asaj i ra nga qielli një shans për t’u shfaqur në shesh, edhe pse me “maskën” e anonimatit në fytyrë.
Familja e të riut të ndjerë që humbi jetën nga arma e policit, u tregua shumë më dinjitoze sesa opozita. Ajo kërkoi drejtësi, por nuk u përfshi asnjëherë në zellet shkatërrimtare. Si nuk mësoi dot opozita nga ky shembull qytetarie? Me qëndrimet e saj të fundit, ajo i kujtoi edhe njëherë elektoratit: “Ja, unë jam ajo që kërkon të vijë në pushtet. Unë do t’ju qeveris.” Dhe elektorati mban shënime. Dhe sondazhi e lë opozitën prapë te 30-përqindshi i mbështetjes popullore, pa llogaritur firot e këtyre ditëve të fundit.
Shumë njerës janë me opozitën, sepse shoqëria jonë tani është pluraliste. Ka edhe të pakënaqur nga qeverisja aktuale. Por ata nuk i miratojnë veprimet e fundit në rrugë e sheshe. Ata shikojnë hallet e tyre në këtë kohë plot halle. Zgjedhjet e reja parlamentare po vijnë dhe ata do të flasin atë ditë, nuk ka përse të dalin nëpër rrugë në këto ditë dimri.
Pati përpjekje mjerane nga opozita për t’u fsheur pas protestës, demek, “ne nuk kemi dorë në këto shkatërrime”. Por edhe në këtë rast, nuk i shpëtoi dot diskreditimit. S’të lë Voltana e Shkodrës të mbash sekrete. “PD nuk ka organizuar ndonjë protestë në Shkodër” tha ajo, kur u padit për ndjekje penale nga policia, megjithëse një ditë më parë u bënte thirrje shkodranëve të dilnin në protestë “pa simbolet e PD-së”. S’të lë as Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, që flet i ngazëllyer për ndjegiet dhe shkatërrimet në kryeqytet, por që nesër do t’i bëjë “hasha” ato që ka thënë.
Po shkohet drejt zgjedhjeve të reja parlamentare dhe fatura e këtyre veprimeve rrugaçërroe do të paguhet nga opozita. Edhe ata që janë të pakënaqur nga qeveria, do të thonë: “Po kujt t’ia japim votën, alabakërisë që djeg institucionet? Kurrë!” Dhe kështu do të rrudhet e do të mpaket edhe më tej opozita. Gjatë këtyre tetë viteve ajo ka dështuar në mënyrë spektakulare së bëri politikë me turmat e rrugës. E filloi me protesta te Parku i Liqenit dhe e mbaroi te Unaza e Re, duke fituar … tekun. Ja tani edhe kjo e fundit me thyerjen e institucioneve.
Opozita i braktisi në fatin më të keq këta të rinj që u bënë “mish për top” të saj, duke mbushur birrucat e komisariateve të policisë. I la ata në duar të prokurorisë dhe gjykatave, ashtu siç ka bërë edhe më parë me militantët e saj, që zvarriten gjyqeve prej muajsh, për shkak të shkeljes së ligjeve këtu apo atje, nëpër protestat e paligjshme. Opozita pra, po vret veten, sepse ata militantë ndihen të tradhtuar dhe zor se bëhen më luftëtarë të saj.
Policia, nga ana e saj, i ka në arsenalin e vet të ligjshëm të mjeteve të punës edhe shkopin e gomës, edhe gazin lotsjellës, edhe topat e ulit, edhe pistoletën, edhe kallashnikovin etj. Policia është organ dhune kundër kriminelëve dhe keqbërëse në shërbim të qytetarëve, nuk është teatër baleti. Prandaj nuk duhet të habitet njeri, kur ato mjete përdoren prej saj. Vetëm kur shpërdorohen, atëherë janë të dënueshme
“Ideologë” dhe “analistë të pavarur” të opozitës, si dhe gazetarë të papërgjegjshëm, të egzaltuar nga shkatërrimet, u bënë jehonë këtyre ngjarjeve, në pritje për të marrë shpërblimin nga partia, me ndonjë vend në parlamentin e ri etj. Media të ndryshme, në emër të “lirisë së pakufizuar të shtypit”, u kthyen në megafonë të këtyre barbarive. Ndërkohë, Plaku Mere, me gjithë barrën e vdekjeve që ka mbi shpinë, vazhdon të deklarojë nëpër ekrane se është i gatshëm të vrasë përsëri në bulevard, siç bëri më 21 janar. Në ndeshjet e futbollit ndalohen transmetimet e pamjeve të rënda në televizor, ndërsa në mediat tona transmetohet gjithçka, “në emër të së vërtetës”. Atyre do t’u vijë turp një ditë, kur të shikojnë se në çfarë gjirizi joprofesional kanë rënë.
Zoti e ndihmoftë opozitën tonë, se me ngjarjet e fundit, do t’i duhen vite të rregullojë imazhin e saj të shkarravitur në sytë e shqiptarëve.