ANALIZA: Politika e jashtme e Bashkimit Europian sipas Joseph Borrell

18 Dhjetor 2020, 14:42Bota TEMA

Shefi i diplomacisë europiane shpjegon si të ndërtohet një politikë e jashtme më efikase, edhe më koston e rishikimit të disa rregullave. Shpërndarja e vaksinës është sfida më e madhe

Impakti i krizës së Covid-19 ndaj Bashkimit Europian dhe politikës së jashtme të tij është ngushtësisht i lidhur me vendimet që do të marrim muajt e ardhshëm. Po përjetojmë një krizë të rëndë të multilateralizmit. Praktikisht, G7 dhe G20 mungojnë; Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara është i paralizuar dhe shumë forume të tjera, si Organizata Botërore e Tregtisë apo Organizata Botërore e Shëndetësisë janë transformuar në arena ku vendet luftojnë me njërit tjetrin. Për herë të parë nga fillimi i shekullit të XX, po përjetojmë një krizë ku Shtetet e Bashkuara nuk kanë luajtur deri më tani një rol të dorës së parë, ndërsa Kina po imponohet gjithnjë e më shumë në skenën botërore dhe regjimet autoritare po forcohen kudo. Kriza aktuale ka ushqyer divergjenca në rritje midis vendeve. Jo të gjithë kanë të njëjtin kapacitet në përballimin e sfidave të paraqitura nga pandemia, që po na bën të tërhiqemi ndaj varfërisë dhe pabarazisë. Situata është e vështirë edhe për Europën. Zgjedhja e Joe Biden në Shtetet e Bashkuara çel perspektiva më inkurajuese për multilateralizmin dhe për vlerat tona demokratike në shkallë botërore, por nuk duhet të presim mrekullira.

Europa është shumë e përçarë?

Për ta bërë më efikase politikën tonë të jashtme, qysh nga fillimi i mandatit tim kam këmbëngulur mbi faktin që Bashkimi Europian duhet të “mësojë të flasë gjuhën e fuqive”. Shpesh ma paraqitet se është shumë e përçarë sa për ta arritur këtë objektiv. (…)

Përçarjet janë arritur pas zgjerimit në lindje, megjithatë nuk është kjo arësyeja e vetme. Për shembull, “çarja” lidhur me migrimet nuk ndjek ekskluzivisht një aks perëndim – lindje dhe “çarja” veri – jug midis debitorëve dhe kreditorëve ka të bëjë parasëgjithash me vendet që qenë tashmë anëtarë të Bashkimit Europian përpara zgjerimit. Për shkak të diversitetit tonë, ne europianët shpesh nuk kemi të njëjtin vizion për botën. Lejomëni të jap një shembull personal për ta sqaruar. Miqtë e mi polakë thonë shpesh se ia detyrojnë lirinë e tyre Papës Gjon Pali i II dhe Shteteve të Bashkuara të Ronald Reagan, që kanë fituar Luftën e Ftohtë. Dhe kanë të drejtë. Ama unë, si shumë spanjollë, besoj edhe se kanë qenë pikërisht prej Shteteve të Bashkuara dhe Papës që kemi pësuar 40 vite diktaturën e Frankos, i cili ka mundur të qëndrojë në pushtet kaq gjatë pasi qysh nga fillimi ka pasur mbështetjen e Kishës Katolike dhe më pas atë të Shteteve të Bashkuara në kontekstin e Luftës së Ftohtë. Këto diferenca mund të na pasurojnë në rast se arrijmë të përqëndrohemi mbi atë që na bashkon, por paraqesin edhe sfida serioze në politikën e jashtme. I kemi parë edhe kohët e fundit me sanksionet në vijim të mashtrimeve elektorale në zgjedhjet presidenciale në Bjellorusi. Na janë dashur thuajse 2 muaj për të marrë një vendim dhe besueshmëria jonë është dëmtuar (…).

Si të vendoset në politikën e jashtme?

Përgjigja kryesore qëndron në krijimin e një kulture strategjike të përbashkët: sa më shumë europianët të jenë dakord lidhur me mënyrën sesi e shohin botën dhe problemet e saj, aq më lehtë do të dakordësohen mbi atë se çfarë duhet të bëjnë lidhur me këtë. Ky është objektivi unë në ndërtimin bashkë me shtetet tona anëtare të një “Strategic Compass”, një busulle strategjike për Bashkimin Europian. Për nga vetë natyra e tij, bëhet fjalë për një detyrë afatgjatë. Ndërkohë, duhet të jemi në gjendje të marrim vendime lidhur me çështje të vështira në kohë reale. Politika e jashtme dhe ajo e sigurisë mbesin kompetencë ekskluzive e shteteve dhe vendimet në këtë aspekt duhet të merren në unanimitet dhe çdo vend ka të drejtë vetoje. Ama shumë prej këtyre vendimeve janë binare: një njohin apo jo një qeveri, të nisin apo jo një operacion menaxhimi të krizave. Dhe kjo shpesh çon në një bllok. E gjitha kjo është në kontrast të pastër me gjithçka ndodh në sektorë të tjerë, nga tregu i përbashkët tek klima, duke kaluar nëpër migrimet, ku Bashkimi Europian mund të marrë vendime me një mazhorancë të kualifikuar (55% e shteteve anëtare dhe 65% e popullsisë). Pavarësisht faktit se lidhur me këto tema ndeshen interesa kombëtare të rëndësishme, aq sa ndodh në politikën e jashtme. Bashkimi Europian e përdor shumë pak mazhorancën e kualifikuar edhe në ata sektorë ku mund ta përdorte.

Pse? Sepse preferojmë të kërkojmë kompromise ku të gjithë mund të bien dakord. Ama për ta arritur këtë rezultat, të gjitha shtetet duhet të pranojnë të investohen në unitet. Kërcënimi me përdorimin e mazhorancës së kualifikuar mund t’i inkurajoja ta bëjnë. Qysh nga fillimi i mandatit tim, kam theksuar se për të shmangur paralizën në politikën e jashtme duhet të përdorim disa vendime pa unanimitetin e 27 shteteve. Në muajin shkurt, kur është bllokuar fillimi i Operacionit “Irini” për monitorimin e embargos se armëve në Libi, e kam ngritur çështjen. Natyrisht, nuk bëhet fjalë për t’ia nënshtruar të gjithë vendimet e politikës së jashtme votës me mazhorancë të kualifikuar, ama ajo mund të përdoret në ato zona ku shpesh kemi ngecur në të kaluarën – nganjëherë për arësye krejtësisht të huaja – si për shembull në fushën e të drejtave të njeriut apo të sanksioneve.

Në diskutimin e saj të fundit lidhur me Gjendjen e Unionit, Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen e ka bërë të sajën këtë propozim, por Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel ka shprehur mosdakordësinë e tij. Sigurisht që ekzistojnë mundësi të tjera. siç më ka ndodhur tashmë, nganjëherë është e preferueshme të bëhet publik një pozicion i mbështetur nga 25 shtete anëtare në vend se të pritet përpara se të duhet të jepet një deklaratë me 27 e katandisur në emëruesin e vogël të përbashkët. Siç parashikohet nga Traktati, mund të përdoret edhe “abstenimi konstruktiv”: një shtet nuk e mbështet një pozicion, por pa e penguar Bashkimin Europian që të ecë përpara. Është kështu, për shembull, që në 2008 u lançua misioni EULEX në Kosovë. Uroj që muajt e ardhshëm do të jemi në gjendje të diskutojmë për mënyrën sesi ta bëjmë më të zhdërvjelltë procesin vendimmarrës në politikën e jashtme dhe sidomos në kontekstin e Konferencës lidhur me të ardhmen e Europës. (…)

Një fillim i ri me Shtetet e Bashkuara

Rezultatet e zgjedhjeve presidenciale amerikane janë një tjetër motiv optimizmi të matur. Pas 4 vitesh të vështira, është koha të rifillohet nga fillimi. Kjo nuk do të thotë se do të jemi gjithmonë dakord. Nuk qemë përpara Donald Trump dhe nuk do të jemi as me Joe Biden president. Ama kemi një partneritet jetëgjatë me Shtetet e Bashkuara të bazuar mbi vlera të përbashkëta dhe mbi dekada përvoje pune të përbashkët. Në 4 vitet e ardhshme do të kemi të bëjmë me një president amerikan që beson tek bashkëpunimi me aleastët demokratikë. Europa ka ndërmend ta kapë rastin sa më mirë: nuk i afrohemi presidencës Biden vetëm me kërkesa, por edhe me propozime. Si Përfaqësues i Lartë i kam paraqitur në dhjetorin e 2020 Komisionit Europian një “Axhendë të re transatlantike për një ndryshim global” që mbulon shumë zonë. Këtu dua të përqëndrohem mbi 3 akse që kanë të bëjnë me politikën e jashtme dhe sigurinë.

Shtetet e Bashkuara mbesin të domosdoshme për sigurinë europiane. Njëkohësisht, në europianët duhet të merremi më shumë personalisht me sigurinë tonë. Për këtë duam ta forcojmë mbrojtjen tonë duke mbajtur një “barrë” me të madhe dhe duke e rritur kapacitetin e impenjimit operativ të Europës, veçanërisht në fqinjësinë tonë. Do të ishte një humbje kohe të diskutohej në terma abstraktë nëse duam të adoptojmë një qasje që privilegjon “autonominë europiane” ose “partenaritetin transatlantik”.

Janë dy anë të së njëjtës medalje: një Europë strategjikisht e vetëdijshme dhe më autonome është një aleat më i mirë për Shtetet e Bashkuara. Për sa i përket sigurisë europiane, duhet të punojmë bashkë sidomos për ta integruar të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike, mbështetur sovranitetin dhe reformat në Ukrainë, zhvilluar një qasje të fortë e koherente kundrejt Rusisë dhe shmangur që Turqia të vazhdojë të “ecë sipas qejfit”. Si koordinator, kam punuar për ta mbajtur në jetë marrëveshjen lidhur me bërthamoren iraniane. Tani duhet të punojmë që t’i bëjmë Shtetet e Bashkuara të riaderojnë tek marrëveshja dhe që Irani të rikthehen në konformimin e plotë. Me të arritur këtë objektiv, duhet të jemi të gatshëm që të gjejmë mënyrën e përballimit të problemeve të mëtejshme të sigurisë rajonale. Jam i bindur se zgjidhja e vetme afatgjatë për paqëndrueshmërinë kronike është rajonale. Së fundmi, por jo për këtë më pak e rëndësishme, ngjitja e Kinës dhe konkurrenca pasuese me Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta plazmojnë panoramën globale (…).

Një strategji për Kinën

Riekuilibrimi i marrëdhënieve tona me Kinën është themelore për të ardhmen tonë. Megjithatë, kjo do të jetë e mundur vetëm nëqoftëse shtetet e Bashkimit Europian do të paraqesin një front unik dhe nëse do të përdorim plotësisht instrumentat komunitarë, në mënyrë të veçantë fuqinë e tregut tonë të përbashkët. (…)

Por ekonomikisht jemi shumë të ndërvarur sa për t’u shkëputur nga Kina, siç predikonte administrata Trump. Disa analistë flasin për një Luftë të Ftohtë të re, por kjo analizë është e pabazë pasi Shtetet e Bashkuara, Europa dhe Bashkimi Sovjetik nuk kanë qenë kurrë kaq të lidhura ekonomikisht siç jemi ne sot me Kinën. Sigurisht, duhet të zhvillojmë një “autonomi strategjike” tonën ndaj këtij vendi në fushën ekonomike, sidomos në atë dixhitale, por, nëse me siguri koronavirusi do ta ndryshojë globalizimin, nuk do ta ndalojë atë. Një riekuilibrim i marrëdhënieve Bashkim Europian – Kinë është thelbësore për të përballuar dhe, në analizë të fundit, zgjidhur çështjet kryesore globale. Shembulli më i qartë është lufta kundër ndryshimeve klimaterike (…).

Bashkimi Europian dëshiron që t’i bashkangjisë bashkëpunimit me Kinën, për shembull lidhur me çështjet e klimës, një pozicion më të prerë në zonat ku kjo është e nevojshme. Kjo qasje do të duhet të shoqërohet edhe me një prani më aktive të Bashkimit Europian në rajonin e Indo – Paqësorit, bashkë me partnerët tanë demokratikë në Azi. Lidhur me këtë, sapo kemi përfunduar një “partneritet strategjik” me ASEAN. Do të diskutojmë me administratën Biden, siç kishin filluar tashmë të bënim me Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo në kuadër të dialogut Bashkim Europian – Shtetet e Bashkuara në vjeshtën e 2020.

Europa përballë perandorive të reja

Ngjitja e regjimeve autoritare është një prej kërcënimeve kryesore ndaj së ardhmes së Europës dhe vlerave tona demokratike. Përtej specificitetit të tyre, vende si Rusia, Kina dhe Turqia kanë të përbashkëta karakteristika të ndryshme. Janë sovranistë ndaj botës së jashtme dhe autoritarë brenda kufijve të tyre. Duan që zonat e tyre të influencës t’u njihen dhe janë të vendosur që t’i mbrojnë ato. Së fundi, duan të ndryshojnë rregullat e lojës globale. Për demokratët, sovraniteti bazohet parasëgjithash mbi shprehjen e vullnetit të popullit, ndërsa sovranizmi përqëndrohet ekskluzivisht mbi sovranitetin e shteteve, që është një çështje tjetër. Shtetet sovraniste janë gjithnjë e më shumë kundër edhe respektimit të të drejtave themelore të njeriut. Ato kërkojnë që të bllokohet mbështetja ndërkombëtare ndaj shoqërive civile që përkojnë më shumë liri, si në Bjellorusi apo në Hong Kong e në Ksiniang. (…)

Nuk do ta ndryshojmë gjeografinë dhe Turqia do të vazhdojë të jetë një partner i rëndësishëm për Europën në shumë çështje. Për këtë motiv, megjithëse duke mbrojtur me vendosmëri të drejtën ndsërkombëtare dhe atë të shteteve tona anëtare, po të jetë e nevojshme edhe duke ju drejtuar sanksioneve, duam të dalim sa më shpejt nga një përplasje e rrezikshme me fqinjin tonë të madh. Por kjo perspektivë ka kuptim vetëm nëse Turqia e pranon. Në konflikte si Nagorno – Karabakh, Libia apo Siria, po asistojmë një formë “astanizimi” (me referim ndaj Procesit të Astanës lidhur me Sirinë) që çon në përjashtimin e Europës nga zgjidhja e konflikteve rajonale në favor të Rusisë e të Turqisë. Natyra ka tmerr nga boshllëku: rrezikojmë që të shikojmë të ngritura baza ushtarake ruse dhe turke në Libi, pak kilometra nga brigjet tona. Për të dalë nga kjo situatë dhe zgjidhur paqësisht konfliktet me këto perandori të reja, të ndërtuara mbi vlera që ne nuk i ndajmë, duhet të vazhdojmë të mbushim boshllëqet e kapaciteteve tona të mbrojtjes së përbashkët. Ky është çmimi që duhet të paguajmë për të bërë të lindë Europa gjeopolitike që Presidentja von der Leyen dhe Komisioni Europian e kanë vendosur si objektiv. (…)

Vaksina si e mirë publike

Çështja tjetër që na duhet të përballemi nëse duam të shmangim një rënie dhe një rëndim të pabvarazive globale është ajo e imunizimit ndaj Covid-19. Një gjë është të zhvillosh vaksinën, një tjetër është ta prodhosh e ta shpërndash. Është një sfidë për Bashkimin Europian, por akoma më shumë kur bëhet fjalë për të arritura fshatrat e thella të Nigerit, perusë apo Kiribatit. Për këtë motiv duhet të alokojmë menjëherë resurset e nevojshme për shpërndarjen e vaksinave në mënyrë të shpejtë e të sigurtë sapo do të jenë të disponueshme. Duhet të shmangim një “nacionalizëm të vaksinës” për të cilin vetëm vendet e forta e të pasura do të jenë në gjendje t’i vaksinojnë popullsitë e tyre. Duhet të shmangim edhe një “diplomaci të vaksinave” që të pretendojë lidhjen e aksesit tek vaksina me nënshtrimin politik të një vendi të caktuar. Faktikisht, qysh nga fillimi i kësaj pandemie, Bashkimi Europian ka zgjedhur multilateralizmin dhe bashkëpunimin në vend të nacionalizmit dhe konkurrencës. Duam që vaksinat kundër kovidit të konsiderohen si mallra publikë globalë dhe të shpërndahen pa diskriminime, sipas nevojave. Për këtë motiv Bashkimi Europian dhe shtetet anëtare të tij kanë mobilizuar sëbashku 870 milion euro për të mbështetur iniciativën ndërkombëtare Covax, e cila synon që t’i vërë vaksinat në dispozicion të të gjitha vendeve. Të nesërmen e kësaj pandemie, do të duhet të reformojmë Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe ta pajisim me instrumentat dhe mjetet për të përballuar siç duhet sfidat shëndetësore e shekullit XXI.

(Pjesë nga artikulli që Joseph Borrell, Përfaqësuesi i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, ka shkruar për revistën online franceze “Le Grand Continent”) (Përgatiti për gazetën TemA, Armin Tirana)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje