SHBA-ja dhe Kosova nënshkruajnë marrëveshje për nxitje të investimeve

31 Dhjetor 2020, 13:16Rajoni TEMA

Shtetet e Bashkuara dhe Kosova kanë nënshkruar një marrëveshje për nxitje të investimeve dhe e cila, siç është thënë, i hapë mundësitë financiare të Kosovës.

Sipas një njoftimi të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett nënshkruan një Marrëveshje të re për nxitjen e investimeve që ia mundëson Korporatës së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC), bankës për zhvillim të Amerikës, për të sjellur gamën e saj të plotë financiare në Kosovë.

“DFC ka kënaqësinë që Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nënshkruan Marrëveshjen për nxitjen e investimeve, që forcon përkushtimin e SHBA-së për shtrirjen e veglave financiare në dispozicion për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, veçanërisht sektorit të saj privatˮ, ka thënë John Jovanoviq, zëvendës-nënkryetar i DFC-së dhe drejtor menaxhues për Ballkanin Perëndimor dhe Egjeun.

“Ne shohim potencial të madh për DFC-në për të ndihmuar në mobilizimin e investimeve që krijojnë vende pune dhe mbështesin zhvillimin për popullin e Kosovësˮ, shtoi Jovanoviq.

Nënshkrimi i sotëm pason vizitën që Adam Boehler, kryeshefi ekzekutiv i DFC-së, ia bëri Kosovës në shtator. Gjatë asaj vizite, Boehler kishte nënshkruar deklaratë të përbashkët me kryeministrin Hoti për zgjerimin e fokusit të investimeve të DFC-së në Kosovë për forcimin e infrastrukturës transportuese, energjisë, teknologjisë dhe industrive të tjera.

Vizita e tij, si pjesë e një delegacioni më të gjerë amerikan në Kosovë dhe Serbi u bë pasi më 4 shtator, Kosova dhe Serbia nënshkruan në Uashington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Dokumentet parashihnin investime të DFC-së dhe organizatave tjera financiare amerikane në këto dy vende.

Çfarë është DFC-ja

Korporata e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar e lansuar më 2020-n, bashkëpunon me sektorin privat për financimin e zgjidhjeve të sfidave më të rënda me të cilat përballet bota në zhvillim sot. Ajo investon në sektorë të ndryshëm përfshirë në sektorin e energjisë, kujdesit shëndetësor, infrastrukturës thelbësore dhe teknologjisë. DFC-ja gjithashtu ofron financim për biznese të vogla dhe gratë sipërmarrëse për të krijuar vende pune në tregjet në zhvillim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje