Olta Xhaçka i dorëzon detyrën e ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshit!
Gjatë fjalës së saj Xhaçka tha se ndihet e trishtuar që po largohet nga kjo detyrë por njëkohësisht edhe mirë për aq sa kanë bërë, duke renditur këtu ndryshimet.
Teksa tha se shikon një të ardhur të ndritur për FA, shtoi se është e lumtur t’ia kalojë detyrën një kolegu si Peleshi të cilin e vlerësoi si një drejtues efikas.
Xhaçka u shpreh e sigurt që ky i fundit do të përmbyllë me efikasitet punët e lëna përgjysmë. Një projekt i tillë ishte edhe projekti për krijimin e një baze detare të NATO-s.
“Kur je në një detyrë si kjo ske shumë kohë, koha fluturon, është e shkurtër. Gjithë çfarë duhet të bësh është të shfrytëzosh çdo ditë çdo orë projektet që kur të vijë dita të dorëzosh stafetën të ndjesh kënaqësinë që i le punët më mirë se çi gjete. Kam pasur mundësinë të kem shumë miq të mirë. Sot dua të falënderoj çdo punonjës të kësaj ministrie. Gjithçka që kemi bërë bashkë do kishte qenë e pamundur po të mos kishim punuar fort bashkë.
Ndihem jo pak e trishtuar që po ndahem nga kjo detyrë dhe ju por ndihem mirë që ia kemi dalë të bëjmë kaq shumë. FA kanë nisur hapat e para drejt ringritjes. FA e meritojnë një monument të tillë kujtese institucion me histori të jashtëzakonshme dhe të ardhur të ndritur.
Kemi kaluar momente të vështira, tërmet, pandemi, zjarre, përmbytje por kurrë nuk i latë vetëm qytetarët shqiptarë, burrat dhe gratë me uniformë ishin aty në çdo moment. Sot FA gëzojnë respektin dhe vlerësimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë, djemtë dhe vajzat tona në misione meritojnë sot mirënjohjen më të thellë. Jam e lumtur se jo thjesht rritëm pagat, padrejtësi e vitit 2013 por se të gjithë burrat dhe gratë e meritojnë dinjitetin.
Së shpejti do të përfundojë baza ajrore e Kuçovës që do të transformojë rëndësinë strategjike të Shqipërisë. Ende i paplotësuar, por i mirëpritur ishte edhe projekti për bazën detare të NATO-s në Shqipëri shpresëplotë që edhe ky projekt do të bëhet realitet. Sot jam e lumtur që ia kaloj stafetën një kolegu një miku të mirë dhe jam i sigurt që do jetë efikas dhe punëmbaruar ashtu siç ka qenë në drejtimin e çdo institucioni. Suksese i dashur Niko”, tha Xhaçka.
Ndërsa ministri i ri i Mbrojtjes Niko Peleshi, në fjalën e tij përpara ushtarakëve të lartë, deklaroi se do të kryer detyrën e tij me atdhedashuri, kurse shtoi se ai dhe ekipi i tij do të punojnë për të ardhmen e Shqipërisë sa më pranë BE-së dhe NATO-s.
“E nderuar ministre , e dashur Olta. Të nderuar gjeneralë dhe deputetë, ateshe, të ftuar e pjesëmarrës. Detyra e ministrit të Mbrojtjes është që t’i kontribuosh paqes, të promovosh lirinë, të përmbushësh detyrimet që kemi si vend aleat i NATO-s. Do ta kryej këtë detyrë me atdhedashuri. Përshëndes djemtë dhe gratë e Forcave të Armatosura. Ju keni treguar se keni aftësi, të denjë për një anëtar të NATO-s. Sot përulem para ushtarakëve që ranë në misionet tona paqeeruajtëse, ne jemi përkrah aleatëve, sidomos SHBA-ve”, tha Peleshi.
Peleshi vlerësoi punën e kryer nga zonja Xhaçka në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, duke shtuar se do të bëjë gjithçka të afrojë Shqipërinë sa më pranë NATO-s dhe aleatëve të saj strategjikë.
“Shqipëria do të vazhdojë të jetë eksportues i sigurisë në botë. Ministrja dhe bashkëpunëtorët e saj hapën Akademinë e Forcave të Armatosura, institucion unik i Arsimit të Lartë. Jam në dijeni se ka nisur realiteti me NATO-n për Pashalimanin. Kjo çështje do ndiqet me kujdes. Ne do punojmë për të ardhmen europiane të Shqipërisë”, u shpreh Peleshi.
Olta i ka fjalet me te zgjedhura dhe me te sakta te prera e te qarta.Dmth i artikulon me mire diskutimet dhe fjalimet.Kurse ky tjetri ka nivel me te ulet ne fjalim.1)Psh thote:Pershendes djemte dhe grate e FA.Kur thua djemte atehere duhet te thuash dhe vajzat e jo grate.Ose kur thua grate duhet te thuash burrat dhe jo djemte.2)Thote do te perpiqem ti afrohemi Natos.Ne jemi ne Nato,po mbase ka harruar qe bejme pjese ne te.Ose ka dashur te thoje do te rrisim standartet por eshte shprehur gabim.Megjithate thote do te jem atdhetar.Dakord por atdhetar eshte dhe nje memec psh por ne poste te tilla shume te rendesishem per Shqiperine duhet dhe dialektika.Urojme pune te mbare ne detyrat e reja te dy ministrave dhe shpresojme te arrijme objektiva te rendesishme si ne diplomacine e jashtme ashtu dhe ne fushen e mbrojtjes.