Berati ndërton urë të re mbi lumin Osum: Rikostruktohet rruga anash lumit, harrohet premtimi i Peleshit për ishull

15 Janar 2021, 10:56Sociale TEMA

Bashkia e Beratit ka hapur tenderin për hartim projekti “Ura e RE mbi lumin Osum dhe rikonstruksion i rrugës Goricë-Bilcë ”. Fondi limit është 13 milion e 476 mijë lekë dhe afati për ofertat është 25 janar 2021.

Qyteti i Beratit dhe fshatrat rreth tij ndahen nga lumi Osum. Aktualisht mbi Lumin Osum kalon vetëm një urë automobilistike ndërsa dy urat e tjera janë ura këmbësorësh. Plani i përgjithshëm vendor i qytetit të Beratit parashikon zhvillimin e qytetit në drejtim të lagjes Uznovë.

“Për këtë, lind nevoja e lidhjes së kësaj zone me anën tjetër të lumit të cilat momentalisht kanë akses vetëm nëpërmjet urës ekzistuese automobilistike në hyrje të qytetit, rreth 5 kilometra larg.

Gjithashtu, gjendja e varfër e infrastrukturës rrugore në këtë zonë sjell si nevojë rikonstruksionjin e rrugës që lidh urën e re me infrastrukturën ekzistuese.

Po ashtu, projekti parashikon edhe rikonstruksionin e urës Goricë-Bilcë e cila do të mundësojë qarkullimin e mjeteve me lehtësi dhe do të mundësojë lidhjen midis dy anëve të lumit.

Rruga që do të rikonstruktohet është rreth 3.5 kilometra e gjatë e shtrihet në gjatësinë e saj paralel me lumin Osum. Pika e nisjes  është kryqëzimi në rrugën Goricë-Dobornik pranë urës së varur në lagjen Goricë dhe përfundon në kryqëzimin e parashikuar me rrugicën e re mbi urë.

Ndërkohë, deri më tani është anashkaluar premtimi i Niko Peleshit për një ishull mbi Lumin Osum.

Edhe pse u tha qysh nga viti 2015 se ai do nisë të zbatohet dhe se projekti fitues do të kishte vlerësimi nga një juri ndërkombëtare me një konkures po ndërkombëtar, deri më tani nuk ka asgjë konkrete.

Sipas  Zv/kryeministrit të asaj kohe, kjo do ishte një dëshmi e vëmendjes që qeveria po tregon për qytetin 2500 vjeçar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje