Republika e Vajmedetit

27 Janar 2021, 18:30Politika TEMA

Nga Gjovalin Macaj

Bash atij i vriteshin katër qytetarë para syve, jetën e të cilëve ai e kishte për detyrë me e mbrojtë, por nuk mbajti e nuk mban asnji përgjegjësi; shpallet i pafajshëm, anipse këto vrasje nuk mund të baheshin kurrnjiherë pa urdhnin e tij. Sikur asgjà të mos kishte ndodhë, ai ngrihet prapë në detyrë, prapë bahet lider e na zapton edhe nji truell në bregun e oligarkëve, në panteonin e maskarllëkut të Tiranës.

Parimet dhe idetë politike i qet prej bishtave të cingareve që i mbledh gjanë e gjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Asht bimë e spikatun e dalun arave t’misrit që kallenj nuk lidhin, përpos kashtë, byk e boça. Ky lloj kollomoqi pa kokërr drithi, rritet fort e shpejt e t’bàn me ngrefë kashtarë vigaj, por kur vjen korra mbeten thatë.

Mes shkretinës ai duket si shpresë. Asht i shterpë, por shumë njerëz rrejnë vetin se ai do ta kthejë tokën djerrë në arë të plleshme e do të na qesë n’dritë, në mos t’tanë, të paktën gjysën prej nesh. Pra Lulzim Bashën kam ndër mend. Shpresën e madhe për ndryshim në vend.

Flet sa s’ka, por gjà nuk thotë. I digjet zemra për nji fije autoritet, bërtet shumë mandej e kapin të dridhmet kur ndigjon jehonën e zànit t’vet. Autoritetin që lyp askush nuk ia ep. Asht i gjatë por hiç i naltë. Lakohet, paloset, përdridhet e kacavirret a thue se nuk ka shtyllë. Zellit për pushtet nuk i ndahet si rriqën.

Për punë kurrkush s’e ka levdue. Rrugën e Kombit e la copa-copa e me nji gropë korrupsioni mà të madhe se 230 miljon Euro. Edhe punën e tramvajës imagjinare ju desht me e lànë përgjysë, e ju përveshë me t’tana forcat themelimit të “Republikës së Re”, por pa u tha boja e parullës, vrulli iu pre përmidis e republika na ra përdhe.

Nji arritje edhe ky në fund të fundit e ka: Edi Ramën me apo pa dashje burrë të mirë na e ka bà. Mbret mes të verbënve. Autokritika e tij del nga penxheret e internetit si opozita mà e zàshme n’vend. Vetë zot e vetë shkop.

Ndër arritje të tjera të tij mund të vihen në rend edhe mbulimi me mermer i dyshemesë së drrasave në selinë e bashkisë së Tiranës, ardhun me sa shihet prej nji shqelmi që mund t’i ketë dhànë shkarravinave të paraardhësit të tij. Edhe përmbysja e sheshit “Skënderbej” e kthimi i tij në autostradë me plot makina, pa dyshim si pjesë e vizionit të tij largpamës për t’i dhànë frymëmarrje qytetit, e me qitë n’dritë heroin kombtar, përçka mund të shtohet dyfish në listën e dameve të tij.

Kur nuk mujti me thànë kurrnjigjà me zà e me bà, i paaftë e i pa ërz si àsht, i flaku deputetët e PD-së si mish për top, bash si mall i falun. Porsi nji tufë dhensh pa bari, i bani kamikazë e u dogji mandatet që ju pat dhànë populli, e bashkë me ta u bà gazi i botës. Iu hoq zànin gati gjysës së votuesve në vend, me shpresën e kotë se veç në heshtje të plotë dikush do të nigjonte zànin e tij të shkretë.

Porsi kashta që zgjatet e trashet aty ku e ka mbjellë kryetari i partisë, ai nuk mundet me lànë aty gja tjetër të hajrit me vù rrajë. Nuk di me bà kurrnjisend përpos se me u zemrue, për pushtetin që hala s’ka dalë kush me ia dhurue.

Ai zapton opoziten si tokë e xanun. Me shterpsinë e tij ai mban peng PD-në dhe shpresën për ndryshim, për nji alternative reale në vend. Mashtron t’djathtët e shkretë me shpresë, kur në realitet iu pret krahët e i le të vetmuem n’batak, pa za e të pashpresë.

Asht hiç i madh, por prapë shet parulla e pallavra të arnueme e të dalë boja, e shumë njerëz duken sikur po ia blejnë. Dikush prej etjes për pushtet për me e zhvatë mà egër at vend; dikush tjetër prej mjerimit e dëshpërimit të skajshëm e të kenunit i pashpresë.

Bash kur PD-ja duhet t’ishte votra e ideve çliruese dhe e projekteve të prekshme për të na çue përpara, Basha në vend të saj na paraqet nji parti që punon si magnet llumi. Atje ku lulzon paaftësia, shterpësia, e turmnia. Atje ku kush ka dy pare mend ose merr arratinë ose përdoret si gjethe fiku, sikurse me rastin e KOP-istave të 2005-s nga ku na biu Basha, për t’i ba mà të kapërdishëm me ju dhanë pushtetin.

Pa ide, pa plan, e pa drejtim, të djathët me nji boçë si Bashën ose kanë humb shpresën me ardhë në pushtet, ose e kanë lëshue vetin me e ndjekë atë verbnisht deri në hendek, atje në “Republikën Vajmedet”.(Peizazhe.com)

14 komente në “Republika e Vajmedetit”

  1. nord.al says:

    Gjon, se pari falemndres per gegnishten e bukur qe na dhuron dhe se dyti per mendimet e drejta qe paraqet. Je i mrekullueshem.

  2. cipini says:

    E ke qare shkrimin.
    Ke harruar Torten e madhe per diten e pamvarsise, tek Pallati Kultures, qe lam nam ne syte e gjithe botes duke marre krem me legena plastike.

  3. Shoku jot says:

    E ke myt krejt

    1. Bledi says:

      Dhe 1 dosje e ka kopsit
      Ate te Shtepise Verdhe po kjo ka qene per nxefje para se te futej ne fushe si lojtar .

  4. Drejtesi e munguar says:

    Bravo!!!

  5. Real says:

    Exelent! Shqip me nje gegenishte te rrjedheshme,ke lezet ta kendojsh dhe lexojsh. Bravo!

  6. Troposa says:

    Dihet…bastardi mbetet bastard

  7. Shqiptar says:

    Ma knaqe shpirtin me gegnishten e mrekullueshme, me atè pèrshkrim tè kètij karabushi pervers.
    Kènaqèsi e veçantè, çdo fjali juaja.

  8. iksi says:

    Ke te drejte plotesisht , i till eshte , por ate detyre qe mban si kryetar i opozites ai nuk keshte ndej as 6 muaj per aftesine qe ka por e ka vu Berisha dhe e mban Berisha . Basha as nuk ka tru dhe eshte edhe frikacak . A ta merr mendja sa njerez ka kundra edhe brenda ne P.D ne si puna e Patozit dhe e Jozefines ku edhe ata dy mire qe moren guximin me u shkeput prej asaj parti por kur vjen puna me fol realitetin kunder Lulit nuk ja nxjerrin koken muhabetit se edhe e fine qe e ka vu Berisha dhe e mbron Berisha por po ta thone haptas nuk jua mban se kan frike se e pesojne si Azemi e Sokol Olldashi me kriminelat qe mban e paguan

  9. loni says:

    Nje shkrim shume i mire dhe me nje gjuhe gege shume te bukur dhe gjithe kolorit.
    Por, ka nje mungese te madhe ne te, gje qe e permend Iksi ketu lart!
    Kjo mungese eshte Berisha, ai dhe vetem ai eshte shkaku kryesor i kesaj derexheje te PD dhe opozites, vetem plaku i Vicidolit eshte shkaku dhe arsyeja, ai eshte shkaterruesi i vendit, i opozites dhe gjithckaje qe ka qene nen hyqmin e tij.
    Berisha PD e ka kthyer ne nje ombrelle per te ruajtur familjen e tij nga denimi per vjedhjet dhe nuk i rruhet shume per opoziten, etje, etj, dhe ombrella me e mire eshte Basha dereziu.
    Basha i shkrete eshte nje HIC dhe nuk ia vlen te analizohet me kaq shume mund, e ka te shkruar ne balle se cfare eshte.
    Dhe derexheja e PD duket edhe te fakti se 81% e simpatizanteve duan ende Berishen, nuk ndahen dot nga Dulla i tyre, kjo eshte hataja!!!
    Megjithate shkrim shume i kendshem!

  10. shqip says:

    Me kujtove Migjenin e madh Gjovalin. Nje Gegnishte perfekt! Sa per lulin eshte shume e lehte me e “Vajtue” se edhe me dashte me e levdue s’ke ku i gjen faktet.

  11. ZIGUR QARRI ( i verteti ) says:

    Shume drejte ke shkruar. Vetem ke nje te mete te vogel: Emri per te cilin shkruan, nuk duhej te ishte Lulzim Basha, por Sali Ram Berisha.
    Ai dha urdher qe te vriteshin 4 njerez ne bulevard, ai dha urdher per djegjen e mandateve, ai eshte autor i rrokullimes qe ka mare PD. Luli i varfer, mallkon veten qe i kane varur ne qafe nje kembore te tille.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje