Klubet e Superiores që nuk e harrojnë zanatin e ndërrimit të trajnerëve

29 Janar 2021, 15:30Sport TEMA

Kategoria Superiore tashmë ka hyrë në një fazë të nxehtë të kampiomatit, ku në këto 16 javë të luajtura, duket se janë përcaktuar skuadrat që do të luftojnë për titullin kampion, Kupat e Europës dhe për mbijetesën.

Ashtu siç ndodh rëndom, në këto 16 javë të para, disa prej klubeve kryesore nuk e kanë harruar zanatin për ndërrimin e trajnerëve.

Nga 10 ekipe, 4 prej tyre kanë ndërruar trajnerët pas rezultateve negative.

Rekordin e mban klubi i Tiranës që ishte dhe ekipi parë që bëri ndryshime në stol, duke shkarkuar Emanuel Egobn, që sezonin e kaluar në krye të bardhebluve arriti që të rikthejë titullin kampion.

Largimi i Egbos u shoqërua me mjaft dyshime, pasi akuzat në drejtim të presidentit Refik Halili dhe stafit të tij ishin se shkarkimi i teknikut Nigeria, ka qenë i përgatitur më parë dhe pritej vetëm një hap fals për tu bërë fakt i kryer. Dhe ashtu ndodhi, pas eleminimit në Kupë, presidenti Halili vendosi shkarkimin e Egbos dhe në vend të tij emëroi Nevil Deden,.

Ky i fundit erdhi në krye të Tiranës, duke lënë ekipin e Shqipërisë U-19. Aventura e Dedes tek Tirana nuk zgjati shumë, ku përveçse rezultateve negative, ai ishte në qëndër të kritikave për aktivizimin me “mik” të disa lojtarëve.

Dede akuzohej se një nga detyrat kryesore që kishte ishte të fuste në lojë djalin e Refik Halilit, apo dhe të zv.presidentit të FSHF-së Lutfi Nuriut. Eksperienca e Dedes tek Tirana u mbyll javën e kaluar përpara sfidës kundër Laçit, ku 10-minuta para ndeshjes ai u largua nga stoli.

Shkak u bë ndërhyrja e presidentit Refik Halili, i cili diktoi formacionin duke sjellë dhe ndërprerjen e bashkëpunimit mes të dy palëve. Tashmë në krye të Tiranës është ëmëruar ish portieri i njohur Orges Shehi.

Një tjetër ekip që ka pësuar ndryshime është dhe Laçi. Kurbinasit e nisën sezonin me në krye trajnerin shkodran Armando Cungu.

Me kontigjentin e lojtarëve dhe eksperiencën e Cungut, Laçi shihej se një ndër favoritët kryesorë në luftën për titullin kampion, por starti i kampionatit nuk ishte në anën e bardhezinjve.

Rezultatet negative bën që presidenti Pashk Laska të ndërpriste bashkëpunimin me Cungun, ku në vend të tij përkohësisht u vendos Stavri Nica.

Në stolin e Laçit tani është një tjetër emër mjaft i njohur, si Shpëtim Duro, i cili ka arritur që ta nisë mbarë aventurën e tij tek kjo skuadër duke e rikthyer fuqishëm në garën për një vend që të dërgon në Kupat e Europës.

Kukësi është një tjetër ekip që nuk ka gjetur qetësinë e stolit. Skënder Gega ishte trajneri që nisi sezonin me verilindorët, ku pas një paraqitje dinjitoze në fazën paraeliminatore të Europa League, pritej të kishte një ecuri fantastike dhe në kampionat.

Besimi tek Gega ishte mjaft i madh në ambientin kuksian, duke parë suksesin që ai arriti tek ekipi i Partizani ku u shpall dhe kampion i Shqipërisë. Ecuria e Gegës tek Kukësi nuk shkoi ashtu siç pritej, ku ecuria jo e mirë e rezultateve, por dhe infektimi me Covid-19 që trajneri pësoi, duke munguar prej disa ndeshjes për shkak të shtrimit të tij në spital në Turqi, bëri që verilindorët të mos kishin një bashkëpunim të gjatë me teknikun tropojan.

Disfata ndaj ish ekipit të tij Partizanin, solli ndarjen përfundimtare mes Kukësit dhe Gegës, ku në vend të tij u caktua Rrahman Hallaçi, i cili qëndroi në detyrë vetëm pak ndeshje, pasi këtë javë presidenti Safet Gjici arriti akordin me Mirel Josën.

Tekniku i njohur kryeqytetas ka arritur marrëveshjen për 1 vit e gjysmë me Kukësin, ndërsa Hallaçi që ishte në krye të ekipit do të ketë një rol të ri, atë të ndihmësit të tij dhe njëkohësisht do të drejtojë Kukësin U21.

Ndërkohë, ekipi i fundit që ka bërë ndryshim në stol është dhe skuadra e Apolonisë. Edhe fierakët mbajnë një rekord sa i përket ndryshimeve të trajnerëve në këtë sezon të ri.

Apolonia e nisi sezonin duke u përgatitur nga Artan Mërgjyshi, i cili kishte drejtuar këtë ekip dhe në Kategorinë e Parë duke e ngjitur dhe në Superiore.

Më pas startoi sezonin me italianin Colella, duke u pasur nga Nikolin Çoçlli e Bledar Borova.

I fundit është Fabrizio Cammarata, që përpara se të merrte drejtimin e fierakëve ishte në krye te stolit të Dinamos duke e lënë këtë ekip në vendin e parë në Kategorinë e Parë.

Nën drejtimin e Fabrizio Cammaratas, Apolonia ka pasur disa rezultate pozitive ku janë në garë për të qëndruar këtë sezon në Kategorinë Superiore.

Të vetmet ekipe që kanë rezistuar me mos ndryshimet e trajnerëve janë Vllaznia, Partizani, Teuta, Kastrioti, Bylisi dhe Skënderbeu.

Të paktën deri më tani…

(Përgatiti Fatjon Baze- TemA)

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje