Partizani-Vllaznia, 90 minuta për të rihapur garën për titull

29 Janar 2021, 18:28Sport TEMA

Në sport, ashtu si në jetën e përditshme, fati të jep mundësinë e rikuperimit dhe pastaj gjithçka varet nga ajo që ti jep.

Kjo situatë po ndodh me Partizanin që sezonin e nisi me një goditje të madhe, teksa iu bllokua merkato dhe duhet të bënte pa një nga lojtarët kryesorë, Eraldo Çinarin.

Megjithatë ja ku jemi dhe java e 17 e Superiores është si një asist për “të kuqtë”, që në përballjen me Vllazninë ka mundësinë të rikuperojë dhe të hedhë sfidën për titullin.

Me një trajner ekspert në stol, por mbi të gjitha me krahët e entuziazmit që solli hapja e merkatos, firma me emra shumë të rëndësishëm dhe mbi të gjitha triumfi në derbi, kanë bërë që tek Partizani të ëndërrojnë trofeun e madh.

Nëntë pikë diferencë janë shumë, por edhe pak. Janë shumë sepse Vllaznia ka treguar stabilitet në lojë dhe rezultate, çka i mungon Partizanit deri më tani. Janë pak sepse janë 3 përballje direkte bashkë me këtë të së dielës dhe lehtësisht të rikuperueshme.

Është e vështirë të mendosh që përveç sfidave ndaj njëra-tjetrës këto dy ekipe nuk do gabojnë, por për kryeqytetasit është shumë e rëndësishme të fitojnë këtë akt të parë drejt rikuperimit të pikëve, shkruan Super Sport.

Edhe pse në merkato të kuqtë kanë qenë aktivë, trajneri Ilir daja duhet të bëjë llogaritë me gardën e vjetër, ose më mirë me lojtarët që ka patur në dispozicion, pasi edhe Valentino Murataj nuk do të jetë për shkak kartonësh.

Përveç entuziazmit që kanë, në favor të 16 herë kampionëve të vendit është edhe fakti që nuk kanë shumë presion, pasi janë skuadra që në këtë duel nuk kanë çfarë humbasin, por vetëm të përfitojnë.

Me një sukses edhe gara do të bëhej më interesante dhe zyrtarisht Partizani do të konsiderohej si rivali kryesor i shkodranëve në garën për titull.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje