Një luftë me sëpata

30 Janar 2021, 09:20Rajoni TEMA

Nga Enver Robelli

1. Ideali i djegur

Në vitin 2021 disa politikanë të Kosovës, të frikësuar se do zhduken nga skena, flasin (vetëm) për të kaluarën. Por me një hile të madhe: duan t’i fshijnë nga kujtesa e qytetarëve 20 vite keqqeverisje dhe afera me krim e korrupsion. Dhe duan ta bindin miletin se jemi në vitin 1999 dhe këta ende nuk i kanë hequr uniformat dhe duan të qeverisin për të mirën e përgjithshme. Sado të larta të kenë qenë idealet e dikurshme, shumica e atyre që sot thirren në luftë për të fituar vota, janë keqpërdoruesit dhe shkatërruesit më të mëdhenj të Kosovës në 20 vitet e fundit. Me këtë “ideal” identifikohen, për fajin e tyre dhe të askujt tjetër. Sepse e kanë hedhur në bërllok idealin e dikurshëm (disa prej tyre madje këtë ideal e kanë braktisur edhe gjatë luftës).

Andaj sot përpiqen t’ia nxirrni sytë njëri-tjetrit me akuza barbare duke u etiketuar se cili ka pasur më shumë kontakte me Beogradin. Çfarë niveli primitiv! Çfarë mizorie! Në çdo fushatë elektorale gjuha bëhet pak më direkte, më e ashpër, por të përdoren këso akuzash pa asnjë fakt dhe të përdoren tash, më 2021, pra dy dekada pas luftës, – kjo tregon mjerimin moral dhe zvetënimin intelektual të llafazanëve partiakë që thirren në heroizma lufte.

Ata që s’kanë përgjigje për të ardhmen, flasin për të kaluarën. Duke i dhënë vetes rol kryesor në të dhe duke përjashtuar nga rrëfimi çdo kontribut tjetër, çdo bazë institucionale të Kosovës, çdo shtresë administrative dhe intelektuale. Faleminderit që e çliruat Kosovën (rolin e NATO-s po e përjashtojmë, që të ndiheni edhe më triumfues), por mos prisni t’ju falënderojë ndokush për plagët e pasluftës që ia keni shkaktuar Kosovës.

2. Çfarë kanë për të na thënë viktimat?

Më 10 qershor 2021 bëhen 22 vjet nga çlirimi i Kosovës. 22 vjet! Ata që u lindën në vitet e para të pasluftës, tashmë janë shtetas të Republikës, qytetarë me të drejtë vote. Ata dhe të gjithë të tjerët gjatë dy dekadave të fundit kanë qenë dëshmitarë se si kujtimi për vuajtjet në luftë është ritualizuar. Po aq sa është ritualizuar edhe lartësimi i atyre që patën më shumë guxim se të gjithë të tjerët dhe luftuan për çlirimin e vendit. Një përmendore këtu, një atje, kryesisht pa asnjë kriter estetik dhe urban. Vizita te varret e viktimave dhe kryengritësve, fjalime stereotipe, formulime patetike, përvjetorë betejash që më shumë ngjajnë në tubime elektorale. Me kaq mbaron kultura kosovare e kujtimit. Kështu gërryhet dhe dëmtohet kultura e kujtimit.

Kosovës i duhet një ditë për kujtimin e viktimave. Le të hiqet njëra nga ato ditët e tepërta që e ngarkon «kalendarin festiv» gjatë vitit. Në atë ditë duhet të flasin viktimat. Jo politikanët. Jo cinikët e çarshisë. Jo yjet e rrejshëm publikë. Zhurma e tyre e mbyt zërin e viktimave gjatë gjithë vitit. Në një mbledhje solemne të parlamentit çdo vit mund të ftohej një figurë që ndan me opinionin përvojat e së kaluarës së hidhur. Folësi mund të jetë viktimë, mund të jetë edhe dikush që u ka ndihmuar viktimave. Për shembull një shqiptar nga Kukësi, Kërçova apo Korça që u ka ndihmuar refugjatëve të Kosovës më 1999. Mund të ftohet Natasha Kandiqi. Ose Mirosllav Filipoviqi, një gazetar i guximshëm serb që pati shkruar për kamionët me kufoma të shqiptarëve në Serbi. Mund të ftohet një mjek që u ka ndihmuar të plagosurve në luftë. Ndonjë punëtor i Shoqatës “Nënë Tereza”. Një dinjitar fetar që u ka qëndruar afër viktimave. Një arsimtar që ka mbajtur mësim edhe në kushte lufte në zonat e luftës.

Shoqërisë kosovare i duhet kjo perspektivë e rrëfimit, jo fjalimet boshe të politikanëve që bëhen patriotë para zgjedhjeve me shpresën se pas zgjedhjeve do të kthehen në pushtet dhe vazhdojnë vjedhjen aty ku e lanë. Boshllëku i fjalimeve të politikanëve duhet të ndalet me fjalime personale dhe emocionale të viktimave, sepse kësisoj e përjetuara bëhet e prekshme dhe e imagjinueshme për gjeneratat e sotme.

3. Rrena e radhës

Me vite të tëra qarqe të ndryshme politike dhe propagandistike në Kosovë përhapnin një “lajm”: Hashim Thaçi ka vjedhur xhinsa (farmerka) në Zvicër. Asnjë dëshmi nuk është ofruar për këtë qe 20 vjet. Por si lajm i rrejshëm ka pasur efekt te njerëzit naivë. Këto ditë – ndonëse jo i krahasueshëm si rast, por si metodë – në mediat sociale u përhap një montazh, një sajesë e radhës: Albin Kurti i paskësh thënë gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) se kush e mbështet Amerikën dhe Ibrahim Rugovën është kundër Kosovës. Këtë deklaratë Kurti e paskësh dhënë në fund të viteve 90-të. Si “dëshmi” sillet kinse një kopje e ballinës së gazetës gjermane dhe një foto ku shihen Kurti, një grua e panjohur (ndoshta Doris Pack?) dhe Bujar Dugolli.

Nuk duhet shumë fantazi për ta kuptuar se bëhet fjalë për një lajm të rrejshëm. Së pari: në fund të viteve 90-të “Frankfurter Allgemeine Zeitung” nuk ka botuar fotografi në ballinë. Së dyti: në fund të viteve 90-të Kurti nuk ka qenë aq i rëndësishëm si politikan, që të zë vend në faqen e parë të një gazete gjermane. Së treti: shkrimi (fonti) i titullit është ndryshe nga shkrimi tradicional i FAZ. Së katërti: manipuluesi i lajmit ka qenë aq amator, saqë në fund të titullit e ka vendosur një pikë. Së pesti dhe si dëshmi përfundimtare: një shikim në arkivin e gazetës “Frankfurter Allgemeine Zeitung” tregon qartë se një lajm i tillë nuk ekziston. Në vitin 1999 Kurti është përmendur njëherë nga FAZ, në vitin 2000 dy herë, por në kontekst krejt tjetër.

Kundër lajmit të rrejshëm reagoi në Twitter edhe korrespondenti i FAZ për Europën Juglindore, Michael Martens. Ai shkroi se një artikull i tillë nuk është botuar kurrë në FAZ. Pra, kemi të bëjmë me një lajm të rrejshëm.

Në prag të zgjedhjeve do të ishte mirë që në betejën e pistë të mos keqpërdoren mediat e huaja, duke iu imputuar atyre tekste që nuk i kanë shkruar kurrë. Si çdo politikan edhe Albin Kurti duhet t’i nënshtrohet kritikës për veprimet e tij, por metoda si kjo e fundit mund t’u kthehet bumerang sajuesve. Siç është kthyer bumerang me vite të tëra propaganda se Hashim Thaçi paskësh vjedhur xhinsa në Zvicër.

4 komente në “Një luftë me sëpata”

  1. shqip says:

    Te ju, të paktën mjaftoheni me individin. Ndërsa në Shqipëri të bëjnë apelin e shtëpisë. Si përmbledhje vijmë tek një citat i fund shek 19, fillim i 20. Dikush paskësh thënë :” Shqiptarët nuk mund të qeverisen vetë” . Ta ketë patur me të hedhur rrufjani ? Sigurisht , është kjo e fundit besoj. Po ku çalon atëherë? Për mendimin tim Shqiptari , ai që është i tillë nga Nishi deri në Preveze, ka një difekt të lindur. Abuzon shumë me lirinë, në tërë kuptimin e fjalës. Ne mburremi se kemi media të lirë , ku çdo njeri thotë e shkruan çfarë të dojë. Një media pa fre e pa ligje të rregulluara është armiku më I egër I demokracisë. Nuk është as Hashimi, as Edi, as Albini, as Luli që mund të ndikojnë për keq në jetët e shqiptarëve. Po kështu për liderat në Maqedoninë e Veriut ose në Mal të Zi. Çoroditja i vjen nga bombardimi i medias këtij populli. Gazetari me vetëm pak përkushtim ka arritur të ç’veshe artikujt e montuar. Po sa mijëra lajme jepen në media, që nuk kanë as një presje të vërtetë ? Liria e shtypit duhet të rregullohet me ligj. Dhe e fundit , për çdo ligj që është jetik për interesat e kombit në tërësi, dhe komuniteteve nëpër njësi vendore, të aplikohen referendumet. Nëse njëra palë që kqyr punët e pushtetit, konstaton se një ligj është në dëm të shtetasve shqiptarë, le të vendosë populli për kë është më e drejtë. Shqipëria mund të funksionojë vetëm e bashkuar. Një trup i gjymtuar nuk mund të jetë efikas. Por për ta bere këtë sa më mirë e më të sigurte, duhen larguar nga politik bërja të gjithë over 40. Jo se nuk ka njerëz me integritet mbi këtë moshë. Por ka fizionomi tjetër ndërmjet brezave. Nuk hecet më me klane, me shoqëri, taraf etj. Shqipërinë ( atë etnike), duhet ta drejtojnë njerëz që kanë studiuar në Amerikë dhe Europe. Që kanë një shikim përtej kufijve të miqësisë apo “hasmit”, kundërshtarit politik.

  2. Z says:

    Urrejtje urrejtje dhe prape urrejtje mes Shqiptaresh! Po prisni o Shqiptare te nderuar se ne jemi dhe te vetmit trashegimtare te Pellazgeve dhe Ilireve! Shqiptare me mentalitet otoman,qe nuk dine gje tjeter vetem lufte! SHikoni Saliun dhe Albinin! Nuk duan miq vetem armiq te kene afer! Nuk njohin demokracine vetem unin egoist otoman-shqiptar-te Leke Dukagjinit!

  3. Shenjestra says:

    Albin Kurtin shikojeni me cilin eshte mik te themi se kush eshte ai.Ai ka miqesi me nje nga krimnelet me te medhenj te kombit shqipetar,Sali Berisha, qe ka qene dhe eshte kundra kosovareve.Ai i dha nafte dhe arme Millosheviçit per te vrar kosovaret.Por kjo e vertete,a pranohet nga Kurti? Jo.Pse? Sepse edhe kurti eshte si Sali Berisha.Pse t’i jepet vota? Pse duhet te vijn ne pushtet keta armiq te popullit Kosovar apo ne shqiperi? Kush i voton keto monstra eshte antishqipetar.

  4. Prakticieni says:

    Duket qe gazetari i eshte perveshur “luftes me mullinjte e eres”. Ne asnje vend te botes nuk behet nje lufte e “paster” politike. Duam apo sduam ne, “liria e shtypit” shfrytezohet nga kundershtaret per te baltosur njeri tjetrin. Kete dukuri eshte e veshtire ta riparosh. Kete veshtiresi nuk e rregullojne dot as vendet e verteta demokratike…Ne kete kuptim edhe shkrimi eshte “apstrakt”. Gazetari kete veshtiresi e shfrytezon per te mbuluar te vertetat. Eshte kollaj per te qe mendimet e te tjereve ti shese per “tashetheme”, kur ato jane kunder mendimeve te tij. Pershembull “thashethemi” qe kane perhapur gazetat per Kurtin se ai ka thene se “ata qe mbeshtesin Ameriken dhe Ibrahim Rugoven” jane kunder Kosoves, mund ose jo te jete i vertet. Kete duhet ta zgjidhin politikanet e taboreve ne propaganden e tyre ne Kosove dhe ne nuk duhet te presim deri sa gazetari te “vere ne shtrunge” shtypin. Eshte detyre e Kurtit dhe taborit te tije politik qe ta qartesojne kete “thashethem” dhe ta kethejne ne te vertete qe ti ndihmoje ata per te kapur pushtetin. Praktikisht ky “thashethem” eshte nje akuze e “rende” per Kurtin, duke ditur qe Amerika eshte aleti yne kryesor dhe ajo qe deroi ushtrine per te na dhene lirine…
    Une nuk po zgjatem me te verteten se nese vertet Albini eshte kunder Amerikes qe nga Rrambujeja e deri sot, por me ben cudi se si gazetari nuk gjen nje zgjidhje “praktike” per kete “thashethem”. Ai nuk pyet vehten se pse Albini nuk e kundershton kete “thashehem”. Une nuk kam degjuar qe Kurti te thote se Amerika eshte “nena dhe babai” i lirise se Kosoves. Pra ne vend qe gazetari te rregulloje “shtypin”, eshte mire te merret me problemin, qe eshte i lehte te zgjidhet nga Kurti.
    Meqe Kurti nuk flet, une si person mendoj se ai vertet eshte kunder Amerikes. Fantazia ime shkon me thelle. Meqe Albini nuk eshte budalla dhe ai e kupton qe te jesh kunder Amerikes eshte “fatale” per nje politikan si ai ne Kosove, mua me vehte mendja se ai nuk e ben dot mohimin, sepse Serbia ja “ka zene koken me dere”. Ai ben ci thot Vuciqi…Ne praktike Kurti eshte kunder Amerikes se edhe sot ai na tregon se Amerika duhet te mbeshtese “reciprocitetin” e tij dhe jo ai te mbeshtese “marreveshjen gjitheperfshirese” te Amerikes dhe Evropes. Pse zoti gazetar Kurti nuk mundohet qe te pakten te flas “me te njejtin gjuhe” me aletaet tane? Pse edhe Vuciqi “mundohet” te flase me te njejten gjuhe me Ameriken megjithese e urren ne kulm? A te ben ty pershtypje se Kurti me kete sjellje ndihmon Vuciqin per te sabotuar planin perendimor “te marreveshjes gjitheperfshirese me njohje reciproke”? Valle kaqe e veshtire eshte te kuptosh qe “njohja reciproke” ka te njejtin kuptim si “reciprociteti” i Albinit, ne kuptimin gjuhesor? Pse Albini kerkon “reciprocitetin” para “njohjes reciproke”? Pse ai mundohet te tregohet me i “zgjar” se sa llogjika? A eshte ai “grindavec” i lindur apo dicka tjeter? A e kupton ai se keto “sofizma” qe ben ai me Ameriken ja “heqin” trurin Bajdenit dhe Merkelit? A duhet ata te merren me kete “ekuacion” pa zgjidhje, qe ne thelb saboton bisedimet apo ti tregojne vendin Albinit, sepse nuk duan ti tregojne “vendin” Kosoves? Pse Albini i ve ne pozite te veshtire aleatet tane? A e kupton gazetari se sabotimi i bisedimeve eshte plani serb per te pritur “dite me diell” Etj, etj… Me keto merru ti dhe jo me DEMOKRACINE, qe ben “thashetheme” per Kurtin…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje