LETRA/ Idetë komuniste të Liri Belishovës, lutja e të atit për Jakomonin: E dua fashiste!

31 Janar 2021, 12:40Politika TEMA

Në shumë intervista të saj, Liri Belishova është kujdesur gjithmonë të cekë një stacion të rëndësishëm të jetës së saj, që ishte koha e studimeve në “Institutin femnor Nana Mbretneshë” dhe një periudhe të vështirë aty kur e përjashtuan nga shkolla dhe konvikti me akuzën për veprimtari në shërbim të komunizmit.

Bëhet fjalë për nëntorin e vitti 1941, vetëm pak ditë pas themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare, ku Belishova edhe pse adoleshente do të aktivizohej plotësisht e do të merrte role të rëndësisë së veçantë sidomos në strukturat e rinisë komuniste.

Përjashtimin nga Instituti të Liri Belishovës e hasim edhe në këtë dokument të veçantë, një telegram i shkruar nga babai i saj Kamber Belishova, i cili i lutet mëkëmbësit  Françesko Jakomoni që ta rishohë vendimin për përjashtimin e vajzës së tij me argumentin se ajo ishte një nxënëse e shkëlqyer dhe me sjellje për t’u lëvduar dhe se shkolla kurrë nuk i kishte drejtuar ndonjë ankesë qoftë edhe si paralajmërim atij si prind.

Telegrami i plotë i Kamber Belishovës

Shkëlqesisë së tij Francesko Jakomoni

Mëkëmbës i përgjithshëm i madhnis tij Mbretit Perandor

Tiranë

Kemi nderin me ju parashtrue se Drejtoria  e shkollës femnore (Nana Skenderbeg) me 13- XI -1941 më komunikoj se në bazë të urdhnit prej Ministris Arsimit ka përjashtue nga shkolla midis tjerave dhe vajzën teme të quajturën Liri Belishova për gjithë perjodën e vitit shkolluer 1940-1941 dhe me përjashtim të përhershëm nga gjithë konviktet ALT.

Shkëlqesë ju sigurojmë së vajza  ime është krejt e pafajshme dhe e pajisun me sjellje e virtute shembullore prandaj asht nga të parat e klasës së saj ALT. Simbas rregullave shkollore dhe ndjenjave më elementare njerëzore administrata e shkollës në rast se  kishte dijeni mbi ndonjë sjellje të papëlqyeshme të vajzës time, duhesh mua si prind i saj të më njoftonte me kohë për me e sjellë atë  në rrugën e bindjes e të disiplinës. Unë tue patur njoftimin e duhur prej shkollës, në rast se nuk siguroja bindjen e mirësjelljen e vajzës time, atëherë kisha me kenë aq fajtor kundrejt familjes dhe atdheut tim dhe aq ma tepër kundrejt regjimti fashist sa është i rëndë, i padrejtë dhe drastik vendimi i marrun prej Ministrisë s’Arsimit kundrejt vajzës time t’pafajshme që është edhe minorene.

Nji masë kaqe drastike e ministrisë  dënon përjetë fëmijët tonë dhe e trondit gjendjen e familjes tonë për arsye se deri tash  as vajza as neve prindrit nuk kemi  mbrijtun me ditë fajet për të cilën akuzohet.  Tue dit fare mirë interesimin e regjimit fashist dhe kujdesjen personale atnore që shkëlqesia e juej ka tregue në çdo rast për rininë shqiptare dhe në mënyrë të posaçme për seksin femnuer kemi bindje të plotë se fati i kësaj vajze plot virtute shqiptare ka me u studjue e vendosur prej shkëlqesisë tuej dhe lusim e presim me durim urdhnin përkatës për kthimin e saj në folenë e ditunisë dhe edukatës fashiste e cila ka me i pregatit të dijshme për me shpërnda dritën e arsimit ndër të gjithë viset e Shqipënis së Madhe që lumtenisht po realizohet me fitoret e ramevet perandorake.

Me nderime e përunjtje

Kamber Belishova. /tesheshi/

6 komente në “LETRA/ Idetë komuniste të Liri Belishovës, lutja e të atit për Jakomonin: E dua fashiste!”

  1. Bureto says:

    Nuk ndesha askund qe te kishte perputhje ne leter me ate te titullit. Nje leter normale nga nje prind, kur dihej se atehere shteti ishte Italia. Ne ishim njehsuar dhe ishim nje Mbreteri me mbret jakomonin. Zoti Kamber Belishova i drejtohet mekembesit te tij ne Shqiperi, sigurisht si kurdohere ne keto raste duke i bere elozhe vete regjimit dhe ideologjise qe ai perfaqesonte. Po te deformosh brendesine, sikur ai paska thene se e dua vajzen fashiste, kjo sikur nuk shkon. Sepse ishte pikerisht titulli qe me beri ta lexoj shkrimin, ne te kundert nuk do ta kisha lexuar. Kur perdoren te tilla skoope, mos valle ky eshte qellimi, qe ta fusin lexuesin ne ‘kurth’?!

    1. Arjan says:

      Ndajme te njejtin mendim bashke. Nuk eshte hera e pare qe keta vendosin tituj te tille per te hedhur lexuesin ne kurth. Por me sa duket gazetari do jete ndonje injorant dhe i paditur, dhe redaktoret do jene ca te paafte qe nuk e kane idene se kush eshte Liri Belishova. Per personazhe te tille nuk ka nevoje te vendosesh tituj kurthi. Gjasme beni gazetari moderne. Po nuk kane faj dhe keta te Temes se ne kete llum jetojne, e po jetove ne balte do apo nuk do do behesh pis. Qe te jesh gazetar sot e aq me teper redaktor duhet te jesh universal ne njohuri e mbi te gjitha te studiosh cdo dite. Keta jane kuje fare…Respekte..

  2. Shenjestra says:

    Paska patur te drejt Enver Hoxha qe e perjashtoi nga byroja politike.Ajo dhe i jati saj paskan qene me ide fashiste.

    1. Homeri Shqyptar says:

      Veçse si do t’ja bente me Nexhmijen qe e ruante me fanatizem teseren fashiste deri ne vdekje?..problem vertet qe ideologjite perplaseshin ne nje vend te trete pasi dulla mbante ate te dhene nga Popoviç Mugosha

  3. lato says:

    fjalia:kthimin ne folene e ditunise dhe edukates fashiste,,eshte bere:e dua fashiste.
    Po gjithe kerkesat tona per shkolle,strehim,televizor,lavatrice,kategore,nuk fillonin:Jam bir i partise,edukuar nga Partia me edukate komuniste?
    Ja ke fut pordhes o artikullaxhi!

  4. Nuk kishte Grua me inteligjente e te guxumeshme jo ne Shqiperi ,
    por ne Ballkan si Liri Belishova .
    Nji Femer qe sfidonte kohen vet ,
    Sfidonte edhe vet Udheheqsit prandaj e denigruan si figure .
    Nuk dini se si te perballeni me Historine media ordinere .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje