Bilushi i Metës shpjegon fushatën e Metës për dhurim gjaku

8 Shkurt 2021, 20:02Antena TEMA

Ditët e fundit presidenti Meta, pasi ka mbaruar angazhimet e tij me dekorime në kuadër të fushatës elektorale, ka nisur një fushatë për dhurim gjaku në gjithë Shqipërinë.

Për këtë, ka marrë me radhë komunitetet  fetare dhe institucione të tjera, të cilat i nxit të dhurojnë gjak.

Zgjidhja është shumë inteligjente.

Dy muaj para zgjedhjeve, sipas studimeve shkencore, gjaku i marrë nga pacientët mund të natyralizohet dhe ndikon në bindjet e atij që e merr nga dhuruesi.

Kështu, LSI ka krijuar një skuadër dhuruesish dhe po tenton të dhurojë gjak tek njerëz të lëkundur, të cilët pasi marrin gjak nga dhuruesit e LSI, bëhen me LSI-në.

Shenjat e para u dukën në Tiranë.

Sapo Meta dhuroi gjak në një lagje, pas një jave marrësi i gjakut filloi të thërrasë: “Rroftë Nora Malaj, LSI do fitojë”.

Kjo e nxiti Metën që aksionin ta shtrijë dhe në zona të tjera.

Fjala vjen, në zonën e Tiranës së Re ku kandidon Tit Vasili, dy persona që kanë marrë gjak nga LSI, kanë filluar shëtisin në lagje çdo ditë dhe shpërndajnë fara luledielli falas.

Kjo tregon se ata ju bashkangjiten iniciativës së LSI-së.

Një efekt më i fortë është parë në Fier, ku njerëzit që kanë marrë gjak nga Monika, dalin rrugëve pa maska dhe këshillojnë njerëzit si ta luftojnë Covid me hudhra dhe meze.

Pas vizitës së fundit në Korçë, ku presidenti takoi dhe krerët e Kishës Ortodokse, një besimtar ortodoks që kishte marr gjak nga LSI, hyri me mandolinë në Katedrale dhe filloi të këndojë këngën për Baba Tomorin.

Kjo shkaktoi paksa alarm, por pasi u konstatua se kishte marrë gjak nga LSI, situata u normalizua.

Po shikohet mundësia që me reagimet e këtyre që kanë marrë gjak nga LSI, të bëhen disa video spontane si ato të Lul Bashës dhe të përdoren para zgjedhjeve si motivim për zgjedhësit.

2 komente në “Bilushi i Metës shpjegon fushatën e Metës për dhurim gjaku”

  1. Mero , mire do beni te lajmeroni ARGJENDARITE , per kete fushate !

    1. chris says:

      HAhahaha! Mshifni florinjt!! Se qeka perhap gjaku i Likes!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje