Maqedonia e Veriut nënshkroi të hënën kontratën për furnizim me 200 mijë vaksina kineze kundër koronavirusit nga prodhuesi Sinofarm.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, por nuk u dha ndonjë datë e saktë për mbërritjen e vaksinave.
Nga Ministria e Shëndetësisë shpresojnë se vaksinat mund të arrijnë gjatë muajit shkurt.
Detajet më specifike të marrëveshjes mbeten konfidenciale, sepse, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, një gjë e tillë është në përputhje me politikën globale të të gjitha kompanive të vaksinave, përfshirë Sinofarm.
“Vaksinimi për COVID-19 [sëmundjen që e shkakton koronavirusi] do të luajë një rol kryesor në zvogëlimin e efekteve të dëmshme në shëndetin e popullatës dhe shoqërisë në përgjithësi, duke forcuar imunitetin kolektiv gjatë pandemisë. Imunizimi është një armë e fuqishme në luftën kundër koronavirusit, por, përkundër kësaj, masat shëndetësore për mbrojtjen personale duhet të vazhdojnë të respektohen”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë në Shkup.
Personat që kanë kaluar sëmundjen COVID-19, nëse dëshirojnë të vaksinohen, do të mund ta bëjnë këtë vetëm në konsultim me mjekun specialist, tha Ministria e Shëndetësisë.
Sipas Sistemit Kombëtar të Imunizimit kundër COVID-19, në fazën e parë do të vaksinohen punonjësit shëndetësorë, të angazhuar me pacientë me këtë sëmundje, si dhe personat mbi 70 vjeç.
Në fazën e dytë do të vaksinohen punëtorët me rrezik më të ulët, punonjësit në institucione vitale, personat mbi 65 vjeç dhe më të rinjtë nëse kanë sëmundje shoqëruese, ndërsa në fazën e tretë të gjithë ata që duan do të vaksinohen.
Maqedonia e Veriut, deri të hënën, ka diagnostikuar 94,798 persona me COVID-19, prej të cilëve 83,999 janë shëruar, 2,924 kanë humbur jetën, ndërsa 7,875 janë ende raste aktive.
Dhe ne na del problem nga injoranca Maqedonase me Greqin që gjoja po ndryshoj emrin do antarsohet në BE, dhe po njohu origjinën Bullgare do antarsohet në hënë. Por haron se këta dy shtete janë dhe në NATO, ku po të kishte vlerë veto e tyre sot s’do ishte dhe aty.