Covid-19 i ka marrë jetën mësuesit të matematikës së gjimnazit “Qemal Stafa” në Tiranë, Shpëtim Kraja. Lajmin e trishtë e ka ndarë gjimnazi në faqen zyrtarë të ‘Facebook’. Kolegët e mësuesit, si dhe nxënësit e tij kanë shprehur ngushëllime për këtë humbje të madhe.
‘Sot gjimnazi “Qemal Stafa” rënkon, është në zi për ndarjen e parakohshme nga jeta të kolegut tonë të mrekullueshëm, të cilin COVID nuk e kurseu!’– shkruhet në postimin.
Kraja ishte me origjinë nga Shkodra dhe përpos profesionit të profesorit të matematikës të cilën e ushtroi për vite me radhë, kishte pasion dhe pikturën të cilën e praktikonte në kohë të lirë.
Postimi i gjimnazit:
Të prisnim mes nesh i nderuari profesor Shpëtim Kraja! Të dashur kolegë, nxënës, prindër e miq të faqes sot gjimnazi “Qemal Stafa” rënkon, është në zi për ndarjen e parakohshme nga jeta të kolegut tonë të mrekullueshëm, të cilin COVID nuk e kurseu!
Një mësues i nderuar, i respektuar, i papërtuar i cili nuk ndaloi asnjëherë së dhëni më të mirën nga vetja, breza e breza të tërë do të kujtojnë me mall mundin, djersën, sakrificat, këshillat dhe dëshirën e pasionin për matematikën!
Sot e nesër në faqen e shkollës sonë do të paraqesim momente nga jeta e tij, impresione nga kolegë, nxënës e prindër si një mënyrë për të kujtuar në çdo moment se sa i rrallë e i veçantë ishte sistemi i tij vleror!
U prehsh në paqe, kolegu ynë i dashur!
Qemal Stafa sot lëngon, loton për humbjen e një kolegu, miku, shoku, bashkëpunëtori të shkëlqyer!
R.I.P