Dhoma Amerikane e Tregtisë e konsideron moment historik ardhjen e investitorëve të mëdhenj amerikanë në Shqipëri: njëri për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës dhe tjetri për të operuar TEC-in e Vlorës, por presidenti i kësaj Dhome kërkon nga ana administratës tatimore luftë ndaj informalitetit, e cila do të vendoste barazi dhe eliminim të konkurrencës së pandershme:
“Ne mendojmë se kjo është një situatë që duhet adresuar jo vetëm me fushata por një ndryshim rrënjësor të sistemit i cili do inkurajonte bizneset të cilët nuk kanë sot motivimin e duhur që të formalizohen.”
Luftën ndaj informalitetit, Drejtoria e Tatimeve e sheh të realizuar me implementimin e fiskalizimit, që është hedhja në kohë reale në sistem të shitjeve të çdo biznesi:
“Angazhimet për monitorimin dhe deklarimin e llogarive të biznesit të ndërthurura edhe me nismën e fiskalizimit këtë vit, do të arrijnë që të ndryshojnë qasjen e tonë, por dhe rezultatet në luftën kundër informalitetit.”
Bizneset amerikane kërkojnë që t’u jepet fund vonesave me rimbursimin e TVSH-së, madje propozuan që të aplikohen kamata për administratën tatimore:
“Ose zgjatini afatet dhe thoni për 60 ditë dhe jo 30 ditë, ose vendosni sistem kamate, sepse vonesat e rimbursimit të TVSH-së vazhdojnë.”
“Ne do të bëjmë aplikimet online dhe do të gjurmojmë nga sistemi vonesat.”
Investitorët e huaj kërkuan që ligjet fiskale të mos ndryshojë në mënyrë kaq të shpeshtë, ndërsa sistemet tatimore të modernizohen dhe të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare.