Ndeshja kualifikese më Anglinë në 28 mars për Kombëtaren shqiptare shënjon fillimin e kualifikueseve për Botërorin Katar 2022. Dueli që do zhvillohet në “Air Albania Stadium” duke nisur nga ora 18:00, është kërkuar nga FSHF që të luhet me tifozë.
Në lidhje me këtë dëshirë në kohë Covidi, FSHF pak ditë më parë shkroi një letër zyrtare për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Qeverinë shqiptare, që të merreshin parasysh kushtet e stadiumit dhe hapjen e tij për 30 përqind të kapacitetit, në përmbushje të të gjithë protokolleve për sigurinë shëndetësore.
Deri tani, Qeveria dhe Dikasteri i drejtuar nga Ogerta Manastirliu ka lënë “thatë” organizmin e futbollit, duke mos kthyer asnjë përgjigje, qoftë edhe refuzuese.
Teksa na ndajnë më pak se dy javë nga dueli me Anglinë që luhet në Tiranë, kërkesa e FSHF-së për hapjen e 30 përqind të stadiumit që ka një kapacitet prej 22 mijë vendesh, nuk është marrë parasysh nga Ministria e Shëndetësisë.