Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në qarkun e Korçës, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi në një takim me banorët e fshatit Qatrom kërkoi mandatin e tretë qeverisës si besim për të vijuar punët e nisura që do ta çojnë Shqipërinë drejt standardeve europiane.
Gjatë fjalës së tij drejtuar banorëve Peleshi u shpreh besimplotë edhe për vaksinimin masiv të popullatës.
“Kam shumë shpresë se fjala që ka thënë kryeministri për vaksinimin masiv do të bëhet realitet. Një sasi shumë e madhe vaksinash pritet në gjithë vendin, në qytet dhe në fshat.
Jemi në kërkim të një mandati të tretë, ky mandat i tretë nuk është thjesht një mandat për të na mbajtur në pushtet por që punët e nisura të ecin.
E dimë se duhet akoma shumë punë për të thënë se familja fermere në fshat ka të ardhura të mjaftueshme, të krahasueshme me familjet fermere në vendet më të zhvilluara, jemi larg atij standardi por jemi drejt atij standardi.
Ndaj nuk duam që kjo rrugë e filluar të ndërpritet, dhe të bëjmë eksperimente të tjera politike.
Ne e kemi mundësinë të premtojmë me këmbë në tokë që paga minimale nga 300 mijë të shkojë 400 mijë, e kemi mundësinë që biznesit të vogël t’ia bëjmë taksën 0 deri në 140 milion lekë në vit, siç është bërë.
E kemi mundësinë ta mbajmë me këmbë në tokë premtimin për 0 taksë mbi të ardhurat personale për rrogat deri në 400 mijë lekë.
Ne flasim në emër të zgjidhjes, flasim me llogari të bëra. U përballëm me tragjedi të mëdha dhe fal mbështetjes së aleatëve dhe aftësisë së kryeministrit po i kalojmë ato pa shumë kosto”, theksoi Niko Peleshi.
Nga ana tjetër Peleshi prezantoi listën e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 25 prillit në qarkun e Korçës duke kërkuar mbështetjen për pjestarët e saj.
“Lista jone është e përbërë nga një përfaqësim i drejtë dhe i barabartë.
Nuk kemi lënë pa përfaqësuar asnjë krahinë, asnjë komunitet, asnjë ndjeshmëri.
Kemi një listë nga më të mirat.”-përfundoi fjalën e tij drejtuesi politik i qarkut të Korçës.