Një italian në Tepelenë, viti 1941

27 Mars 2021, 11:16Dossier TEMA

Gianni Granzotto (1914-1985) ka qenë një gazetar i famshëm italian.

Në vitet 1950-të ai punoi si korrespondent i televizionit italian RAI nga New Yorku.

Pastaj shkroi për gazeta e revista italiane, ndërsa më 1976 u emërua president i ANSA, agjencia italiane e lajmeve.

Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, Gianni Granzotto u dërgua në jug të Shqipërisë si pjesë e forcave ushtarake italiane që po përpiqeshin të depërtonin në Greqi.

Gjatë asaj kohe ai mbajti shënime në një bllok.

Vite më vonë bllokun që e mendonte të humbur e gjeti në arkën e tij ushtarake.

Bazuar në këto shënime Granzotto shkroi librin «Vjosa ime e dashur» (Vojussa, mia cara), një dokument i rëndësishëm mbi luftën italo-greke që u zhvillua në jug të Shqipërisë dhe ku u vranë mijëra ushtarë të të dy palëve.

Kjo luftë i ka shërbyer Ismail Kadaresë si burim për të shkruar romanin «Gjenerali i ushtrisë së vdekur».

Në vijim një pjesë nga ditari i Gianni Granzottos (përkthyer në shqip nga Liri Lubonja):

“Para dy ditësh, nëpërmjet monopatit të Tepelenës erdha shëndoshë e mirë pasi kalova me vrap nën sytë e grekëve copëzën e urës romake.

Sot më takoi të varros një ushtar, i cili u qëllua tamam në atë pikë nga shpërthimi i një granate, ndërsa kalonte mbrëmë me shokë të tjerë në shërbim furnizimi.

Kapiten Altieri dërgoi të më thërrisnin.

Më caktoi një skuadër këmbësorësh për transportimin e kufomës dhe për nderimet: «Vish uniformën më të mirë që ke, – më urdhëroi – të vdekurit duhen respektuar!»

Me rripin e helmetës nën mjekër dhe me fashën e kaltër, udhëhoqa korteun e vogël deri në një kopsht të mbrojtur, pas një muri të një shtëpie të rrënuar.

Katër ushtarë me kazma e lopata hapën gropën.

Dy të tjerë mbanin thesin prej pëlhure të ashpër ngjyrë ndryshku, brenda të cilit ishte i vdekuri: pak i mbledhur, me gjunjët që formonin një gungë nën pëlhurë.

Përpara se ta zbrisnim në varr, zgjidha grykën e thesit dhe vura brenda një shishe bosh, ku kisha futur copën e letrës në të cilën ishte shkruar emri i tij: Këmbësori Umberto Pati, 23-vjeç, i regjimentit nr. 37 të Divizionit të Modenës.

Gropa u mbulua me baltën e nxjerrë, të kuqe, të lagësht. Rreshtova skuadrën për nder armë. Unë nderova me dorën në helmetë.

Qëndrova pa lëvizur disa çaste duke vështruar i përqendruar atë tokë gjak të kuqe, të porsahapur. (…)

Umberto Pati mbeti aty i vetëm. Ne ikëm në rresht, me këpucët me qafa që krikëllinin në rrugën e gurtë”. (E.Robelli)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje