“Dola për gjah, por ma vodhën armën”, kujtohet pas 6 vitesh për të denoncuar

31 Mars 2021, 17:31Kronika TEMA

Një telefonatë e policëve të rendit që i kërkuan të paraqitet në drejtori dhe të rifreskojë lejen e çiftes, ia ka sjellë mendjen në vend një shtetasi në Tiranë.

Ndonëse për vite me radhë që prej 2014 kishte harruar që të çapitej drejt policisë dhe të tregonte se në çfarë rrethanash i kishte humbur çiftja, ai u kujtua se duhet ta bënte këtë gjë pas apelit policor.

Ky episod për humbjen e çiftes u investigua nga agjenti I. E. që radhit qëndrimin e 60-vjeçarit me inicialet L. P.

I moshuari sipas burimeve policore e kujton mirë se ia vodhën armën e gjahut, por që për një kohë të gjatë dhe jo një ditë e dy, por disa vite me radhë ai harroi krejtësisht të denonconte derisa kujtesa i erdhi nga policia.

“Mbi dhjetë vjet më parë u pajisa me leje për armë gjahu tip shotgun për të cilën u pajisa me leje nga komisariati juaj. Në vitin 2014, nuk më kujtohet mirë, nëse ishte korrik apo qershor shkuam së bashku me tre kolegët e mi për gjueti në malin e gjerë në Gjirokastër.

Atë ditë e kaluam në atë zonë, pasi kishim marrë ushqime me vete dhe hëngrëm drekën dhe konsumuam alkool. Pastaj na zuri gjumi”, rrëfen 60-vjeçari nga Tirana.

Pikërisht duket se këtë moment ku gjuetarët flinin për terezinë e tyre dikush e ka shfrytëzuar dhe u ka vjedhur armën, së paku kështu pretendon L. P.

“Të nesërmen kur jemi zgjuar dhe do niseshim për në Tiranë unë konstatova se armën që e kisha me vete, ma kishin vjedhur gjatë kohës që isha në gjumë. Bashkë me armën kam pasur me vete edhe dokumentet e armës së gjahut”, vijon më tej para agjentëve gjahtari, që doli vetëm një herë për gjah në jetën e tij, por s’pati fat të gjuante ndonjë kafshë. Krahas këtij fati të keq atij ju shtuan dozat e tersit edhe me humbjen e armës.

Denoncuesi thekson në polici sipas burimeve të gazetës Si se nuk u paraqit në policinë e Gjirokastrës për të treguar këtë ngjarje, sepse kishte vendosur që denoncimin ta depozitonte në kryeqytet. Kjo konsiderohet nga L. P si një tipar neglizhence e tij.

“Por mbasi erdha në Tiranë, unë u ktheva në punë dhe e neglizhova fare pjesën e armës, pasi nuk jam qejfli gjuetie që të kujtohesha sërish për të. Sqaroj se ishte hera e parë që shkoja për gjueti dhe nuk kam shkuar herë tjetër”, këmbëngul shtetasi L. P, i cili me siguri është gjuetari më i çuditshëm që ndonëse kishte marrë leje arme e humbi atë dhe u kujtua më tepër se 6 vite me vonesë që ia kishin vjedhur. Se si do ia gjejë policia armën dhe si do ta zbardhë të vërtetën mbetet për t’u parë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje