Spektakël në Superiore, Partizani merr kreun që e ndan me pikë të barabarta me Vllazninë që kishte mposhtur skuadrën e Skënderbeut. “Demat” e kuq nuk e falën Kukësin, që tashmë duhet të mendojë për sezonin e ardhshëm pas humbjes së sotme me rezultatin 4-0.
Një duel i vendosur që në pjesën e parë, kur Jasir Asani fillimisht me një goditje dënimi dhe më pas Eral Çinari ndëshkuan portierin Tafas. Partizani ishte i vendosur të fitonte dhe në dy ndeshjet e fundit sulmi ka shkëlqyer.
Në listën e shënuesve e ka shkruar emrin edhe Stenio Junior sërish, i cili ka shfrytëzuar një gabim të Kurdic dhe ka realizuar për Partizanin. Deri në fund pati kohë edhe për një gol tjetër, këtë herë me autor Esat Malën, që plotësoi “pokerin”.
Në “Niko Dovana” Teuta është dorëzuar para Tiranës dhe ka zbritur në vendin e tretë në klasifikim. Bardheblutë triumfuan me rezultatin e pastër 2-0 dhe i afrohen Laçit të vendit të katërt me tre pikë, duke shpresuar për një vend në kupat e Europës.
Durrsakët nuk bënë një ndeshje të mirë, përballë një Tirane kërkuese dhe më konkrete. Ky duel u vendos nga dy ish-lojtarë të Teutës. Idriz Batha shtangu portierin Frashëri me një goditje dënimi, kurse më pas Hoxhallari i vuri vulën me një tjetër goditje fantastike fluturimthi.