Veliaj me ekipin fitues të Njësisë 10: Po përgatitemi për fitore, numëruesit të vijojnë punën për të pasur rezultat sa më të shpejtë

26 Prill 2021, 09:49Politika TEMA

Erion Veliaj nga selia e Partisë Socialiste festoi rezultatin e lartë të Njësisë 10 në kryeqytet.

Veliaj u shfaq me ekipin e PS-së së kësaj Njësie, teksa në krye të fjalës i shprehu mirënjohjen dhe falënderimin Fatmir Xhafajt, deputetit që përfaqëson këtë zonë i cili megjithëse me një numër jo favorizues në listën e PS, mundi të mposhtë kundërshtarët politik.

“Dua të falenderoj të gjithë ata që është rezultati i jonë i parë zyrtar në Njësinë 10. Një falenderim i veçantë Fatmir Xhafajt dhe frymëzimit që ai dha për ekipin dhe punës me dedikim. Dua të ndaj disa konkluzione. Kemi pasur një natë të gjatë dhe dua të ofroj kolegët e medias për të gjithë angazhimin. Sot gjatë ditës do të kemi fitore të ngjashme, po përgatitemi për fitore në 42 njësitë e Tiranës. Dua të ftoj të gjithë ata që janë përfshirë në procesin e numërimit ti shkojnë deri në fund. Jam me mendimin e opozitarëve që votat duhet të numërohen.

Kërkoj kortezi edhe për numëruesit e palës tjetër, sa më shpejt të mbyllet ky proces aq më shpejt ne do të përveshim mëngët dhe ti rikthehemi punëve të mira. Për ata që votuan masivisht, në Njësinë 10, i falenderoj nga zemra që zgjodhën të na jepnin një mandat të fortë për Njësinë 10. Për ata që nuk na votuan them që do i shërbejmë me respekt dhe do të jemi aty për ta, pavarësisht bindjeve dhe votës tuaj.

Jemi këtu për ta administruar këtë fitore me përulësi. Duke filluar nga ata që shërbejnë në njësinë vendore, ka ardhur koha t’i shtrijmë dorën atyre që janë përballë, ata nuk janë armiqtë tanë, janë shqiptarë me bindje ndryshe nga e jona. Ne të gjithë jemi një. Mezi pres që nga mbyllja e kësaj fushate për të pasur votat dhe mandatin për të qeverisur do të doja të nisnim një tjetër fushatë. Shumë faleminderit të gjithëve!”, u shpreh Veliaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje