Shtyhet deri në 30 qershor deklarimi i të ardhurave!

6 Maj 2021, 09:37Sociale TEMA

Të gjithë individët me të ardhura mbi dy milionë lekë, dhe të dypunësuarit, pavarësisht nga niveli i pagave, kanë edhe dy muaj kohë që të bëjnë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) dhe pagesën shtesë (nëse kanë).

Këshilli i Ministrave ka miratuar një akt normativ për një shtesë në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, në bazë të së cilit, “dorëzimi i deklaratës vjetore individuale të të ardhurave të vitit 2020 në administratën tatimore dhe pagesa e detyrimit, nëse rezulton, bëhet jo më vonë se data 30 qershor 2021. Sanksionet administrative që mund të aplikohen në bazë të nenit 13/9 falen, me kusht që dorëzimi i deklaratës dhe pagesa e detyrimit të kryhen deri në datën 30 qershor 2021.”

Individët rezidentë në Republikën e Shqipërisë, të cilët gjatë vitit 2020 kanë realizuar të ardhura, nga të gjitha burimet, brenda dhe jashtë Shqipërisë, në shumën 2,000,000 (dy milionë) lekë e më tepër, kishin afat të fundit datën 30 Prill 2021 për dorëzimin në mënyrë elektronike, nëpërmjet sistemit e-filing, të Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) për vitin 2020.

Sipas burimeve nga financat, ky vendim për shtyrjen erdhi pasi pati shqetësime nga ana e qytetarëve për paqartësi për mënyrën e deklarimit.

Këtë vit, për herë të parë kishin detyrim për të deklaruar të ardhurat e 2020-s edhe të dy punësuarit, pavarësisht nga niveli i të ardhurave, pas një ndryshimi ligjor, në bazë të së cilit paga, ndonëse është marrë në dy apo më shumë vende pune, do të llogaritet si një e vetme dhe do të tatohet si e tillë dhe individi do të jetë i detyruar që të paguajë diferencën shtesë që del nga rillogaritja.

1 komente në “Shtyhet deri në 30 qershor deklarimi i të ardhurave!”

  1. Çun QYTETI says:

    O redaksia, lutem, na sqaroni vetëm një moment.
    Bëhet fjalë për dy milion lekë, të reja apo të vjetra ?
    U bënë 57 vjet që ka nderruar vlera e lekut në Shqipëri, ( qysh nga 1964 ) dhe perseri, duke filluar nga Kryeministri, mediat e tatëpjetë, vazhdojnë e flasin me gjuhën e lekëve të vjetra !
    Lutem na e bëni një sqarim në ndonjë shkrim për më tutje….
    ???

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje