AMF: Tregu i sigurimeve përmirësoi treguesit e mbulimit me rezerva gjatë vitit 2020

14 Maj 2021, 09:45Ekonomia TEMA

Shoqëritë e sigurimit gjatë vitit 2020 kanë rritur treguesit e mbulimit me rezerva për të shlyer në kohë detyrimet. Sipas informacioneve të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare të depozituara në Kuvend si pjesë e raportimit vjetor, treguesi i aktiveve në mbulim të provigjoneve për prime dhe pagesë dëmesh ka shënuar rritje për të dy segmentet e tregut të sigurimeve.

Ky tregues pasqyron sesa janë të mbuluara provigjonet (rezervat) me aktive cilësore dhe të përshtatshme, që bëjnë të mundur shlyerjen ose mbulimin e detyrimeve në kohë dhe pa vonesa.

Për tregun e Jo-Jetës, treguesi i aktiveve në mbulim të rezervave është rritur, nga 121.2% në vitin 2019 në 131.6% në vitin 2020. Ndërsa për tregun e Jetës, ky tregues është rritur nga 120.8% në vitin 2019 në 130.2% në fund të vitit 2020.

Gjithashtu, përmirësim ka patur edhe në raportin provigjone/prime në nivel tregu, i cili shpreh rezervat e tregut për pagesën e dëmeve në raport me përgjegjësitë që kanë marrë përsipër shoqëritë e sigurimit përmes primeve të nënshkruara.

Ky raport ka arritur në 126.4% në fundit të vitit 2020. Vlen të theksohet se ky tregues ishte në nivelet 97.1% në vitin 2018. Përmirësimi i treguesve të mbulimit me provigjone për shoqëritë e sigurimit u vu në dukje edhe në raportin e Bankës Botërore, të publikuar në muajin dhjetor të vitit të kaluar “Vlerësimi i financimit të dëmeve nga katastrofat”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje