Ankimimet zgjedhore, KAS vendos të hapë 24 kuti në Berat. Rrëzon kërkesat e PD-së

15 Maj 2021, 11:08Politika TEMA

Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) vendosi të hapë 24 kuti votimi të Qarkut Berat të ankimuara nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Hapja e kutive do të bëhet për të marrë në cilësinë e provës të materialeve zgjedhore si procesverbalet e votimit, raportin e pajisjes së identifikimit elektronik, regjistrin e zgjedhësve me nënshkrimet etj.

LSI ka kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve në këto qendra votimi e për rrjedhojë, pavlefshmërinë në të gjithë Qarkun e Beratit dhe përsëritjen e zgjedhjeve.

Krahas kësaj, me shumicë votash, anëtarët e KAS vendosën të rrëzojnë kërkesën e Partisë Demokratike për të marrë prova shtesë nga organe të tjera shtetërore si Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Hetimi për pretendimin e manipulimeve në Qarkun e Beratit do të përfshijë edhe kryqëzimin e të dhënave të pajisjes së identifikimit elektronik me listën e pjesëmarrëve në zgjedhje në Qarkun e Beratit nën argumentin e verifikimit të votimit të shumëfishtë apo votimit familjar.

Hapja e kutive të 24 qendrave të votit është parashikuar të bëhet ditën e hënë në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ivi Kaso, përfaqësuesi i Partisë Demokratike në KQZ, e ka quajtur të paligjshëm vendimin e KAS për të pranuar si prova vetëm disa nga materialet e dorëzuara nga ky subjekt politik.

Duke folur për gazetarët pas mbledhjes, Kaso tha se “KAS e ka detyrim ligjor që t’i vërë në dispozicion palëve garuese në zgjedhje prova që ata vetë nuk kanë mundur t’i sigurojnë”.

“PD i është drejtuar institucioneve për t’i kërkuar këto prova, por provat nuk janë vënë në dispozicion dhe nuk besoj se do i vihen ndonjëherë në dispozicion opozitës. Detyrimi është i qartë që provat t’i vihen në dispozicion procesit ankimor dhe sa kohë këto prova nuk disponohen, procesi nuk mund të jetë i plotë, i qartë dhe çdo mosmarrëveshje zgjedhore nuk mund të zgjidhet në mënyrë të drejtë”, u shpreh Kaso.

“KQZ ka detyrimin të administrojë çdo që gjë që palët garuese në proces zgjedhor dhe ankimuese, nuk kanë patur mundësi ta sigurojnë dot vetë. Gjithçka që ka pretenduar PD-ja e ka të provuar dhe provat i ka të depozituara në KAS, një pjesë e të cilave janë bërë publike.

Ne kemi pretenduar që dimensioni i plotë i gjithçkaje që ka ndodhur do të publikohet dhe do të vijë në vëmendjen e publikut në tryezën e KQZ vetëm pasi të administrohet i gjithë dokumentacioni që ata refuzojnë që ta ndajnë me PD, mediat dhe aktorë të tretë”, shtoi Kaso.

2 komente në “Ankimimet zgjedhore, KAS vendos të hapë 24 kuti në Berat. Rrëzon kërkesat e PD-së”

  1. Per dalje nuk te rıshıkımıt te ketyre 24 kutıve kush do te pergjıgjet me sıgurı LSI se bashku me Monen,

  2. paloka says:

    Keto te PD jane budallenj apo si eshte puna. Edhe ankohen se kane prova dhe kerkojne qe keta prova t’jua sjellin institucionet!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje