Pasaportat e vaksinave: Si mund ta fitojë BE raundin tjetër të diplomacisë së Covid-19

21 Maj 2021, 16:46Bota TEMA

Nga Joanna Hosa, Tefta Kelmendi&Nicu Popescu, European Council on Foreign Relations

Në ditët e para të pandemisë, vendet anëtare të Bashkimit Evropian që u goditën më rëndë grumbulluan maska dhe pajisje të tjera mbrojtëse për vete, ​​ndërsa Kina dhe Rusia treguan gjeste të mëdha të bujarisë, duke u dërguar ngarkesa me pajisje mjekësore vendeve që janë miqësore me ta, përfshirë disa brenda BE-së.

Në kundërpërgjigje, BE u përpoq që ta rifitonte fuqinë e butë duke njoftuar shpërndarjen e 20 miliardë eurove ndihmë ekonomike përmes nismës së saj TEAM Europe. Edhe pse të mirëpritura dhe shumë të rëndësishme, këto transferta të padukshme bankare ishin shumë më pak të dukshme për sytë e opinionit publik sesa avionët e aeroplanët e mëdhenj të Kinës dhe Rusisë që zbarkonin në aeroportet e vendeve të ndryshme të botës.

Ndërkohë,BE po i siguron mbështetje shumë vendeve përmes skemës së COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Por pak njerëz e konsiderojnë këtë si një përpjekje të BE-së. Pas diplomacisë së maskave, erdhi diplomacia e vaksinave.

Ndërsa BE po përpiqej të niste vaksinimin në masë, Izraeli, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, madje dhe Serbia e tejkaluan atë në garën për të vaksinuar njerëzit. Rusia dhe Kina, i dhanë prioritet dërgimit të vaksinave të tyre jashtë vendit.

E kritikuar në fillim për grumbullimin e vaksinave vetëm për vete, SHBA njoftoi vitin e kaluar planet për të eksportuar 60 milionë nga vaksinat e saj tek vendet më në nevojë, në kuadër të mbështetjes së saj për COVAX. Ndërkohë, Uashingtoni ka mbështetur anulimin e përkohshëm të së drejtës së pronës intelektuale mbi vaksinat anti-Covid, ndërsa udhëheqësit e BE-së e kanë kundërshtuar një ide të tillë.

Me gjithë pikëpyetjet e rëndësishme mbi efektivitetin e vaksinave,Kina ka shitur dhe ia ka dhuruar vaksinat e saj shumë vendeve. Ndërkohë,Rusia ka bërë shumë më tepër për të promovuar Sputnik në skenën ndërkombëtare sesa për të vaksinuar popullatën e saj.

Ajo ka vaksinuar vetëm 9 për qind të qytetarëve të saj, krahasuar me 28 për qind në Bashkimin Evropian, edhe pse Moska e promovon veten si një vend që e ka menaxhuar më mirë se të tjerët Covid-19.

Ka disa shembuj të izoluar të vendeve anëtare të BE-së, që janë më aktive në ofrimin e vaksinave për vendet jo anëtare të BE-së. Ndërkohë, vetë BE-ja dorëzoi kohët e fundit sasitë e para të vaksinave të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, si një shtesë në skemën COVAX.

Gjithsesi, në tërësi Brukseli ka qenë më pak i pranishëm sesa fuqitë e tjera në hartën e diplomacisë së vaksinave. Dhe kjo mungesë mund të çojë në tensione me fqinjët e BE-së, sidomos tani pas planeve më të fundit të BE-së për të futur në përdorim “pasaportat e vaksinave”.

Në përpjekje për të rikthyer lirinë e lëvizjes dhe për të ndihmuar rimëkëmbjen e ekonomisë, Komisioni Evropian zbuloi në mars planin e tij për të prezantuar Certifikatat Dixhitale të Gjelbra. Cilido që është vaksinuar; dhe ka një rezultat negativ të testit; apo që është shëruar nga Covid-19 do të jetë në gjendje të tregojë statusin e tij duke përdorur një aplikacion në smartfonin e tij kur udhëton jashtë vendit, ose kur angazhohet në aktivitete sociale në kohën e lirë në vendin e tij.

Këto plane do të zbatohen për shtetasit e BE-së si dhe shtetasit e huaj që banojnë në BE. Ndërkohë, skema merr në konsideratë vetëm vaksinat e autorizuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA):Pfizer/BioNTech, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson.

Një debat i madh po zhvillohet rreth rreziqeve që paraqesin certifikata të tilla për privatësinë dhe barazinë e qytetarëve të BE-së. Por shumë më pak i kuptuar është ndikimi që mund të ketë Certifikata e Gjelbër Dixhitale mbi imazhin e BE-së në të gjithë botën, sidomos në vendet fqinje me BE-në.

Dhe këtu ekzistojnë dy rreziqe. Së pari, vendet fqinje me BE-në kanë nisur tashmë lëshimin e çertifikatave të tyre të vaksinës. Por çështja është nëse BE-ja do t’i pranojë ato si një dokument të vlefshëm që lejon udhëtimin në vendet e unionit.

Nëse përgjigjja është ‘Jo’, miliona njerëz të vaksinuar në Ballkanin Perëndimor, Rusi dhe vendet lindore mund të përballen me kufizime të mëtejshme për hyrjen në BE. Ndërkohë, është aktualisht e paqartë se si BE-ja dhe vendet anëtare mund të shmangin përdorimin e certifikatave të falsifikuara.

Dilema e dytë është se çfarë do të bëhet me ata qytetarë të Shqipërisë, Serbisë, Turqisë, Rusisë dhe Ukrainës,që janë vaksinuar me vaksinat ruse apo kineze. Të ballafaquar me mungesën e vaksinave perëndimore, këto vende kanë kërkuar vaksina diku tjetër.

Në këtë kontekst, Certifikatat e Gjelbra Dixhitale që njohin vetëm vaksinat perëndimore rrezikojnë të diskriminojnë shqiptarë e vaksinuar me Sputnik,në krahasim me shqiptarët e vaksinuar me vaksinën Pfizer. Një rezultat i tillë rrezikon kriza diplomatike, të cilat nuk kanë gjasa të përmirësojnë imazhin e BE-së në ato vende.

Po si mund të paraqitet më mirë BE në raundin tjetër të pashmangshëm të diplomacisë së Covid-19?Së pari, BE duhet të marrë në konsideratë zhvillimin e një politike afatgjatë për t’i ndihmuar fqinjët e saj, sidomos duke pasur parasysh faktin që vaksinimi periodik kundër Covid i popullatave lokale mund të jetë i nevojshëm edhe për disa vite.

Kjo politikë mund të quhet EUROVAX, dhe duhet të përfshijë dhurimet e rregullta të vaksinave për fqinjët, si dhe sigurimin e ndihmës teknike për t’i ndihmuar këto vende të nisin fushatat e vaksinimit masiv. Së dyti, BE duhet të nisë të bisedojë me fqinjët e saj se si t’i bëjnë certifikatat e vaksinave të pajtueshme më njëra-tjetrën.

Po kështu, Brukseli duhet të punojë në një mekanizëm paralel për zbutjen e kufizimeve të udhëtimit për qytetarët nga vendet fqinje, që kanë marrë vaksina kineze ose ruse. Me përfshirjen e EMA, BE mund të pranojë udhëtarët e vaksinuar me vaksina jo të aprovuara nga EMA, ose të paktën të analizojë se cilat vaksina  të paaprovuara nga EMA janë mjaftueshëm  të mira për t’i lejuar shtetasit që nuk i përkasin BE-së që të udhëtojnë në union për turizëm apo qëllime biznesi.

Tek e fundit, disa vaksina janë problematike për shkak të efekteve të tyre anësore, dhe jo sepse ato janë joefektive kundër Covid-19. Pandemia ka një ndikim të madh mbi imazhin e vendeve të mëdha dhe të vogla. Kina, Rusia, SHBA, dhe lojtarët më të vegjël si Serbia, Rumania dhe Izraeli, kanë gjetur mënyra për të forcuar pozitat e tyre ndërkombëtare, ose duke furnizuar vendet e tjera me vaksina, ose duke bërë një punë të mirë brenda vendit, apo të dyja bashkë.

Mënyra se si BE-ja do të merret me çështjen e Certifikatës së saj të Gjelbër Dixhitale, dhe se si do të përgatitet për periudhat e ardhshme të diplomacisë së vaksinave, do të ketë një ndikim të madh tek imazhi i unionit në vitet që do të vijnë. /Përktheu: Alket Goce-abc

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje