Eli Fara dhe... Adem Jashari në Amerikë

24 Maj 2021, 08:52Politika TEMA

Nga Enver Robelli

Për aq sa dihet Adem Jashari nuk ka qenë kurrë në Amerikë. Por nga sot e tutje, sipas Top Channel-it nga Tirana dhe portaleve që e kanë përhapur “lajmin”, shikuesit e lexuesit shqiptarë duhet të besojnë se Adem Jashari ka qenë në Amerikë.

Ky është titulli i lajmit të Top Channel: “Rrëfehet Eli Fara: Adem Jashari më kërkoi elegjinë për Enver Hoxhën, por…”. Portalet e kanë qëndisur këtë titull: “Eli Fara rrëfen takimin me Adem Jasharin në Amerikë: Më kërkoi t’i këndoja elegjinë për Enver Hoxhën, por me një kusht…”.

Eli Fara nuk e jep asnjë dëshmi se e ka takuar Adem Jasharin në Amerikë. Ajo krejt historinë e tregon kështu: kam kënduar në një restorant në Amerikë, viti 1996, në rendin e parë ishte një person që më thanë se e adhuron muzikën time, pastaj unë pyeta kush ishte, më thanë “quhet Jashar”.

Dhe ky “Jashar”, të cilit Eli Fara nuk ia përmend emrin, i paskësh kërkuar këngëtares nga Korça të këndojë “elegjinë për Enver Oxhën” (Hoxhën).

Eli Fara thotë se këtë elegji (apo këngë) e ka kënduar më 1985 pas vdekjes (së Enver Hoxhës) dhe, sipas saj, ka qenë një këngë “shumë, shumë e bukur”. Kështu, me lehtësi, kthehet Enver Hoxha në studiot televizive shqiptare, jo si diktator, por si hero i këngës, vendit dhe kuvendit.

Në vitin 2021! Dhe për ta bërë më “atraktiv” diktatorin shpiket një “Jashar”, i cili nga mediat shndërrohet në Adem Jashar. Hajde tash një grumbull klikimesh, kush bëhet merak për verifikimin e lajmit. Mjafton që Eli Fara e ka thënë. Një lajm që tingëllon si i dalë nga perandoria e fantazisë.

Përralla e Eli Farës vazhdon: ajo thotë se nuk mund ta kuptonte këtë “Jasharin” që e pëlqente këngën për Enver Hoxhën, ndërsa kishte qenë në burg në kohën e “monizmit”. Nga ligjërimi i saj nuk merret vesh ku ka qenë në burg “Jashari” – në Shqipëri apo në Jugosllavi.

Thotë se “Jashari” i paskësh kërkuar ta këndojë këngën por ta heq atë strofën për Enver Hoxhën. Qe edhe një bonus nga përralla e Eli Farës që u bë lajm nacional: ajo tha se ky “Jashari” (pra, Adem Jashari) i paskësh thënë Eli Farës se: “Kam bërë shtatë aksidente dhe të shtatat i kam bërë me CD-në tënde në makinë”.

Paramendojeni Adem Jasharin duke e humbur kontrollin mbi veturë sepse e kanë entuziazmuar së tepërmi këngët si “Sa të deshte lalka ty”, “Kur nata Korçën e mbulon…”, “Qeraxhi i Grebenesë”, “Eja në prehër”, “As e vogël, as e madhe”.

Paramendojeni Adem Jasharin jo duke dëgjuar këngë me çifteli për Azem Bejtën, por këngë dehëse nga tavernat e Korçës – dhe këtë ai e paskësh bërë në vitin 1996, në Amerikë. Atje madje paska ndërhyrë edhe në redaktimin e një kënge të Eli Farës.

Për aq sa dihet dhe në bazë të dëshmive të bashkëkohësve dhe atyre që e kanë njohur Adem Jasharin në vitet 90-të: në vitin 1996 Adem Jashari tashmë ishte kthyer nga Shqipëria në Kosovë dhe po merrej me organizimin e rezistencës së armatosur kundër terrorit serb. Por ndoshta ka qenë edhe në Amerikë – njëkohësisht. E ka parë Eli Fara. Ka folur me të. Dhe i ka treguar se ka bërë shtatë aksidente duke dëgjuar këngët e Eli Farës.

10 komente në “Eli Fara dhe… Adem Jashari në Amerikë”

  1. lexuesi says:

    Robell ndoshta ai mund te kete qene Jashar sikunder ti Enver,ndaj nuk e kuptoj se perse je ne “kontradite”,konkurence me Top Chanelin!!!!!Ku eshte ndryshimi i Topit nga Ty ,ku te dy palet pergojoni patedrejte figure e Adem Jasharit ne dy forma te ngjashme.Shkrim per shkrim mund te beje kuzhdo,sikunder lajm per lajm nga ndonje media vizive.

  2. artisti says:

    Ky Robelli gjithmone ne shkrimet e tij ka nje helm te fshehur antishqiptar

  3. AB says:

    Jamë i mendimit se ky Rrobelli ka qenë ndoshta ende është shrytëzusi i ndimave sociale në Zvicër kisha patur dëshirë një prononcim me fakte i tij kundër mendimit

  4. lato says:

    Ka qene si :-Doni me per Belulin..Kur hyri ne mes te flakeve dhe shpetoi Belul Gjeraqinen.
    Edhe Adem Jashari ne bresherine e predhave ka marre diskun e Eli Fares,e ka fshehur ne nje vend,,qe te mos demtohet.

  5. Shaqo says:

    Dava torobelli, e shqeteson Enveri, nder kosovaret e keqinj e antishqiptar. Lere Enverin, merru me Rugoven e Milloshin.
    Na keni bere t’ju urrejme te t’u shohim si antishqiptare.
    Kur te analizohet e te thuhet c’ka bere Enveri apo Edi per Kosoven, atehere fol sa e si te duash, tani qepe ti bashke me torobellet e tu.

  6. Te isha si ti do ta beja Ver llapa says:

    O Enver, pse nuk e nderron emrin.

  7. laramani njengjyresh says:

    ske faj ti o koqe po kane gazetat shqipe qe te lejojne te shprehesh publikisht

  8. Mediu says:

    Do ket Qene Mediihoxha

  9. mesuesi says:

    Historia eshte plotesisht e vertete. Jashari, fatkeqesisht ka ndruar jete, dhe ma ka treguar me gojen e tij kete histori. Une nuk po e publikoj mbiemrin e tij, por Jashari ishte nga Jugu i Shqiperise, i persekutuar politik, kishte bere dy here burg politik, njeri i nderuar dhe i respektuar. Kam pasur fatin te punoj me te ne USA.
    Ai me ka treguar se i kerkoi kengetares ta kendonte kengen , por pa e permendur emrin e diktatorit. Kjo per hir te se vertetes.

  10. Ceni says:

    Robelli se ka keq qe ironizon kazanin tone mediatik, qe emrin Jashar e kthen ne Adem Jashar. Po kultura jone behet e padurushme kur mbrijne komentuesit medioker dhe nisin e vjellin ndaj Robellit. Sipas mesuesit, Jashari paska qene person real po pa Ademin. Pastaj hajde ndiqi keto media, po deshe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje