Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Universitetin e Gjirokastrës “Eqrem Çabej” kanë zhvilluar sot në Gjirokastër “Konferencën shkencore në nderim të 175-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit”.
Seanca e parë u drejtua nga Rektori i Universitetit të Gjirokastrës prof. dr. Bektash Mema, akad. Pëllumb Xhufi-Kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike në Akademinë e Shkencave dhe prof. asoc. Merita Gjokutaj.
Seanca e dytë që vijoi gjatë orëve të mesditës u drejtua nga prof. dr. Valter Memisha, prof. asoc. dr. Spiridhulla Poçi e prof. dr. Roland Zisi.
Në fjalën e përshëndetjes Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi foli për rolin e madh të Naim Frashërit në Rilindjen Kombëtare dhe vendin që zë krijimtaria e tij në letërsinë shqipe.
“Naim Frashëri dhe Jeronim de Rada janë dy figurat më të rëndësishme të shekullit të formimit të vetëdijes kombëtare shqiptare. Rreth tyre bashkohen të gjithë: poetë, mendimtarë, publicistë, kryengritës”, tha akad. Gjinushi.
Akad. Gjinushi tha ndër të tjera se Naim Frashëri është ndoshta i vetmi poet që nuk ka nevojë jo të përshtatet, po as të redaktohet – kaq e afërt dhe ekumenike është shqipja e tij për të gjithë folësit bashkëkohës. Në themelet e shqipes së sotme është verbi naimian. Kongresi i drejtshkrimit nuk do të merrte dot vendimet që mori pa veprën e Naimit, tha akad. Skënder Gjinushi dhe shprehu mirënjohjen për idenë misionare që shqiptoi Naimi për projektin e Rilindjes Kombëtare.
Akad. Pëllumb Xhufi në kumtesën “Naim Frashëri dhe përmbysja e madhe kulturore e ideologjike e tij” e cilësoi këtë rilindas të shquar si novatorin më të madh në traditën e letrave shqipe dhe atdhetar të madh e humanist me vizion europian. Ai u injektoi shqiptarëve të kohës së tij një element bazik të vetëdijes së të qenit shqiptar, tha akad. Pëllumb Xhufi dhe theksoi se Naim Frashëri në doktrinën bektashiane fuste një dozë të fortë nacionalizmi, duke e njësuar tarikatin bektashi me programet kombëtare.
Bektashizmi naimjan ishte në harmoni me romantizmin në kohën kur hidhej ideja e një zgjidhjeje radikale të problemit fetar që vazhdoi të mundonte mendjet e intelektualëve shqiptarë, ku Naimi u këshillon shqiptarëve një tolerancë të madhe nga çdo pikëpamje.
Akad. Xhufi tha se sprovat filozofike e fetare të Naimi Frashërit ishin me vizion europian që të kujtojnë humanistët italianë, ku ai njëlloj si ata vendosi në qendër të universit njeriun.
Naim Frashëri krijoi ideologjinë e neoshqiptarizmës si një shkollë të re të besimit që çoi drejt kombëtarizmit laicist, e mistika e re shkoi drejt një ateizmi shtetëror që u zbatua në periudhën e komunizmit në Shqipëri, tha akad. Xhufi, duke folur edhe për një rizgjim të panteizmit pellazgjik të Naimit, që ishte edhe një lloj kthimi në identitetin tonë kombëtar.
Prof. dr. Roland Zisi në kumtesën e tij bëri një vështrim krahasimor të Shqipërisë së idealeve të Naimit dhe Shqipërisë ideale të Dritëro Agollit: nga “Bagëti e bujqësia” tek “Nënë Shqipëri”.
Në “Bagëti e Bujqësia” si dhe në gjithë veprën e vet Naimi i këndon tërësisë dhe kompaktësisë tokësore në të cilën jetojnë, prej shekujsh, shqiptarët në kuptimin etnik të termave; gjuhës shqipe; dokeve, zakoneve, folkut dhe kulturës autentike shqiptare; psikikës dhe etnotipit shqiptar si në aspektin metafizik individual por edhe në atë kolektiv; perëndisë, zotit si një faktor universal prezent në jetën e përditshme të shqiptarëve si dhe vlerave dhe zotësive intelektuale e praktike qoftë në familje, shtëpi, vatër e komunitet, parakushte të domosdoshme këto, për ndërtimin e një shtëpie të përbashkët kombëtare, si gjithë popujt e tjerë rrotull nesh.
Prof.dr. Zisi tha se këto nuk janë gjë tjetër veçse kushtet që duhet të plotësonte një etni për t’u formësuar në një komb, në periudhën e formimit të kombeve. Ai tha se utopia e Naim Frashërit tek “Bagëti e Bujqësia”, ka karakter të theksuar kombëtar, frymëzon ndjenja dhe problematika për një etni të caktuar, ndërsa “Nënë Shqipëri” e D. Agollit e tejkalon aspektin kombëtar duke shpalosur karakterin internacionalist të ëndrrës dhe dëshirës poetike.
Dritëro Agolli u shfaq si poet që dëshironte të ndërtonte një Shqipëri të lumtur. Ai bashkoi vlerat më të bukura të letërsisë tradicionale me nevojat e poezisë shqipe për modernizim në mjeshtëri., tha prof.dr. Zisi.
Prof. dr. Dhori K. Qirjazi në kumtesën “Iluminizmi i Naimit dhe iluministët grekë të revolucionit të vitit 1821 tha se edhe pse s’kemi arritur t’i nxjerrim ende në dritë vlerat shumëduarshe të veprës së tij, njëra prej të cilave është, më duket, lidhja organike, mbase dhe magjike, e shqiptarizmit dhe e ekumenizmit.
Fjala DRITË përbën shtyllën dhe kryefjalën e iluminizmit. Naimi, e qëmtonte dritën ngado, në Lindje e në Perëndim.
Pikërisht, drita që lint nga perëndon, e vendos Naimin natyrshëm në vargun e personaliteteve të shquar ballkanikë që grumbulluan dritë dhe e shumëfishuan dritën, në emër të së mirës e të mbrothësisë. Vepra e tij krijon ura jo vetëm me të sotmen, por edhe me epokat pararendëse, sikurse është Kryengritja çlirimtare e 1821-shit, e grekëve dhe jo vetëm e grekëve; sikurse janë edhe figurat e shquara të ndriçimtarëve që përgatitën shtratin ideologjik të atij zgjimi e rebelimi mbarëpopullor, e pse jo, mbarëballkanik, tha prof.dr. Dhori Qiriazi, duke e vendosur figurën e ndritur të Naim Frashërit të lidhur me fije të dukshme e të padukshme me burra të të shquar të kombit të shqiptarëve.
Ai foli për kontributin e Naim Frashërit përmes përkthimeve të veprave madhore si “Iliada (rapsodia A, 1896), të cilën Naimi e kishte përkthyer së pari në turqisht, duke e inkuadruar veprimtarinë e tij përkthyese në përpjekjen edhe të ndriçimit të brezave të rinj të turqve me vlerat e spikatura rë qytetërimit europian.
Prof. asoc. dr. Avdulla Rexhepi nga Universiteti i Prishtinës, foli për veprat e reja të Naim Frashërit në osmanisht (turqisht); të cilat kanë qenë të panjohura deri më sot; “Libër leximi”, “Shpikje dhe zbulime”, “Gramatika e persishtes”. Ai tha se Naim Frashëri ka bërë shërbesa të mëdha për diturinë e popullit turk, ndërsa deri më sot dihej që Naimi kishte bërë shërbesa të mëdha vetëm për popullin shqiptar.
Ai theksoi se Naimi shtroi përpara intelektualëve çështjen çfarë e bënë arsyen moderne europiane më të fortë përballë arsyes osmane dhe u përpoq për dërgimin e disa studentevë osmanë në Europë të mësonin dijen moderne europiane, siç ishte dhe Hoxha Tahsimi.
Prof. dr. Valter Memisha në kumtesën “Gjuha e Naimit dhe evolucioni i shqipes” tha se themelet e gjuhës letrare kombëtare shqipe janë hedhur në kohën e Rilindjes, një periudhë që nuk mund të kuptohet pa emrin e Naim Frashërit. Roli i tij në këtë proces themelvënës është përcaktues, çka vërehet nëse i drejtohemi gjuhës së veprës së tij, me lidhje të shumëfishta e të drejtpërdrejta me këtë gjuhë (sot si shqipja standarde), aq sa themi se gjuha letare kombëtare nuk mund të perceptohet e të kuptohet pa gjuhën e veprës së poetit kombëtar.
Më tej prof. dr Valter Memishaj foli për vlerësimet të studiuesve të ndryshëm të albanologjisë e të kulturës që kanë nxjerrë në pah dhe e kanë vlerësuar gjuhën e Naimit si bazë të shqipes letrare tashmë të njësuar, por edhe si shembull të një shqipeje që ruan të pastër natyrën e saj, që niset nga burimi popullor e kthehet tek ai burim, për t’u freskuar e pasuruar vazhdimisht. Naim Frashëri i ngriti shqipes një pëmendore të përjetshme.
Msc. Behar Hoxhaj foli për fushën leksikore të parafjalëve të emërores në veprën e Naimit. Ai tha se për disa rrafshe dhe disiplina gjuhësore Naimi ka sjell pasuri jo vetëm në aspekte sintaksore dhe morfologjike, por edhe në aspektin semantik. Gjuha e Naim Frashërit ndihmon lëndën gjihësore dhe ia vlen ta studiosh në shumë këndvështrime, tha Hoxhaj.
Prof. asoc. dr. Merita Gjokutaj në kumtesën “Kodi i ligjërimit popullor tek Naimi” e prezantoi poetin e talentuar si një njohës shumë të mirë të gjuhës shqipe. Ai e njihte me themel gjuhën amtare.
Akad. Vasil S. Tole, zëvendëskryetar i ASH, në kumtesën “Kulti i bilbilit si zog këngëtar tek Naimi” theksoi se shkrimtari ynë i shquar Naim Frashëri përket më shumë se çdokush tjetër grupimit të shkrimtarëve, të cilët mund t’i quajmë “shkrimtarët e gjuhës së kënduar të birbilit”.
Ai tha se i gjithë korpusi kryesor i shkrimtarëve tanë të traditës pas Naim Frashërit kanë evidentuar në poezitë e tyre muzikën si art hyjnor dhe bilbilin si zog këngëtar.
Më së fundi, në llojin e tyre, shkrimtarët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në gjallimin e konceptit mbi muzikën si pjesë e kulturës në përgjithësi dhe e asaj kombëtare në mënyrë të veçantë. Kuptohet që detyra e tyre nuk është e njëjtë me detyrën e profesionistit të muzikës, por thjesht një detyrim që mund të lindë nga shtrati i përbashkët i këtyre dy arteve, nga vetëdija e njëjtë e trashëguar nga folk-etnosi, si dhe nga veçoritë e konceptimit të muzikës nga ana e secilit prej tyre, tha akad. Vasil Tole.
Prof. dr. Gëzim Redhi foli për shkrimet e Naimit në gjuhën greke dhe ndikimi i gjimnazit “Zosimea”.
Dr. Virion Graçi kumtoi “Kënga e engjëllit: Skënderbeu i Naimit nëpër kohëra”
Prof. asoc. dr. Spiridhulla Poçi në kumtesnë “Frashërllinjtë në histori dhe Naimi foli për kontributin e trungut të Frahsërllinjve në historinë e Shqipërisë dhe vijimin e këtyre kontribuetve nga Naimi dhe vellezërit e tij për formimin e ndërgjegjes kombëtare dhe krijimin e një gjuhe të shkruar e një letërsie me nivel të lartë.
Prof. dr. Shaban Sinani në kumtesën “Motive klasike perse në poezinë e Naimit sipas Musine Kokalarit”, foli për kërkimet e saj në karakteristikat stilistike dhe shprehëse të poezive të Naim Frashërit, kërkime në aspektin e mirëfilltë të njohjes së karakterit të poetit.
“Konferenca shkencore në nderim të 175-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit” u mbyll nga akad. Pëllumb Xhufi, i cili falënderoi pjesëmarrësit e të dy institucioneve e më gjerë, duke konsideruar si një bashkëpunim me rëndësi dhe tha se aktivite të tilla do të bëhen edhe në të ardhmen në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave.
www.akad.gov.al
Jo Frasherllinjte, po Frasherinjte.
A eshte e mundur qe ne “shkrimin” per kete aktivitet merr pjese e mban fjalen e rastit, kryetari akademek Skender Gjinushi…….nderkohe qe ai sot kthehet nga pushimet ne Dubai (me gruan).Eshte lehtesisht e verifikueshme, datat e daljes e hyrjes nga Rinasi. Mashtrime te tilla a ndodhin valle….? A jane te kundraligjshme..? A ka ndeshkime….?