Kastrioti fiton finalen e “play out”-it, qëndron në Superiore

30 Maj 2021, 18:05Sport TEMA

Kastrioti mbetet në Kategorinë Superiore, ndërsa Tomori duhet të presë dhe të bëjë më shumë për të qenë pjesë e elitës, ku për herë të fundit është parë në sezonin 2012-2013. Skuadra krutane triumfoi 2-1 në finalen e “play out”-it përballë ekipit beratas, duke siguruar më në fund mbijetesën, objektiv të cilin e komplikoi në mënyrë të pakuptimtë në pjesën e dytë të kampionatit, duke rrezikuar seriozisht madje rënien direkt në Kategorinë e Parë.

Përvoja e të besuarve të Ramazan Ndreut bëri diferencën në këtë finale, megjithatë kjo ndeshje e zhvilluar në Kamëz nuk ishte si shëtitije për Kastriotin. Në fundin e pjesës së parë, pasi kishte dominuar në zotërimin e topit dhe në raste, skuadra krutane u shkund nga traversa e Cankës, që la të palëvizur Hidin (44’). Vetëm pak çaste më vonë (45’), rreziku kaloi në portën beratase, me Xhulio Mehmetin që nuk fali me një goditje të saktë brenda zonës.

Shpërthejnë në festë futbollistët në fushë dhe stoli i Kastriotit, pasi ky gol do të thoshte shumë në ecurinë e lojës.

Epërsia në rezultat i dha dhe avantazh psikologjik ekipit të Ndreut, që u shfaq më autoritar në fillim të pjesës së dytë, duke gjetur edhe golin e sigurisë në të 62-tën me Ermir Rezin, që iu desh të godiste dy herë për ta dërguar topin në rrjetë.

Futbollistët e Tomorit, të drejtuar nga trajneri Sinella, e patën të pamundur të ndryshonin fatin e ndeshjes në minutat në vazhdim, edhe pse në sekondat e fundit të shtesës ngushtuan diferencë me Qaton me një goditje të lirë nga rreth 20 metra, që kapi të papërgatitur Hidin. Ende pa nisur festën e golit, lojtarët e Tomorit u pezmatuan nga vërshëllima e trefishtë e Kridens Metës për përfundimin e ndeshjes.

Sezonin e ardhshëm krutanët do të luftojnë sërish mes më të mirave të futbollit shqiptar, ndërsa beratasit do ta rinisin nga e para rrugëtimin për t’u ngjitur në Superiore.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje