Nga Lionel Laurent, Bloomberg
Pandemia e Covid-19, na ka treguar dy anët e progresit teknologjik. Është ana pozitive që ka bërë të mundur shpërndarjen e vaksinave të sigurta dhe efektive në një kohë rekord, që i ka ndihmuar ekonomitë përmes punës online të miliona punonjësve, dhe që e ka përmirësuar mbikëqyrjen e sëmundjeve dhe shëndetin publik.
Dhe ka një anë negative:fushatat dezinformuese të aktorëve dashakeqë dhe regjimeve autoritare, piraterinë dhe nxitjen e përçarjes tek kundërshtarët, dhe një rritje të dëmeve nga sulmet kibernetike. Pikërisht me këtë realitet të zymtë duhet të përballet Perëndimi teksa po rihapen ekonomitë kombëtare.
Dhe samiti i G7-ës këtë muaj, është një kohë e përsosur për ta bërë këtë gjë. Kërcënimet kibernetike, janë paralajmëruar shpesh gjatë vitit të kaluar, por shkalla dhe shtrirja e problemit po arrijnë kulme të reja. SHBA-ja dhe Evropa e kanë akuzuar Kinën dhe Rusinë për përshkallëzimin e luftës së informacionit – nga teoritë e konspiracionit mbi Covid-19, tek informacionet e rreme në lidhje me vaksinat – dhe sulmet kibernetike mbi objektivat perëndimore, në një kohë që po kufizojnë më tej liritë e qytetarëve të tyre.
Freedom House, që vitin e kaluar zbuloi se 75për qind e popullsisë së botës jeton në një vend që ka përjetuar rënie të demokracisë, thotë se pandemia ka hedhur një “hije dixhitale” mbi botën. Por për këtë sfidë nuk ka zgjidhje të lehta. Për shembull, Rusia e pengon Britaninë të gjurmojë kriminelët e internetit në terrenin e saj.
Promovimi nga Moska dhe Pekini i “sovranitetit”dixhital, i ka inkurajuar shumë regjimet autoritare, dhe kjo u pa me uljen e detyruar nga Bjellorusia të një avioni të linjës “Ryanair” javën e kaluar. Rrënjët e kësaj krize, që ka shkaktuar një përçarje të re midis Perëndimit dhe liderit autoritar bjellorus Lukashenko, që gëzon mbështetjen e Vladimir Putinit, qëndrojnë pikërisht tek lufta e informacionit.
Shënjestra e dukshme e Lukashenkos ishte 26-vjeçari Roman Pratasevich, një gazetar i mërguar dhe ish-redaktor i medias opozitare Nexta, i cili operon përmes aplikacionit të koduar të mesazheve Telegram.
Muajin e kaluar, vetëm disa ditë pasi shërbimet ruse të sigurisë arrestuan 2 bjellorusë, dhe i akuzuan ata për planifikimin e një kryengritjeje, Minsku tha se kishte parandaluar një “grusht shteti”, për të cilin ishte biseduar në aplikacionin e video-konferencave, Zoom.
Drama rreth Bjellorusisë, meriton përgjigjen e vet përtej sanksioneve të nevojshme, dhe BE dhe SHBA-ja duhet të synojnë të jenë më shumë solidarë me shoqërinë civile bjelloruse, duke u dhënë atyre më shumë fonde dhe mbështetje.
Gjithashtu, ndërsa ndihmon aktorët e virtytshëm, Perëndimi duhet të bëjë një përpjekje më të madhe për të minuar aktorët dashakeqë në internet. Kjo do të thotë të sigurohet që teknologjia e mbikëqyrjes të mos eksportohet tek regjimet shtypëse.
Qeveria e Lukashenkos, e bllokoi pjesën më të madhe të internetit gjatë protestave verën e kaluar, me ndihmën e teknologjisë së kompaninë Sandvine Inc. me seli në SHBA. Kjo e fundit e anuloi marrëveshjen e saj me Bjellorusinë, por vetëm pasi Bloomberg Neës, raportoi për këtë skandal.
Ndërkohë G7 duhet t’i përmendë me emër dhe poshtërojë kriminelët e dyshuar kibernetikë, dhe të kërcënojë me hakmarrje vendet që refuzojnë vazhdimisht t’i ndëshkojnë ata. Ajo duhet të vendosë më shumë burime financiare për policimin e tregjeve anonime të errëta në rrjet, ku krimi ofron shërbimet e veta, i ndihmuar jo pak nga kriptomonedhat anonime.
Kjo nuk do të jetë një betejë e egër midis privatësisë dhe sigurisë. Problemi është se SHBA-ja dhe Evropa hezitojnë që ta lënë tregun të vendosë, se ku shkojnë sytë dhe të dhënat e konsumatorit. Një nga mjetet më të njohura anti-censurë, rrjeti i anonimitetit “Tor”, ka një përdorim dukshëm të dyfishtë:Ai strehon si tregjet kriminale, ashtu edhe veprimtaritës e licencuara, duke synuar t’i shpëtojnë syve kureshtarë.
I financuar historikisht nga agjencitë qeveritare të SHBA-së, Putini i ofroi në vitin 2014 më shumë se 100.000 dollarë për ta përdorur atë kundër disidentëve politikë. Por u refuzua. Një hulumtimi nga Eric Jardine i kompanisë “Virginia Tech”, tregon se si përfitimet e “Tor” grumbullohen në mënyrë disproporcionale nga vendet që konsiderohen jo të lira ose pjesërisht të lira, ndërsa ai dëmton më shumë organizatat në vendet demokratike.
Nëse demokracitë liberale nuk hartojnë një strategji koherente, nga e cila të përfitojnë aktorët e mirë dhe të dëmtohen të këqijtë, pasojat “hija dixhitale” e pandemisë do të jetë shumë e gjatë. /Përktheu: Alket Goce-abc