Në fillim të muajit të kaluar, një anije mallrash që mbante kimikate mori flakë në brigjet e Sri Lanka, duke lënë pas një katastrofë mjedisore me të cilën ishulli do të duhet të jetojë me dekada.
Për ditë me radhë ajo qëndroi duke u djegur në brigjet e Sri Lanka, shtullunga tymi të errët që mund të shiheshin nga kilometra larg. Por X-Press Pearl tani ka heshtur, e shtrirë gjysmë e zhytur në brigjet e Sri Lanka, trupi i saj mbështetej në shtratin e cekët të oqeanit. Por megjithëse flakët tani janë shuar – problemet sapo kanë filluar.
Në bordin e anijes, ka akoma kulla kontejnerësh të grumbulluara njëra mbi tjetrën, shumë që përmbajnë kimikate shumë të rrezikshme për mjedisin – disa prej tyre tashmë kanë rrjedhur në ujë, duke shkaktuar frikë se mund të helmojë jetën detare.
Përveç kërcënimeve mjedisore, ka edhe pasoja shkatërruese për komunitetet lokale, peshkatarët që brenda natës humbën jetesën e tyre dhe ka të ngjarë të vuajnë për vitet që vijnë.
“Ne jemi peshkatarë të vegjël dhe shkojmë çdo ditë në det. Mund të fitojmë diçka vetëm nëse shkojmë në det – përndryshe e gjithë familja jonë do të vdesë nga uria,” i tha BBC një peshkatar vendas, Denish Rodrigo.
Një gjë bie në sy kur shikon fotot e katastrofës – copa të vogla të rrumbullakëta plastike që shtrihen pothuajse aq sa syri mund të shohë. Këto fishekëve plastikë, të quajtur edhe nurdles, janë përdorur për të bërë gati të gjitha mallrat plastike.
Që nga fundi i majit, peletë të tillë nga ngarkesa X-Press Pearl kanë përfunduar në plazhet Negombo, ndërsa peshqit tashmë janë parë me bark të fryrë dhe topa plastike në gushë.
Plastikës mund ti duhet midis 500 deri në 1000 vjet për t’u dekompozuar dhe ka të ngjarë të bartet nga rrymat oqeanike në brigjet përreth Sri Lanka dhe madje edhe në plazhet qindra kilometra larg anijes.
Megjithatë, ndërsa plastika mund të jetë ndikimi më i dukshëm deri më tani, nuk është ai më i rrezikshmi.
Për peshkatarët e Negombo, shqetësimi i tyre nuk është vetëm ajo që ndodhet brenda peshkut, por mundësia e mos-kapjes së ndonjë peshku fare. Peshkimi tani është ndaluar në zonën e prekur, që do të thotë se shumë prej tyre kanë humbur të ardhurat dhe jetesën e tyre praktikisht brenda natës.
Ndërsa qeveria po pret dëmshpërblim dhe para sigurimi nga pronarët e anijes me bazë në Singapor, vendasit nuk janë shumë optimistë se shumë nga ato para do të përdoren për t’i ndihmuar ata.
Sidoqoftë shoqata e peshkatarëve i tha BBC se ata do të kishin shumë nevojë për ndihmë, si peshkatarët ashtu edhe komuniteti i gjerë. Ndikimi më afatgjatë, që ka të ngjarë të prekë vendin për dekada, është ai i ndotjes kimike.
Ndër elementët më të rrezikshëm në bordin e anijes janë acidi nitrik, dioksidi i natriumit, bakri dhe plumbi. Sapo të futen në ujë, këto kimikate hyjnë në barkun e jetës detare. Kjo do të thotë që peshqit nga zona do të jenë të rrezikshëm për njerëzit, jo vetëm për tani, por për vitet që vijnë.
Ndërsa ka pasur mbytje anijesh më parë, Sri Lanka nuk është përballur kurrë me një ngarkesë kaq helmuese – dhe vendi nuk është i përgatitur mirë për një punë të vështirë si kjo. Tani për tani, shpresa më e madhe është që katastrofa të paktën të jetë një mësim i vlefshëm për të parandaluar një tjetër katastrofë të tillë.