Evis Kushi: 10 mln euro çdo vit për hapjen dhe ofrimin e programeve mes universiteteve tona dhe atyre të BE

12 Qershor 2021, 21:55Politika TEMA

Në Kongresin e Partisë Socialiste zhvilluar ditën e sotme, Ministrja Evis Kushi i është drejtuar delegatëve të kongresit me një fjalë përshëndetëse dhe ka ndarë me ta vizionin e PS në fushën e arsimit për mandatin e ri qeverisës dhe “Shqipëria 2030”.

Duke e cilësuar fillimisht arsimin si një prioritet madhor, Znj. Kushi u shpreh se reformat e ndërmarra vitet e fundit bashkë me rezultatet e tyre pozitive vit pas viti kanë treguar se jemi në rrugën e duhur.

Ajo përmend faktin se në fokus të veçantë do të jetë edhe arsimi i lartë dhe shprehet se duhet pranuar që reforma në arsimin e lartë nuk i ka dhënë plotësisht rezultatet e pritshme për një përparim progresiv e të qëndrueshëm. Sipas saj, kjo shikohet qartë edhe nga të dhënat që flasin për të rinjtë e të rejat në ndjekjen e studimeve të larta.

“Një pjesë e tyre, madje shpesh herë më të mirët prej tyre, ata me rezultate te shkëlqyera, duhet të largohen jashtë Shqipërisë për të vazhduar studimet në universitete të huaja. Natyrisht që gjithmonë, edhe kur të jemi në nivele më të larta, do të ketë disa prej studentëve ekselentë që do të vazhdojnë të shkojnë për studime jashtë vendit, në universitetet më prestigjioze evropiane. Por ne nuk mund të pranojmë që kjo të jetë zgjedhje e detyrueshme për ta. Ne nuk mund të pranojmë që ata të mos kenë zgjedhje alternative këtu, në Shqipëri,” tha Kushi.

Për këtë arsye, ajo nënvizoi se: “Ne do të punojmë intensivisht dhe do të bashkëpunojmë ngushtësisht me universitetet tona për të sjellë këtu përvojat më të mira evropiane. Ne duam të ngremë struktura ekselence evropiane që mund të jenë edhe programe studimi të përbashkëta, por mund të jenë edhe departamente, fakultete apo edhe universitet si i tërë, për t’i dhënë mundësinë të gjithë atyre që duan të bëhen inxhinierë të aftë, mjekë të dalluar, informaticienë profesionistë që të marrin diploma me vlerë, njësoj si në universitetet më të mira të BE”.

Në këtë kuadër, Kushi shpreh angazhimin e qeverisë shqiptare për të mbështetur me 10 milion euro në vit hapjen dhe ofrimin e programeve të përbashkëta të studimit mes universiteteve shqiptare dhe atyre të BE, tërësisht në gjuhën angleze, në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës. Ndërkohë, ajo thekson se do të bëhemi shembull për thithjen e fondeve të BE për arsimin dhe kërkimin shkencor, do të përmirësohet cilësia e produktit universitar, sikurse do të vazhdohet pa u ndalur me investimet në kampuset universitare, veçanërisht ai i Universitetit të Tiranës, në përmirësimin e përvojës studentore.

Një pjesë të mirë të fjalës së saj, Kushi ia kushtoi edhe arsimit parauniversitar ku shprehu aspiratën evropiane të PS për të mbështetur nxënësit tanë në përfitimin e aftësive të reja të shekullit të 21, me qëllim final përgatitjen e profesionistit të aftë, punonjësit të suksesshëm dhe qytetarit të denjë të vitit 2030.

Sipas saj, nisja e gjuhës angleze që në klasë të parë shtatorin e ardhshëm, zbatimi i Programit Kombëtar për Programimin (Kodimin), artin dhe zejet, përforcimi i modelit të edukimit fizik dhe klasave sportiv, shtimi i investimeve në infrastrukturën shkollore, rritja profesionale e mësuesve etj., janë disa pikave që do të jenë në fokus të veçantë në zhvillimin e mëtejshëm të arsimit parauniversitar.

3 komente në “Evis Kushi: 10 mln euro çdo vit për hapjen dhe ofrimin e programeve mes universiteteve tona dhe atyre të BE”

  1. Ne Shqiperi jane te pakte ata Studente qe shkojne ne Uni per te studjuar dhe mesuar ne jete
    e kan nji ide te qarte perse studjojne e ku duan te arrijne ne jete ,nderkohe qe shumica jane ne Universite
    me kalu kohen e u zbavit .Ky eshte Realiteti Shqiptare .
    Nuk bo vaki ne Bote qofte ne Tezat e Matures apo Uni te pretendoje nxenesi e Studenti te lehtesohet Tezat
    sepse jane te paperballushme !
    Kjo eshte skandaloze , dhe nji tregues i qarte ,qe nga 8-vjecarja dhe 4-vite Gjimnaze e shkole te Mesme
    ato vijne aty me shume mangesira nga vitet e mepareshme .
    Nqs nji Nxenes psh vjen ne Gjimnaze pa nji njohuri se so zgjidhet X Probleme ne Gjeomatri e Algjeber
    dhe ne Gjimnaze nuk arrin dot te kape Matematiken e te zgjidhi Sistemet etj Problemat ne Fizike etj etj .
    Pra nuk ja ka fajin Ministria por koka .Ose gjate Kohes qe je ne shkolle meso dite e nate , kur je ne 8-vjecare e gjimnaze
    ose nqs do te shijosh jeten qysh ne moshe te re ,mos shko kot ne Uni .
    Nuk ka ri beshe te gjitha edhe qejfin jashte me shoqerin edhe shkollen .Nuk ja del dot,sepse shkolla kerkon shume kohe pregatitjeje .
    Pa ose Shkollen ose qejfin .
    Ktu los rol te madhe edhe Familja mendoj un .Prindi dikur vinte nga puna dhe na pyeste femijeve cfar keni per te mesuar per Neser ,
    ku e keni Programin ,
    ku i keni detyrat , pra kontroll nji per nji ,qe femijet te mesoheshin se cilar jane detyrat e moshes kur je ne shkolle
    e ndergjegjesoheshin por edhe degjonin baban e nenen .
    Po sot ?
    Kush me thot se si eshte ky Raport Prind -Femije ?
    Nji Prind qe nuk i intereson shkolla e femijes ,ai femije nuk e ka te lehte ne jete .

  2. Shinjestra says:

    Shume dakord me komentuesin e pare.Nuk ja ka fajin Ministrja,por koka.Nxenesit ne nentvjeçare apo ne gjimnaz nuk mesojn,nuk i kushtojne rendesi notes dhe kur vine ne provimet e matures hedhin vickla se testet jane te veshtira.Ministria tha se testet jane te nivelit mesatar,dhe shume e perballueshme ,por disa student duan qofte ne goje.Keta lloj maturatesh,behen kontigjent negativ per partine demokratike dhe LSI.Keto dy parti ku t’i gjejn e ti hedhin kundra qeverise qe fitoi zgjedhjet.Edhe protesta e soteme e maturanteve ka mbrapa doren e felliqur te PD dhe te LSI.Turp per keta maturant qe bjen pre e partive politike.Qeveria ka bere shume gjera per shkollat e per unversitetet,duke plotesuar te gjitha kushtet e nevosheme.

  3. Dhe kjo ne pegjithsi ne Matematike e cila nuk ndryshon per asnji ,te pakten deri ne vitet e para te shkolles e larte .
    Bile te vinte me vehten cudi , e nuk ndjeje asnji ndryshim dhe ndodhte qe ne kursin tend pra te shkolles te kishe
    ne klase prej mbi 20 -30 veta , nji ose dy te cilet i afroheshin zgjidhjeve qe ishin vendas dhe kishin mbaruar shkolat e mesme
    aty ne Europe .
    Dhe kur profesori pyeste se i bente cudi qe ti i zgjidhje menjiher siseteme etj matematike etj integr.
    pyeste se ku e ke mbaruar te mesmen cilen shkolle!
    Dhe kur ti i thoshje in Albanien , ai qendronte nji cast si i kapur ne befasi dhe nuk donte ta besonte
    qe ti vije nga Shqiperia .
    Pra pa e zhgjatur ,sistemi i shkolles shqiptare ka qen i njejte ne shume drejtime me ate Perendimore .
    Kush ka studjuar ne perendim mbasi ka mbaruar te mesmen ne Shqiperi e di kte gje fare mir dhe se s’ka pasur asnji veshtiresi
    per te hecur e Diplomohet ne Perendim .
    Pra cfar dreq sistemi kerkojne kta nxenes aty ?
    Sistemin e qejfit jo te mesuarit e shkolluarit . Mblidhni trut se do perfundoni rrugeve si njejerz pa vlere .
    Pa Diplomim nuk ka te Ardhme per asnji .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje