Ka nisur ndarja e të djeshmes nga e ardhmja jonë politike

14 Qershor 2021, 21:28Blog TEMA

Nga Alfred Peza

Sa më shumë që po i largohemi 25 prillit, aq më shumë po kristalizohen të ndara qartazi nga njëra-tjetra, edhe dy grupimet që simbolizojnë të djeshmen dhe të ardhmen politike të Shqipërisë. Në to bëjnë pjesë jo domosdoshmërisht ato që kanë votuar apo përfaqësojnë sot mazhorancën dhe opozitën. PS nga njëra anë dhe PD, LSI e alteatët e tyre nga ana tjetër. Jo.

Në këto dy grupime bëjnë pjesë progresistët dhe regresistët: Ata që duan të ardhmen dhe ata që nuk shkëputen dot nga e shkuara. Ata që bartin kulturën e ecjes së vendit me shpejtësi përpara drejt integrimit europian dhe ata që duan të na mbajnë peng të së shkuarës dhe mëkateve të saj.

Ata që përqafojnë doktrinën e shtetformimit modern, me garante të sistemit institucionet e drejtësisë së re dhe ata që po bëjnë ende gjithçka për ta penguar dhe minuar atë. Ata që pranojnë rregullat e lojës për të qenë të gjithë të barabartë përpara Kushtetutës e Ligjit të Dekriminalizimit dhe ata që e kërkojnë këtë vetëm tek kundërshtarët e tyre politikë e nuk pranojnë në asnjë mënyrë që ti nënshtrohen edhe vetë.

Ata që pranojnë partneritetin me SHBA dhe BE si të vetmen rrugë drejt të ardhmes sonë si shtet e si komb dhe ata që për interesin e tyre personal, për të mos u përballur me krimet dhe korrupsionin e lartë të pushtetit të tyre 30 vjeçar, janë gati që ti venë flakën jo vetëm këtij raporti por edhe vetë Shqipërisë.

Nuk ka rëndësi në këtë ndarje, në këtë përballje e në këtë pozicionim as ngjyra e flamurit që mban në dorë dhe as ajo e kapakut të teserës së partisë që ke në xhep. Më e rëndësishmja nga të gjitha këto është vetëm një gjë: Kush është me kë, në këtë histori! Nëse je me të ardhmen, apo je me të shkuarën? Nëse je me të djeshmen, apo je me të nesërmen? Nëse je me të mirën, apo je me të keqen?

Askush nuk ka patur, nuk ka e nuk ka për të patur kurrë aq fuqi, sa të ndalojë rrotën e historisë për ta çuar një vend, një popull dhe një komb drejt destinit të vet. As Sali Berisha, as Ilir Meta, as Adriatik Llalla dhe askush tjetër që ka patur apo ka ende pushtet, nuk mund ta përdori atë për të minuar ndërtimin e sistemit të ri të drejtësisë. Për të bllokuar sistemin demokratik dhe politik të vendit. E aq më pak, për të sabotuar raportet strategjike të Shqipërisë dhe shqiptarëve me SHBA dhe BE.

Ndryshimi mes dy grupimeve të mëdha që përfaqësojnë të renë dhe të vjetrën në këtë vend, është se të parët e kanë njësinë matëse drejt së ardhmes me vlerat dhe parimet, ndërsa të dytët me emrat e përveçëm dhe siglat e partive.

Mjafton të shihni komentet e opozitarëve fanatikë në mediat online dhe rrjetet sociale ditët e fundit për ta kuptuar këtë. Për skifterët e grupimit të së vjetrës, nesë Edi Rama takohet me sekretarin Amerikan të Shtetit Antony Blinken, ai nuk ka bërë gjë tjetër veçse është takuar me tradhëtarët e Shqipërisë. Sepse për ta Shqipëria, atdheu, kombi, populli, identiteti, shqiptaria…, fillojnë e mbarojnë me Sali Berishën.

Për ta nëse je me “liderin historik” je edhe demokrat, edhe patriot, edhe i mirë, edhe atdhetar, edhe shqiptar, edhe hero, edhe gjithçka tjetër. Por nëse ti je ai që ke firmosur ne emër të shtetit amerikan, për shpalljen “non grata” të Sali Berishës dhe familjes së tij për “akte korrupsioni që minojnë demokracinë”, atëhere ti nuk përfaqëson SHBA. Je armik. Je sorosist. Je pro serb. Je e çfarë nuk je, por vetëm Sekretari Amerikan i Shtetit nuk je.

Shyqyr Zotit që kjo qasje nuk është kaq e theksuar tek ata që mbështesin Ilir Metën e që ishin kundër shkarkimit të tij si President i Republikës nga Parlamenti, se hajde ti mbaje pastaj. Arsyeja është fare e thjeshtë, se Sali Berisha dhe ajo që ai përfaqëson i ka rrënjët shumë më të thella në përpjestim me pushtetin që ka patur e abuzuar në këto 30 vjet, në raport me ato të Ilir Metës, partia familjare e të cilit është katandisur tashmë me vetëm 4 deputetë!

Zgjedhjet e fundit brenda PD dëshmuan përveç të tjerash se edhe brenda radhëve të opozitës ka zëra, profile, personalitete dhe mendie racionale që e kuptojnë shumë qartë ndarjen mes progresit dhe regresit. Mes të ardhmes dhe të shkuarës. Mes të mirës e të keqes. Ata nuk i barazojnë ato as me Sali Berishën dhe as me Lulzim Bashën. Shenjë e sigurtë se Shqipëria normale ka të ardhme, ndërsa ajo anormalja i përket çdo ditë e më tepër, vetëm të shkuarës!

1 komente në “Ka nisur ndarja e të djeshmes nga e ardhmja jonë politike”

  1. Kjo, mendoj, eshte me afer te vertetes, zoti Peza! says:

    Ti Peza i vjen verdalle problemit, por nuk perdor emertimin konkret te elementeve ndares te ketyre dy forcave te kunderta. Ti nuk thua, qe, ata te cilet nuk duan ndryshimin e gjendjes, si ne Partine Demokratike dhe LSI, po ashtu edhe brenda PS jane mbeturinat e sistemit te shkuar, te cilet me bekimin e Ramiz Alise muaren drejtimin e vendit pas vitit 1990. Shqiperine e kane komanduar keta 30 vjet njerzit e sherbimit te fshehte personal te Enver Hoxhes, sherbim i drejtuar per me se 30 vjet nga Ramiz Alia. Nuk behet fjale per sigurimin e shtetit, sigurimi i shtetit ishte nje institucion legal ne varesi te Ministrise se Brendshme te regjimit, (nje institucion ne perberje te cdo shteti), behet fjale per sigurimin e fshehte, jo legal, personal, te diktatorit Hoxha. Eshte ai sigurim qe zbulonte armiqte personal te Enver Hoxhes edhe brenda gjirit te PPSH, ose i ashtuquajturi sigurim i Partise. Cuditerisht, e vetmja qe ka pranuar ekzistencen e tij eshte Vito Kapo, nga te paktet eksponent te larte te asaj kohe. Pra, behet fjale per ate sigurim, per te cilin, kur zbulohej ndonje grup armiqesor thuhej “e zbuloi Partia”. Jane keta, eshte ky rrjet me se i organizuar edhe sot e kesaj dite qe kerkohet te shpartallohet. Sepse, jo vetem gllaberuan ne menyre te paligjshme gjithe pasurine e ketij vendi, me anen e privatizimeve absurde joligjore, por kane zene tere pozitat kyce ne shtetin e sotem, sidomos ne Drejtesi, dhe bejne jo efikase cdo nisem per shtet ligjor ne kete vend.
    Deri tani, nga radhet e atyre qe mendohen si anetar te ketij rrjeti, per fatin qe i pret, me qendrimin qe mbajti tani se fundmi, koshient duket vetem Gramoz Ruci, i cili u terhoq me zgjuaresi. Berisha dhe Meta, si eksponentet me agresive te kesaj shpure, kembngulin me cdo menyre per vazhdimesine e gjendjes ku ata mbreteronin pa problem. Por jane kunder kohes dhe objektivave strategjike qe kerkon ky vend per te ardhmen. Per aq kohe sa nuk ishin pengese per objektivin ku vendi inspiron te arrije, ata u lane te shijne, te bejne cdo prapesi dhe te hiqen si demokrate, kur ne praktike vepronin si armiq te betuar te sistemit demokratik. Por, kuptohet, cdo gje e ka nje fund. Dhe fundi i tyre duket se po vjen.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje