Superoperacioni antidrogë italo-shqiptar: Në pranga 1 prokuror dhe disa zyrtarë të policisë

2 Korrik 2021, 09:15Kronika TEMA

Detaje të reja janë zbuluar nga operacioni antidrogë i zhvilluar në Shqipëri, Itali, Mal të Zi dhe Spanjë. Burimet kanë bërë me dije se mes 38 të arrestuarve janë edhe zyrtarë të drejtësisë e policisë shqiptare.

Raportohet se është caktuar masë sigurie “arrest shtëpie” për një prokuror të Vlorës. Po ashtu në pranga kanë rënë edhe 5 punonjës policie.

Autoritetet shqiptare dhe Departamenti i Hetimit Antimafia italiane kanë lëshuar 38 urdhër arreste në Shqipëri, Itali, Mal të Zi dhe Spanjë për trafik ndërkombëtar të drogës, korrupsion, abuzim me detyrën dhe pastrim parash. Ekzistojnë gjithashtu vendime për konfiskimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, me vlera disa milionë euro.

Në ndihmë të hetimeve italo-shqiptare janë edhe dëshmitë e 4 bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Përveç fenomenit të korrupsionit, abuzimit me detyrën dhe pastrimit të parave, u zbulua i gjithë “zinxhiri i furnizimit” të drogës në lidhje me kultivimin, prodhimin, grumbullimin, magazinimin dhe dërgesën në brigjet e Puglias.

Operacioni italo-shqiptar është rrjedhë e zhvillimeve hetimore të operacioneve “Shefi” e “Kulmi” ekzekutuar në 2018 e 2020 nga Drejtoria e Antimafias italiane të Barit. Detaje më të hollësishme për këtë operacion pritet që të japë në orët në vijim kreu i Antimafias italiane, De Raho; kreu i SPAK, Arben Kraja dhe drejtues të tjerë të policive italiane dhe shqiptare në një konferencë për shtyp.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje