Nga 1 korriku shtetasit e vendeve anëtare të BE janë më të lirë për të udhëtuar duke u pajisur edhe me një certifikatë digjitale anti-COVID.
Sikundër në çdo shtet të Unionit, edhe në Hungari qytetarët mund të shkarkojnë aplikacionin për të vërtetuar se janë të sigurt nga virusi. Për hungarezët që udhëtojnë në Sllovakinë fqinje, karta e imunitetit është e mjaftueshme për momentin dhe nuk ka asnjë problem të marrësh versionin digjital të certifikatës, shprehet Zoltán Szádóczki, i cili udhëton rregullisht.
“Është vetëm një plus, kështu që nëse dikush do të më shqetësojë, unë thjesht mund të marr telefonin dhe e kam provën. Dhe atëherë nuk ka asnjë problem, bëhen kontrolle dhe gjithçka është në rregull”, shprehet Zoltan.
Nëse arrini në Hungari nga Sllovakia, nuk ka kontrolle fare, dhe kjo ndodh thuajse në të gjithë kufijtë e shteteve fqinje. Christian, një shtetas rumun, mbërriti në Hungari me familjen e tij me avion nga Italia.
Sipas tij, atyre nuk u është kërkuar asnjë provë e imunizimit gjatë hyrjes.
“Unë kam testin COVID, por askush nuk më pyeti për këtë. As kur shkova në Itali, sepse isha në Itali dhe tani kthehem, dhe askush nuk më pyeti për pasaportën COVID”, thotë Christian.
Euronews u interesua tek Stacioni i Policisë Kombëtare në lidhje me kontrollin e pasaportave digjitale të BE-së për COVID, por ata nuk pranuan të komentojnë.