Nga Kirill Martynov, The Moscow Times
Një tjetër “Linja e Drejtpërdrejtë me Vladimir Putin” është realizuar kohët e fundit, me shumë njerëz që kanë nisur të pyesin se përse guvernatorëve nuk u kërkohet që të përdorin një mënyrë kaq të përshtatshme për t’u lidhur me njerëzit.
Putinit i pëlqeu ideja:E pse të mos merrte një sugjerim nga baza, dhe të organizonte komunikime direkte jo vetëm në nivel federal, por edhe në atë rajonal?Imagjinoni pak:Çdo guvernator do të pranonte telefonata nga qytetarë të veçantë, të cilët do të shprehnin ankesat për çatitë e shtëpive të tyre që pikojnë kur bie shi apo problemet me furnizimin me gaz.
Pastaj zyrtarët (dhe fotografët pas tyre) do të shkonin në terren, çatitë do të rregulloheshin dhe gazi do të rikthehej në banesat e tyre. Qytetarët që jetojnë në rajonet e Rusisë mund të kënaqen gjithashtu duke mësuar disa fakte argëtuese rreth udhëheqjes së tyre.
Për shembull, mendimet e tyre mbi gjeopolitikën, se çfarë lloj muzike u pëlqen, dhe ku i marrin bluzat e tyre të shtypura me figura të ndryshme. Sigurisht, vetëm në rast se një licencë e tillë nuk konsiderohet një shkelje e së drejtës presidenciale.
Ramzan Kadyrov nxitoi të deklaronte se një linjë e ngjashme analoge ka ekzistuar prej kohësh në Çeçeni. Unë kam shkruar më parë se si “Direct Line” (“Linja e Drejtpërdrejtë”), ku presidenti Putin komunikon me rusët e thjeshtë, po bëhet institucioni i vetëm politik në vend.
Në Rusi, ku gjykatat nuk janë të besueshme, partia në pushtet nuk rrezikon që t’ia lërë zgjedhjet rastit. Presidenti nuk i nënshtrohet kritikave të opozitës kur paraqitet para parlamentit, dhe mediat që raportojnë mbi protestat mbikëqyren nga Kremlini.
“Linja e Drejtpërdrejtë”, është një hapësirë ku autoritetet dhe qytetarët transmetojnë ndjenjat e tyre ndaj njëri-tjetrit. Nëse nuk mund të ketë institucione të zakonshme demokratike për qeverisje efektive, legjitimitet dhe reagime, në Rusi ka dalë një shpikje ruse e brendshme.
Nuk ka ndërmjetës midis presidentit dhe popullit. Pra asgjë tjetër përveç “Linjës së Drejtpërdrejtë” dhe “tokës së djegur” të politikës ruse.
Dhe këtë vit ky model do të riprodhohet natyrshëm edhe në nivelin rajonal. Ne jemi gati të bëhemi vendi i parë në botë ku politika dhe qeverisja publike zhvillohet kryesisht përmes televizionit. Në episodin e fundit të“Linjës së Drejtpërdrejtë”, presidenti Putin pati kohë të shprehte mendimet e tij për shumë tema.
Jo, tha ai, fundosja e një destrojeri britanik në brigjet e Krimesë nuk do të çonte në një Luftë të Tretë Botërore. Por, ka probleme me kreditë e subvencionuara. Kostot e rritura për ata që bëjnë pushime brenda Rusisë, mund të shpjegohen me frikën e udhëtimit jashtë vendit.
Ne e kemi menaxhuar pandeminë më mirë se shumë vende të tjera, dhe për këtë ca merita i ka edhe parlamenti rus, Duma.
Ndryshimi i klimës mund ta shndërrojnë Tokën si planeti Venus, ku temperaturat arrijnë në500 gradë Celsius. Problemi i menaxhimit të mbetjeve në Federatën Ruse,mbetet një shqetësim serioz. Por më sfiduese nga të gjitha çështjet e ngritura në “Linjën e Drejtpërdrejtë” kishin të bënin me debatet më të mprehta të javëve të fundit:përplasjet rreth vaksinimit vullnetar (dhe të detyrueshëm). Pas muajsh spekulimesh, presidenti konfirmoi se ai ishte vaksinuar me vaksinën anti-Covid Sputnik V, dhe rekomandoi që të tjerët të ndiqnin shembullin e tij.
Njëkohësisht, ai shprehu kundërshtimin e tij ndaj vaksinimit të detyrueshëm, dhe theksoi se një punëtor nuk mund të pushohet nga puna vetëm sepse refuzon të vaksinohet. Ky qëndrim krijon hapësirë për spekulimet e skeptikëve ndaj vaksinave,dhe dështon të japë një përgjigje konkrete se si Rusia planifikon të mposhtë valën e tretë të pandemisë dhe vdekjet e saj në shifra rekord.
Ashtu si në vitin 2020, përgjegjësia për futjen e kufizimeve të reja u është deleguar rajoneve. Në përputhje me rrethanat, janë guvernatorët ata që do të mbajnë barrën e kritikave që do të pasojnë. Por jo të gjitha pyetjet ishin mbi aktualitetin.
U bënë edhe pyetjet tradicionale në lidhje me planet e presidentit:A do të ketë një pasardhës dhe çfarë do të bëjë Putini pas daljes së tij në pension? Në realitetin aktual politik të Rusisë, pyetje të tilla i përkasin zhanrit të trillimeve shkencore.
Me heqjen e kufizimin të mandateve presidenciale, Putin mund ta vonojë me dekada kërkimin e një pasardhësi. Madje, presidenti rus duket se e ka lënë këtë të nënkuptuar në përgjigjen e tij ironike:Do të vijë koha dhe do të emërohet një pasardhës, dhe atëherë populli rus do të vendosë nëse do ta pranojë atë apo jo.
Sa për planet pas daljes në pension, ndoshta nuk do të bëjë asgjë tjetër, dhe do të rri “thjesht pranë zjarrit”, siç tha vetë Putini nga fundi i lidhjes. “Linja e Drejtpërdrejtë2021” ka përshkruar kështu konturet e reja të jetës politike ruse.
Tani presidenti nuk ka as kundërshtarë publikë dhe as partnerë për debat, duke mos llogaritur konstruktin metafizik të publikut rus, që thirret në një shfaqje televizive, për t’u bërë një me udhëheqësin e tij kombëtar. Përtej kësaj, Putini nuk ofron as premtime dhe as plane. Me sa duket, për të ne tashmë jetojmë në më të mirën e të gjitha botëve të mundshme. /Përktheu: Alket Goce-abc