Të dashur miq!
Siç e pat, sot Edi Rama kishte mbledhur kryebashkiakët e vendit dhe po u mbante leksione kundër korrupsionit.
Atij tani i ka ngelur patatja e nxehtë në dorë dhe nuk ka çfarë të bëjë.
Ndryshe nga ai, opozita sot është e pakorruptuar.
Kjo, falë një strategjie brilante që hartoi Luli në bashkëpunim me Monikën 2 vjet më parë.
Cili është thelbi i kësaj strategjie?
Nga sondazhet që ne bënim, na dilte që opozita ishte e pabesueshme, pasi dhe ajo akuzohej për korrupsion.
Ne merrnim 1, qeveria merrte 10, e prapë na quanin njësoj.
Atëherë u ulëm të bënim një strategji tonën.
Strategjia synonte se si të shpëtonim opozitën nga akuzat për korrupsion.
Pas shumë propozimeve nga baza dhe nga udhëheqja, dominoi propozimi i Lulit.
Ai tha se ka një mënyrë që opozita të dalë e pastër nga kjo histori.
Dhe kjo mënyrë ishte ikja nga Parlamenti dhe nga zgjedhjet, pra ikja nga pushteti.
Gjetja ishte brilante. Duke mos pasur asnjë deputet në Parlament dhe asnjë kryetar bashkie në pushtet, opozita shpëtonte nga akuzat për korrupsion.
Përveç kësaj, ajo kishte dhe shansin që gjithë të korruptuarit pas kësaj ishin socialistë, pasi ata ishin dhe në qeveri, dhe në bashki.
Propozimi i Lulit i gjeti të gjithë të papërgatitur dhe i çuditi.
Askujt deri atëherë nuk i kishte shkuar mendja tek kjo zgjidhje gjeniale.
Me një lëvizje ne kishim mundësi t’i linim me gisht në gojë kundërshtarët tanë.
Dhe ashtu u bë. Që nga pranvera e vitit 2019 ne nuk jemi më as në Parlament, as në Bashki.
Si rrjedhojë ne nuk kemi asnjë shans për të vjedhur.
Kështu që i gjithë korrupsioni tani është socialist dhe Lul Basha ka shpëtuar opozitën me këtë strategji antikorrupsion.