Skënder Gjinushi: Relacioni mbi veprimtarinë e Akademisë së Shkencave në 6-mujorin e parë të vitit 2021

9 Korrik 2021, 18:04Kulturë TEMA
Skënder Gjinushi: Relacioni mbi veprimtarinë e Akademisë së

-Kryesia, seksionet, komisionet e njësitë janë angazhuar për realizimin e programit të miratuar nga kjo Asamble dhe për hedhjen e bazave të fazës së dytë të reformës, që lidhet me raportet që do të vendosen midis Akademisë së Shkencave dhe qendrave kërkimore në vend, si të atyre ekzistuese, ashtu edhe atyre të reja.
Faza e dytë është e lidhur me zgjerimin e forcimin e njësive të reja të kërkim-studimit.
Projektet e mëdha të albanologjisë përbëjnë dhe angazhimin kryesor tonin për këtë vit.

Relacioni i Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë mbi veprimtarin e Akademisë së Shkencave
në 6-mujorin e parë të vitit 2021 në mbledhjen e Asamblesë, që u mbajt sot, ditën e premte, ora 11.00.

“Të nderuar akademikë,
Anëtarë të komisioneve të përhershme, miq e të ftuar,

Gjatë periudhës tepër kritike që shkaktoi pandemia në vendin tonë dhe për mbarë njerëzimin, nga Asambleja jonë janë ndarë dy anëtarë të vyer të saj, dy miq e kolegë të shtrenjtë e të paharruar. Të dy, përveç cilësive të tyre të veçanta, përcjellin mesazhe domethënëse.

Profesor Petraq Petro është përfaqësues i një plejade të brezit të mesëm, që pati fatin e keq të largohet gjatë tranzicionit të reformës së Akademisë së Shkencave në periudhën 2007-2021. Vlerat e kontributet e tij e të ish-kolegëve tanë të nderuar e të paharruar: Alfred Uçi, Arben Puto, Afërdita Veveçka, Dritëro Agolli, Farudin Hoxha, Gudar Beqiri, Jorgo Bulo, Kristo Frashëri, Kolec Topalli, Kristaq Prifti, Salvator Bushati, Shaban Demiraj e Ylli Popa, tregojnë edhe një herë cila është dhe ka qenë figura reale e akademikut, cilat janë potencialet e këtij komuniteti.
Profesor Artan Boriçi ishte një ndër anëtarët më të rinj të Asamblesë, zgjedhur në kuadër të reformimit. Cilësitë dhe veprat e tij, sipas vlerësimit të kolegëve të shumtë që kishte në Perëndim, specialistë nga më të shquarit, dëshmojnë potencialin real të breznive të reja e të prurjeve të reja për Akademinë tonë, si dhe faktin që mundësitë reformuese ishin brenda vendit. Ai ishte një shkencëtar shqiptar me njohje ndërkombëtare dhe ndërlidhës i dijeve të vendit të tij me Botën, shkruan Filip de Forkrand, ekspert në fizikën teorike në CERN. Vlerësoj shumë entuziazmin me të cilin ai punonte me studiuesin e rinj të vendit të tij, shkruan Franceso Loparco nga Universiteti Aldo Moro në Itali. Një fizikan i jashtëzakonshëm, një person jashtëzakonisht i këndshëm, shkruan Gilberto Colangelo, ekspert në fizikë teorike nga Universiteti i Bernës.

(Homazh për kujtimin dhe veprën e tyre).

Mbi një muaj më parë zhvilluam një mbledhje ceremoniale të Akademisë së Shkencave, ku kurorëzuam një nga elementët kryesorë të fazës së parë të reformës, e cila, me pranimet e sotme të gjashtë anëtarëve të rinj, konsiderohet e përmbyllur. Ristrukturimi e rifreskimi i plotë i Akademisë, i strukturave të saj dhe sidomos i kësaj Asambleje, përbënte edhe detyrën kryesore të vendosur prej saj për vitin 2021.

Për efektet, përparësitë e rezultatet e kësaj faze, ne, si Asamble e Kryesi, jemi shprehur në vazhdimësi. Pozitiv është fakti se, me rastin e paraqitjes së këtij rrugëtimi gjatë mbledhjes ceremoniale të pranimit të disa prej anëtarëve të jashtëm apo rivlerësimit të titujve të tyre sipas ligjit të ri, mund të themi se edhe partnerët zyrtarë bashkëpunues, si Qeveria e Kuvendi, institucionet e arsimit të lartë dhe opinioni i shëndoshë intelektual e më gjerë, njohën, vlerësuan e mirëpritën rezultatet e para të reformës në Akademinë e Shkencave, duke shprehur mbështetje për vazhdimin e saj. Sot vlen të falënderojmë gjithkënd që kontribuoi në kalimin e kësaj faze të vështirë e përcaktuese për të ardhmen e Akademisë së Shkencave e të vetë shkencës shqiptare.

Meritën e parë e ka kjo Asamble, e cila që në fillim shprehu e mbështeti idenë se Akademia e Shkencave ka aftësinë të vetëreformohet, çka e konkretizoi më tej me mbështetjen e gjithë akteve ligjore e nënligjore, si dhe me transparencën e plotë në hapjen e strukturave të saj ndaj botës akademike në tërësi e në përzgjedhjen e zgjedhjen e anëtarëve të rinj, vetëm mbi kriterin e aftësisë profesionale dhe të integritetit intelektual.

Reforma nuk do t’i qe besuar Asamblesë së Akademisë së Shkencave në rast se drejtuesit e saj të kohës, akademikët Beqiraj e Korkuti, në momentin e duhur, nuk do t’i hapnin rrugë asaj, duke treguar se interesi i tyre i vetëm ishte mbijetesa e Akademisë së Shkencave si një institucion i domosdoshëm e parësor i sistemit shkencor të një vendi europian, jo postet personale. Drejtimi i Akademisë së Shkencave në këtë periudhë të vështirë, deri dhe me një anëtar kryesie, ngarkesë të cilën e mbajti akad. Vasil Tole, meriton të përgëzohet e vlerësohet, duke treguar se edhe në atë situatë kur Akademia e Shkencave qe e zhveshur nga çdo strukturë e kërkimit dhe studimit aktiv, me një buxhet të kufizuar e pa asnjë mbështetje nga jashtë, arrinte përsëri të kryente detyrat e veta bazike, si botimi i një numri veprash, disa aktivitete kryesore në fusha të ndryshme të dijes e shkencës, promovime të më të suksesshmëve nëpërmjet dhënies së çmimeve e deri konferenca të përmasave të tilla si ajo për figurën e Skënderbeut. Këto krijuan bindjen se Akademisë së Shkencave nuk i mungonte potenciali i brendshëm, por ai duhej përkrahur e jo paragjykuar.
Së fundi përgëzojmë edhe gjithë ata që organizuan ceremonialin e datës 28 maj 2021, zhvillimi i suksesshëm i të cilit dha më të plotë imazhin e një akademie të reformuar. Merita këtu i takon si kancelarit të ri, ashtu edhe administratës në tërësi, një tjetër trashëgimi pozitive, që tregoi mundësitë e saj për të mbështetur reformimin e Akademisë së Shkencave, duke iu përshtatur kushteve të reja të punës.

Gjatë kësaj periudhe, Kryesia, seksionet, komisionet e njësitë janë angazhuar për realizimin e programit të miratuar nga kjo Asamble dhe për hedhjen e bazave të fazës së dytë të reformës, që lidhet me raportet që do të vendosen midis Akademisë së Shkencave dhe qendrave kërkimore në vend, si të atyre ekzistuese, ashtu edhe atyre të reja.
Faza e dytë është e lidhur me zgjerimin e forcimin e njësive të reja të kërkim-studimit. Për pasojë aktiviteti i tyre përbën edhe një nga detyrat kryesore të kësaj periudhe. Në këtë drejtim ka disa arritje konkrete. Më në fund laboratori i imunologjisë në QSUT i është atashuar njësisë së bioteknologjisë e nëpërmjet tij është ndërmarrë faza e tretë e studimit serologjik për vlerësimin e imunitetit të fituar ndaj Covid-19, nën drejtimin e akad. Sulçebeut dhe të prof. Alban Yllit. Vetë njësia ka krijuar rrjetin e saj të bashkëpunëtorëve, me të cilët zhvilloi me shumë sukses dy konferenca ndërkombëtare, nën drejtimin e akademikëve Kongjika e Mikerezi dhe të profesores Ariola Bacut. Ndërkohë edhe njësia NanoAlb ka forcuar aktivitetin e grupeve pranë saj, duke vazhduar sipas programit projektet e nisura vitin e shkuar, të cilët, deri tani, sipas vlerësimit të drejtuesit të njësisë akademik Merkoçit dhe të koordinatorëve, prof. Vasjari e prof. Xhaxhiu, kanë një ecuri të mirë. Njësia e gjeofizikës i ka kryer me kohë detyrat e saj dhe tani do të ndërmarrë konceptimin e riorganizimit të një instituti të sizmologjisë dhe të tërë strukturave që veprojnë në këtë fushë e në atë të gjeofizikës.

Sipas programit, janë ngritur njësia e inteligjencës artificiale, e drejtuar nga akademikët Frashëri e Durrësi, e cila është duke përcaktuar prioritetet e saj; si dhe instituti i fizikës, me një bord drejtues të përbërë nga akademikët Meidani, Vila e Hafizi. Akad. Meidani është kryetar i bordit e prof. Hafizi drejtore ekzekutive. Ky është një institut virtual, një praktikë e përvojë e re për ne. Të dyja strukturat e reja janë mirëpritur; një numër profesorësh e kërkuesish kanë shprehur dëshirën për të qenë bashkëpunëtorë të njësisë së inteligjencës artificiale, ashtu si mjaft fizikanë ndër më të suksesshmit brenda e jashtë vendit i janë bashkuar si anëtarë institutit të fizikës ose kanë shprehur dëshirën për këtë.

Projektet e mëdha të albanologjisë përbëjnë dhe angazhimin kryesor tonin për këtë vit. Tashmë për hartimin e Historisë së shqiptarëve ka përfunduar faza përgatitore; është përcaktuar grupi i hartuesve, të cilët janë të organizuar në shtatë nëngrupe sipas periudhave të ndryshme historike. Me autorët kryesorë janë lidhur kontratat e bashkëpunimit, si dhe janë përcaktuar masa dhe modalitetet e shpërblimit të autorëve. Nga drejtuesit e projektit, akad. Xhufi e prof. Ceka, janë hartuar kriteret që njësojnë mënyrën e citimit dhe terminologjinë e përdorur për çështjet themelore. Tashmë mund të themi se ka filluar puna për hartimin e teksteve të para. Theksojme se në këtë ndërrmarje me përgjegjësi është siguruar bashkëpunimi me të tre institutet e specializuara që ekzistojnë në Shqipëri e Kosovë, duke përfshirë Institutin Albanologjik të Prishtinës; si dhe me departamentin e historisë pranë Universitetit të Tiranës. Përzgjedhja e autorëve dhe bashkëpunëtorëve është bërë sipas kriterit të aftësisë, e dëshmuar kjo me studimet e botimet e kryera për peridhën përkatëse; nëpërmjet konsultimeve me komisionin përkatës, seksionin, drejtuesit e institucioneve, këshillin shkencor të QBAE-së dhe përgjegjësit e grupeve të studiuesve ngritur sipas periudhave.
Për hartimin e Fjalorit të madh të shqipes periudha përgatitore ka qenë më e gjatë dhe puna më voluminoze. Edhe për të mund të themi se kjo fazë është në përfundim, nën kujdesin e akad. Thomait e prof. Memishajt. Për të bërë një punë që t’i shërbejë më mirë së ardhmes, kemi ambicien të krijojmë një bazë të dhënash të sistemuar sipas metodologjive të kohës, që jo vetëm të lehtësojë hartimin e fjalorit, por dhe të mundësojë që përmirësimi e pasurimi i tij në vazhdimësi të realizohet sipas lehtësirave e saktësive që ofron teknologjia moderne. Për këtë pranë QBAE-së do të krijohet një njësi ndihmëse e pajisur me logjistikën e duhur teknologjike, si server, kompjutera etj. Dëshirojmë e synojmë të përfitojmë nga përvoja e anëtarit të ri të Akademisë së Shkencave Elton Prifti, i cili ka një përvojë të shkëlqyer në këtë drejtim dhe po tregon një gatishmëri maksimale për të ndihmuar në konceptimin e ngritjes së njësisë ndihmëse për fjalorin, sidomos për programet. Ndërkohë, është përcaktuar grupi i autorëve, të cilët kanë lidhur dhe kontratat përkatëse; si dhe grupi i bashkëpunëtorëve. Po vijon puna për vjeljen e leksikut të shkrimtarëve me kontribute në fjalëformim, duke skeduar fjalët e rralla nga vepra e Fishtës, Camajt, Kutelit, Petro Markos, Azem Shkrelit etj. Edhe për fjalorin, autorët e bashkëpunëtorët janë përcaktuar sipas kritereve që janë zbatuar për projektin e historisë. Madje, për shkak të volumit të madh të punës e numrit të limituar të leksikografëve, thuajse të gjithë specialistët e kësaj dege, në Shqipëri e Kosovë, pranë instituteve përkatëse a universiteteve, janë angazhuar në këtë projekt madhor.

Përsa i takon Enciklopedisë shqiptare, për shkak të përmasave të kësaj vepre, të kostos së saj, pas dakordësisë parimore, kemi pritur që dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës të përgatitet për të konkretizuar bashkëpunimin. Nga ana jonë siç dihet janë bërë disa punë përgatitore kryesisht për strukturat që duhet të ngrihen, për drejtuesit eventualë të tyre, për numrin dhe anëtarët e redaksive, si dhe për përbërjen e strukturës ndihmëse. Si për fjalorin, dhe për enciklopedinë, synimi është që pranë QBAE-së të ketë një sektor e një bazë të dhënash që mundëson pasurimin e rifreskimin e enciklopedisë në vite. Sipas një dakordësie paraprake me ASHAK-un, mendohet që ky projekt të drejtohet nga një redaksi qendrore e përbashkët, ndërsa dy redaksitë gjegjëse, për Shqipërinë e për Kosovën, do të punojnë paralelisht, duke respektuar të njëjtat kritere në përcaktimin e përgatitjen e zërave. Synojmë që së shpejti t’u paraqitet dy qeverive kërkesa për mbështetje financiare të projekteve për albanologjinë e veçanërisht për enciklopedinë.

Siç dihet, në programin tonë është parashikuar organizimi i një sërë konferencash, simpoziumesh, forumesh jubilare, shumica e të cilave janë realizuar e për to gjithkush nga ne është në dijeni, edhe për faktin se gjithkush nga ju ka qenë pjesëtar apo organizator i tyre. Por është e nevojshme t’ju informoj për organizimin e deritanishëm të dy ngjarjeve kryesore të këtij viti: të kuvendit ndërkombëtar të studimeve albanologjike dhe të kongresit ndërkombëtar të organizuar nga njësia NanoAlb. Për organizimin e kuvendit të albanologjisë funksionon një komitet organizator, i përbërë nga kryetarët e dy akademive, rektorët e disa universiteteve, rektori i ASA-s dhe drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Nga thirrjet e dërguara drejt albanologëve të huaj e specialistëve vendës, deri më tani kanë konfirmuar pjesëmarrjen 26 albanologë të huaj, kontributin e të cilëve ne e vlerësojmë parësor; si dhe 31 albanologë të tjerë. Nga Kosova kanë konfirmuar pjesëmarrjen 41 studiues, ndërsa nga Shqipëria rreth 63. Disa nëngrupe janë afruar nga anëtarë të caktuar të Akademisë, çka flet për një interesim të madh ndaj këtij aktiviteti. Kemi përcaktuar dhe vendin e zhvillimit të kësaj ngjarjeje të rëndësishme, në ambientet e hotel Plazza, sigurisht me tarifa minimale. Deri në shtator priten abstraktet për të përcaktuar programin konkret.

Edhe organizimi i kongresit të nanoshkencës dhe nanoteknologjisë është në rrugën e duhur. Në të pritet të marrin pjesë mbi 200 shkencëtarë e kërkues nga më të njohurit në Botë. Për Shqipërinë kjo është një ngjarje e madhe jo thjesht për fushën në të cilën mbahet, por për tërë shkencën shqiptare. Po përgatitemi si vend pritës për organizimin sa më të mirë të kongresit, i cili do të zhvillohet në ambientet e hotel Tirana International dhe të Muzeut Kombëtar. Vetë njësia po përgatitet që të përfaqësohet në këtë kongres me referimet e kumtesat e grupeve që veprojnë pranë saj.

Edhe për këtë vit është parashikuar botimi i rreth 30 veprave, me autorë akademikë ose të jashtëm. Botimi i tyre tashmë është normalizuar, duke siguruar daljen në kohë nga shtypi, si dhe duke eliminuar disa prapambetje të akumuluara në vite. Edhe revistat periodike janë futur tashmë në procesin normal të botimit; janë ringritur redaksitë mbështetur në rregulloren e re të periodikëve. Ngjarjet e mëdha shkencore, si në albanologji, ashtu dhe në fushat kryesore të shkencave natyrore e teknike janë një burim i madh për ngritjen e nivelit të revistave, si dhe për nxjerrjen e disa numrave specialë për to.

Bashkëpunimi me institucionet kryesore, sidomos me universitetet, përveç formalizimit me marrëveshje të reja, të rikonceptuara, është konkretizuar në gjithë veprimtaritë tona kryesore, siç del edhe nga sa më sipër. Ndërsa procesi i krijimit të standardeve me akte të brendshme në zbatim të Ligjit nr. 53/2019 dhe të Statutit të Akademisë mund të quhet i përfunduar.

Arritjet e gjysmës së parë të vitit janë inkurajuese. Tashmë Akademia e Shkencave është institucion që krijon ngjarje të dobishme për publikun çdo javë . Institucioni është rikonsoliduar përfundimisht, emri i Akademisë së Shkencave është rehabilituar në pikëpamjen intelektuale e morale, opinioni tani e sheh Akademinë si një qendër reale të kërkimit shkencor elitë, që trashëgon vlerat më të mira të trashëgimisë së saj. Vitin e ardhshëm na presin dy ngjarje historike të mëdha: 50-vjetori i themelimit të Akademisë dhe 50-vjetori i mbajtjes së Kongresit të Drejtshkrimit, për të cilat përgatitjet do të fillojnë që këtë vit. Paralelisht me dy kongreset që na presin në vjeshtë do të bëhen përgatitjet edhe për këto dy ngjarje jubilare. Kjo do të kërkojë bashkëpunim të gjithë anëtarëve të Asamblesë, secili në fushën e tij; do të kërkojë kontribute nga gjithsecili prej nesh.

Të dashur kolegë, të nderuar akademikë, kjo ishte pasqyra e punëve të kryera dhe e detyrave që na presin për këtë vit, siç është vendosur në mbledhjen e Asamblesë në janar. Ju faleminderit për vëmendjen. ”

8 komente në “Skënder Gjinushi: Relacioni mbi veprimtarinë e Akademisë së Shkencave në 6-mujorin e parë të vitit 2021”

  1. - says:

    Nder shum detyra qe keni per te kryer dhe riparuar ne te drejte te historis arberore ju del edhe nje detyr tjeter qe eshte me shume rendesi persa i perket emrave te huazuar,apo te tjetersuara nga puahtuesit turq,sllav,apo grek.jemi te vetmit ne bote qe mbajme mbi shpine emrat e vendbanimeve arbenore me emra pushtuesish.Pa realizuar kete objektiv do te kemi gjithmone pretendime nga ana e fqinjeve pushtues te kohrave te ndryshme.

  2. Covidiani says:

    Akoma me Kenon ju? Akademia e Verres qe keni 30 vjet beni copy & paste edhe lepini bythet e krereve te PD ose PS per nje pjat supe edhe per nje pale celsa zyre. Kerma.

  3. xhoxhi says:

    Shqiptarët bredhin nëpër botë për punë ky na tregon punimet shkencore.Mbeti Albania të bëjë shkencë.Po ku të le mafia more Skënder të ngresh kokë për shkencën.

  4. Watch R. says:

    Kur te pergatitet “Relacioni” i dyte per vitin 2021, te kihet ne verejtje qe, permendja e akademikut te jete Emer e Mbiemer (e jo disa vetem me mbiemer)

  5. Watch R. says:

    Kur te pergatitet “Relacioni” ne 6-mujorin e dyte per vitin 2021, te kihet ne verejtje qe, permendja e cdo akademiku te jete Emer e Mbiemer (e jo disa vetem me mbiemer)

  6. Turp e faqja e zeze says:

    Hej Skendo po cfare bilanci ben ore i shuar me uje .Po cfare Akademi keni krijuar more. Ju jeni turpi botes. Akademia juaj eshte virtuale sepse ska akademike me . Sala e beri me plan shkaterrimin tuaj dhe ja arriti qellimit. Po te gjithe ju qe e morret ne dore te gjithe per vete punoni ku te xhavtni ndonje lek a rruge jashtetit. Blloku komunist vazhdon. Sa kohe ju do vazhdoni me keto metoda deshtimi eshte i sigurte. Jeni turpi vendit me menyren si punoni. Turp e faqja e zeze.

    1. Zalo Kurveleshi, shpikësi i mullirit të kafesë dhe fyellit të Partisë. says:

      Do doja të dija nëse i është dhënë paraprakisht për t’a parë dhe analizuar shokut Muho Asllani dhe shoqes Lenja Çuko, si ndoshta nga të vetmit anëtar të byrosë politike të mbetur gjallë, për të vlerësuar raportin nga pozitat e konseguencës në raport me vijën e Partisë dhe porositë shumë të çmuara për shkëncën dhe teknologjinë të dhëna nga udhëheqësi i lavdishëm dhe i paharruar i Partisë dhe popullit tonë shoku Enver Hoxha në plenumin e fundit mbajtur në Salari të Kurveleshit.

  7. Realisti says:

    Qylaxhinj qe merrni nga taksat e shqiptareve te varfer. Parazite intelektuale

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje