Kryeministri holandez, Mark Rutte deklaroi se kufizimet për koronavirus, janë lehtësuar më shpejt sesa është dashur, ndërsa ka kërkuar falje.
Rutte, të premten e javës së kaluar ka vënë kufizime në bare, restorante dhe klube të natës, duke bërë përpjekje që të ndalë zinxhirin e infektimeve te të rinjtë, vetëm dy javë pasi shumica e masave të izolimit janë hequr në këtë shtet.
“Çfarë kemi menduar se është e mundur, doli të mos jetë e mundur në praktikë”, u ka thënë Rutte gazetarëve të hënën. “Nuk kemi pasur gjykim të drejtë, na vjen keq dhe kërkojmë falje”.
Deri më tani, rritja e numrit të të infektuarve në Holandë nuk ka ndikuar në rritje të numrit të pacientëve nëpër spitale, marrë parasysh se shumica e rasteve të reja janë mesin e të rinjve.
Sakaq, ministri holandez i Shëndetësisë, Hugo de Jonge, ka thënë të premten se numri i personave të shtrirë nëpër spitale, mund të “rrezikohet” nga një rritje e pashembullt e shkallës së infektimit.