Komisioneri Publik ankimon vendimin për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Tiranës Gerd Hoxha.
Komisioneri kërkon që vendimi i shkallës së parë të vettingut (KPK) të rrëzohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe Hoxha të përjashtohet nga drejtësia.
Gerd Hoxha u konfirmua në detyrë më datë 3 qershor 2021, nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Kryesuesi i trupit gjykues të KPK-së, Olsi Komici deklaroi se konfirmimi në detyrë i Hoxhës është marrë me shumicë votash.
Ndërkohë, në mënyrë unanime, Komisioni vendosi të dërgojë për inspektim në institucionin e Inspektorit të Lartë te Drejtësisë dy vendimmarrje të gjyqtarit Gerd Hoxha. Ndërkohë, ndërkombëtarët e ONM thanë se Gerd Hoxha kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia.
ONM, kërkoi vlerësim negativ për kriterin profesional pasi evidentoi problematike dy vendimarrje të Hoxhës kur ai ishte anëtar i KLD-së, duke konstatuar se subjekti kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia.
Nga sa u relatua në seancën dëgjimore bëhej fjalë për vendimet e KLD-së në dhënien e lejes për ish-gjyqtarin Gjin Gjoni dhe rrëzimin e kërkesës së Ministrit të Drejtësisë për shkarkimin e gjyqtarit Petrit Aliaj.
Një gjetje e tretë e ONM-së kishte të bënte me një dosje penale në ngarkim të një infermiereje dhe farmacistes të QSUT-së për abuzime me barnat për të sëmurët me kancer.
Gjithashtu, KPK vuri në dukje disa mungesa burimesh financiare sa i përket pasurive që gjyqtari kishte së bashku me ish-bashkëshorten Elbana Lluri, po ashtu gjyqtare. Lluri u konfirmua nga KPK, por me rekomandim të ONM-së, Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin për të.
Njoftimi i anklimimit të Komisionerit Publik
Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 393, datë 3.6.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Gerd Hoxha, me funksion gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë, Tiranë.
Komisioneri Publik, mbështetur në kompetencën e tij kushtetuese dhe ligjore, në vlerësim edhe të rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), konstaton se, nga shqyrtimi i vendimit nr. 393, datë 3.6.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe akteve shoqëruese të tij, paraqiten rrethana të tilla ligjore e fakti, që e bëjnë të cenueshëm vendimin në tërësinë e tij.
Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e ankimit të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, pasi të ketë kryer vetë Kolegji një hetim dhe vlerësim të plotë të rezultateve të hetimit administrativ për subjektin e rivlerësimit, të vendosë, në mënyrë alternative, lënien në fuqi të vendimit nr. 393, datë 3.6.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ose ndryshimin e tij.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi bashkë me Rekomandimin e ONM-së janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.