Studentët e Universitetit Europian të Tiranës kremtuan përfundimin e studimeve, Selami Xhepa: Ja plani i zhvillimit të UET 2025

21 Korrik 2021, 19:26Sociale TEMA

Nën kapelat dhe pelerinat bojëqielli, të njehsuar e të bërë njësh, dhjetëra studentë të Universitetit Europian të Tiranës, kremtuan të enjten përfundimin e studimeve.

Mes qindra syresh, shquhej emocioni, krenaria dhe lumturia e prekjes së kësaj dite domethënëse, që përmbyll një cikël jetësor. Një pjesë e vendosur në puzzlin e jetës së gjithsecilit, e cila shton etjen për të jetësuar pjesët e tjera.

Pas shkëputjes nga pandemia e COVID-19, e cila kufizoi jetën njerëzore në shumë aspekte, ashtu si edhe jetën akademike e studentore, UET, në 15-vjetorin e themelimit të tij, riktheu këtë traditë të kurorëzimit të suksesit, arritjeve e përpjekjeve të studentëve dhe stafit akademik.

Kjo ceremoni diplomimi ishte një ngjarje e veçantë, sepse shënjoi diplomimin e brezit të parë të diplomave të reja, të programeve që u hapën në vitin akademik 2018-2019. Në këtë vit, 3 fakulteteve të UET-së, iu shtuan 2 fakultete të reja, Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike dhe Fakulteti i Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës, duke e bërë kështu një institucion të përplotësuar në ofertën e vet akademike, me më shumë mundësi studimi për të rinjtë.

Të diplomuarit bachelor nga 5 fakultetet e UET-së patën mundësinë të marrin vlerësimet dhe urimet e përfaqësuesve më të lartë të UET-së dhe pedagogëve të tyre, si dhe të përjetojnë mes shumë emocionesh hedhjen e kapelës, një moment festimi, që njëherësh dikton një rrugëtim të gjatë profesional. E ndërsa vitet kalojnë dhe UET vulos emrin e tij në historinë e arsimit të lartë shqiptar, dinamizma të reja shfaqen në sfond, bashkë me përkushtimin dhe dëshirën për të qenë gjithmonë të parët dhe për të sjellë sërish e vazhdimisht gjëra të mëdha për Shqipërinë.

Në kohë sfidash, gjërat mund të ndryshojnë, por UET do të mbetet gjithmonë një brand, i pari dhe i vetmi universitet privat, që diferencohet syresh me lehtësi, falë vizionit që e ka lindur dhe drejtuar ndër vite. Aty ku qëndron vullneti dhe dëshira, shkërmoqet pamundësia. Me shpresën e ditëve më mira për shoqërinë shqiptare, UET vijon përpara, frymëzues dhe novator, sepse gjëra të mëdha na presin!

PRESIDENTI I UET, SELAMI XHEPA, LANÇON PROJEKTIN E ZHVILLIMIT: NË PARTNERITET ME KPT-NË

Në fjalën e tij, presidenti i UET-së, prof. asoc. dr. Selami Xhepa, tha se prej 13 vitesh që UET ka ndarë diplomat e para, më shumë se 15 mijë ekonomistë, juristë, inxhinierë, profesionistë të të gjitha fushave të dijes, kanë zgjedhur të ndërtojnë karrierën e tyre të ardhshme duke u formuar pranë UET. Për këtë arsye, ai falënderoi gjithë të rinjtë që ia kanë besuar formimin profesional dhe të ardhmen UET-së. Më tej, Xhepa lançoi projektin e zhvillimit në pesë akse, Partneritet me Kolegjin Profesional të Tiranës/Kampus i ri modern/ të paktën 5000 studentë aktive në një vit akademik/të paktën 10 programe në anglisht/të paktën 1000 studentë të huaj.

“Prej më shumë se 3 vitesh, jemi futur në një rrugë zhvillimi, polivalente, me më shumë programe e mundësi zgjedhjeje për studentët tanë. Kemi përmirësuar ndjeshëm kurrikulën tonë mësimore, duke u përshtatur me kërkesat e sotme të ekonomisë dhe shoqërisë. Kemi ruajtur standardet e mësimdhënies, duke inkurajuar lirinë e mendimit dhe gjykimin kritik. Jemi duke realizuar edhe një hap tjetër të rëndësishëm, atë të zhvendosjes drejt një kampusi të ri universitar, i cili plotëson në mënyrë më të përshtatshme nevojat e zhvillimit institucional.

Deri në përfundim të kampusit të ri, universiteti do të vazhdojë të funksionojë në ambientet e simotrës së vet, Kolegjit Profesional të Tiranës, që bëhet zgjatim i universitetit tonë. Ky partneritet i ri, jo vetëm që rrit qëndrueshmërinë tonë të universitetit, por njëherësh zgjeron mundësitë e zgjedhjes së studentëve, pasi portofoli ynë do të përfshijë në këtë mënyrë të gjithë ciklin e studimeve, që ndjek individi pas shkollës së mesme, nga diplomat e formimit profesional, deri te studimet doktorale, që janë niveli më i lartë i studimeve akademike. Duke u rilokuar në premisa të reja, universiteti ynë do të kontribuojë në zgjerimet e jetës sociale të kryeqytetit, duke përçuar vlerat më të mira që ne kemi krijuar ndër vite. Ekosistemi që krijon UET, kudo ku janë vendosur, janë themelore, jo vetëm për suksesin tuaj, por edhe një model për komunitetin ku ne punojmë”, deklaroi Xhepa.

ELVIN GURI: VITET TUAJA MES TË 20-30-VE, JANË MË TË VËSHTIRAT

Aksioneri kryesor i “One Telecommunications”, Elvin Guri, një investitor dhe sipërmarrës me përvojë 25-vjeçare, i cili e ka përqendruar veprimtarinë e tij në ndërmarrje industriale, kujtoi për studentët periudhën kur ai ishte në të njëjtën moshë dhe gjendej mes shumë pikëpyetjeve për jetën dhe të ardhmen. Tashmë që ai ka gjetur veten dhe u ka dhënë përgjigje të gjithave pyetjeve që rëndonin në kokën e tij, është në gjendje të udhëzojë të rinjtë, që vetëm nëpërmjet punës dhe përgatitjes do të zbulojnë dhe ndjekin rrugën, së cilës i përkasin.

BATON HAXHIU: MOS BRAKTISNI SHQIPËRINË! COMMENCEMENT SPEECH

Gazetari dhe analisti i njohur, Baton Haxhiu, zgjodhi të mbante një fjalim para studentëve, të titulluar “Pse nuk duhet ta lini Shqipërinë”, duke prekur kështu një çështje përvëluese, që djeg sa herë që bëhet temë diskutimi. “Ky është vendi më i bukur, që mund të përjetoni dhe e shijoni në jetën tuaj”, tha Haxhiu, duke shtuar se largimi do të ishte një nisje e gabuar e jetës.

“Po ju them me bindje, se Shqipëria ka nevojë për ju, ju i duheni Shqipërisë dhe do ta bëni më të mirë, nëse e shijoni atë në veçantitë e saj”, shtoi më tej gazetari, i cili rrëfeu se me profesionin e tij kishte pasur mundësi të zgjidhte të jetonte në shumë vende të Europës dhe botës, por qëndroi në Shqipëri, për të kontribuar për të dhe shqiptarët që e duan.

“Ikja dhe intelektualiteti nuk kanë gjë të përbashkët. Ik dhe bëhu profesionist i madh diku tjetër, por intelektual nuk do bëhesh kurrë, sepse ke refuzuar ta bësh betejën dhe kjo s’ka lidhje me intelektualin. Marrim si shembull Arben Xhaferrin. A nuk do të ishte sociolog i përmasave botërore, po të merrej vetëm me studimin, i shkëputur nga konteksti, në të cilin është rritur? Patjetër që po. Por ai ka zgjedhur ta bëjë intelektualin patriot para sociologut profesionist. Kush ikën, mund t’i tregojë vetes arsye sa të dojë, por thellë-thellë secili e di se ka braktisur betejën e tij personale dhe në njëfarë forme ka braktisur veten. Por, vetëm edhe një gjë. Nuk po them se është mëkatare të largohesh, e kam menduar edhe vetë normalisht. Këtu futet edhe rrugëtimi pastaj, njerëzit që takon dhe të inspirojnë, njerëzit që të japin shansin. Por ikja, nëse duhet të jetë alternative, duhet të jetë krejt e fundit, pasi janë shterur të gjitha të tjerat”, përmbylli Haxhiu.

PROF. NEVILA NIKA, REKTORJA E PARË ZONJË E UET ME BREZIN E 2020-2021

“Në 15-vjetorin e themelimit të këtij institucioni të veçantë, kam pasur kënaqësinë që të jem që në fillim, jo si pedagoge, por si pjesë e bordit. E kujtoj entuziazmin. Kërkoj edhe prej jush të keni vizion, dëshirë, entuziazëm dhe këmbëngulje për të bërë diçka në Shqipëri. Guxim për të qëndruar. Ju këshillojmë të gjithë: bota është e madhe, por vendlindja kurrë nuk harrohet, edhe vendi ku ke bërë universitetin nuk harrohet. UET është një brand, një histori suksesi që ka pasur zigzaget e veta, por fakti që ju jeni kaq shumë tregon për suksesin tonë”

NË VITIN E 15-TË JA FJALËT E REKTORIT TË PARË TË UET, PROF. FERIT DUKA

“Ndihem shumë i lumtur që sot, nga kjo faltore, në jubileun e 15-të të UET-së, kam kënaqësinë t’i drejtohem këtij brezi të mrekullueshëm, i cili konkludon një periudhë shumë të rëndësishme të jetës, siç janë studimet universitare. Tashmë një periudhë më e rëndësishme fillon për ju, ku duhet të ndërtoni një koncept të drejtë për punën, shoqërinë, punën. Fillon një periudhë ku ju do të përfshiheni në valën e madhe të jetës dhe punës, do të ndesheni me vështirësi dhe sfida të mëdha, por unë kam bindjen e patundur, se ju, në çdo qelizë të shoqërisë ku do të punoni, nuk do të largoheni nga etja për dije dhe kulturë. Do të lartësoheni gjithmonë profesionalisht dhe kulturalisht, e në këtë mënyrë do ta bëni UET-në krenar për produktin e vet, ashtu si dhe UET, me ecurinë e tij të suksesshme që ka treguar në këto 15 vite, do të vazhdojë të lartësohet e do të ecë më tej. Besoj se ju, deri në fund, do të luftoni dhe do të bëni më të mirën, për shtetin, shoqërinë dhe Shqipërinë”.

1 komente në “Studentët e Universitetit Europian të Tiranës kremtuan përfundimin e studimeve, Selami Xhepa: Ja plani i zhvillimit të UET 2025”

  1. shqeto says:

    Selami Xhepa ka qene keshilltar i Sali Berishes ne qeverisjet e tij; une kisha nje simpati kur e degjoja qe fliste per ekonomine, pavaresisht se ai hante, pinte dhe pergatiste progarmet Sali Berishes, por nuk e nxierr pa faj sepse eshte pjestar ne fatkeqesine shqiptare qe i solli Saliu atij populli. Ndoshta aty ka gjetur vetveten dhe kerkon qe ta harroje se çfare ka bere, por me mire keshtu se te vazhdosh si dy ekonomistet e presidences qe s’punuan kurre ekonomiste: Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi. A jane ekonomiste keta? Punuan ndonje dite? Si mund dhe paguajne 160 mije paund Anglise per femijet e tyre, ku i gjejne dhe femijeve shqiptare u thone mos u largoni nga Shqiperia! Keto e shume te tjera me bejne qe s’rri dot pa folur, por fale kesaj gazetes qe shkruajme ndonje gje dhe e merr e kalon dete e male per ta lexuar dikush ne Shqiperi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje