Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico deklaroi se rritja e rasteve me COVID gjatë ditëve të fundit në vend lidhet me heqjen e kufizimeve për shkak të sezonit turistik.
E pyetur nëse po qarkullon në vendin tonë varianti “Delta” i Covid, Fico tha se ashtu sikurse kanë bërë me dije në laboratorin e ISHP janë hasur sinjale të pazakonta, ndërkohë që ende nuk kanë marrë një përgjigje nga Gjermania.
“Janë dy elementë të tjerë. Nuk duhet të harrojmë që në verë ka një hapje me lehtësim të masave me ose pa variante është diçka që do të sjellë rritje. Këto infeksione janë në numra të vegjël, por për të thënë që pandemia ka mbaruar nuk është e arsyeshme dhe është e parakohshme. Lehtësimi i masave, një harrim nga ana e qytetarëve që të jenë të kujdesshëm, grumbullimet, tendenca në vendet e pushimit që grumbullohen.
Të gjitha këto janë gjëra që kanë sjellë rritje të rasteve. Ky është një moment kyç që duhet të jemi të vëmendshëm. Ndërkohë që po vazhdojmë me vaksinimet, sot jemi diku 500 mijë të vaksinuar me të dy dozat. Kjo nuk është e mjaftueshme që të na bëjë të jemi të qetë. Duhet të jemi alert në raport me masat e marra. Të gjithë e duam fundin e kësaj epopeje”, u shpreh Fico në një intervistë për ABC.