Zjarrfikësit, heronjtë në 'luftën' me flakët në Vlorë, por Bashkia i ka lënë pa paga

6 Gusht 2021, 10:36Politika TEMA

Zjarrfikësit janë heronjtë e këtyre ditëve të vështira që kanë përfshirë vendin me flakët që po përhapen nga veriu në jug, por duket se vlerësimi monetar për ta nuk është ai që duhej të ishte. ‘Report Tv’ mëson se në Vlorë, një prej qarqeve më të prekur nga zjarret, ku lufta me flakët vijon prej më shumë se 2 javësh tashmë, Bashkia e Vlorës, prej dy muajsh, nuk u ka dhënë asnjë lekë për orët shtesë.

Në total janë 178 orë të papaguara, ndërkohë që për zgjidhjen e rastit përfaqësues të zjarrëfikëses  kanë zhvilluar një takim me kryetarin e Bashkisë Vlorë, Dritan Lelin, por nuk dihet ende se çfarë është vendosur.

Bashkia e Vlorë ka në total 35 zjarrfikës, ndërsa për 2021 fondi për orët shtesë për këto zjarrfikës është 5.5 milionë lekë. Paga për një zjarrfikës është 46 mijë lekë, ndërkohë që i gjithë fondi për pagat për personelin e zjarrfikësve, ku përfshihen Komisar zjarrfikës, kryeinspektor zjarrfikës, kryezjarrfikës, zjarrfikës, asistent zjarrfikës,  është 33 milionë lekë.

Për shkak të situatave me zjarret, atyre i është dashur të punojnë dyfishin e orëve, në  kushte të vështira duke rrezikuar edhe jetën, mund dhe lodhje për të cilën nuk janë shpërblyer.

Ata vijojnë të përballen me flakët, pasi vatrat e zjarrit nuk janë shuar ende, ndërsa kushtet e punës kanë qenë shumë të vështira. Në shumë raste, të papajisur me veshjet e posaçme, zjarrfikësit kanë patur ‘armë’ kundër zjarreve vetëm degë pemësh dhe lopata.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje