Shtrenjtimi i ushqimeve, karburanteve, celularëve, kafesë: Inflacioni arrin në nivelin më të lartë që nga 2018

10 Gusht 2021, 09:24Ekonomia TEMA

Muaji korrik ka parë një përshpejtim të rritjes së çmimeve të mallrave dhe produkteve në vend, të udhëhequra nga shtrenjtimi i ushqimeve dhe karburanteve.

Rritja e inflacionit sinjalizon dhe për një përmirësim të konsumit në vend, pas lehtësimit të krizës së shkaktuar nga pandemia dhe ardhjes së turistëve.

INSTAT raportoi se ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Korrik 2021 është 2,2 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 1,4 %. Ky është niveli më i lartë i inflacionit që nga gushti i vitit 2018, sipas serive kohore të Bankës së Shqipërisë.

Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Korrik 2021, krahasuar me Qershor 2021 është 0,1 %.

Të gjitha grupet kanë raportuar rritje të çmimeve, por shtrenjtimi i ushqimeve dhe transportit është më i ndjeshëm për shkak të peshës së lartë që ato zënë në buxhetin e një familjeje.

Çmimi i karburanteve muajt e fundit është rritur katër herë, duke e shtrenjtuar me 20 lekë, për të arritur në rreth 170 lekë.

Rritja e ndikuar nga ushqimet dhe transporti

Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit.

Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,06 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Shëndeti”, “Argëtim dhe kulturë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,03 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje.

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: 

Krahasuar me muajin Korrik 2020, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transporti” me 4,4 %, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 4,1 %, “Komunikimi” me 2,9 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,8 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,4 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 1,1 %, “Argëtim dhe kulturë” me 1,0 %, “Veshje dhe këpucë”, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Shëndeti” me 0,7 % secili, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,4 % dhe “Shërbimi arsimor” me 0,1 %.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 16,6 %, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyrna” me 7,0 %, “fruta” me 2,9 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 2,4 %, “sheqer, recel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 2,3 %, etj.

Ndryshimet mujore të grupeve kryesore: 

Krahasuar me muajin Qershor 2021, çmimet e grupit “Transporti” u rritën me 2,1 %, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Komunikimi” me 0,2 %, “Veshje dhe këpucë”, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, “Shëndeti” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,1 % secili. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u ulën me 1,2 %, pasuar nga grupi “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1 %.

1 komente në “Shtrenjtimi i ushqimeve, karburanteve, celularëve, kafesë: Inflacioni arrin në nivelin më të lartë që nga 2018”

  1. sokoli says:

    Mire e bejne qe rriten cmimet sidomos karburantet, kur populli eshte dele qeverite bejne qejf, keti populli vetem partite mos ju shaj se nu durojne,…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje