Relacion i zi që vret dhe lëndon dhe pas 50 vjetësh

23 Gusht 2021, 10:24Kulturë TEMA

Nga Sadik Bejko

Shkrimi “Vjersha ‘Lumi’ e Sadik Bejkos – Memorie.al u shpërnda në shtyp para disa ditësh nga “Memorie.al”, prej studiuesit e publicistit te mirënjohur Dashnor Kaloçi, autor me disa libra e shkrime, me botime kryesisht të mbështetura në lëndë të vjelë nga arkivat.

Mirënjohje. Falënderime për autorin.

Shkrimi sjell një dokument të nxjerrë nga AKSH, fondi Komiteti Qendror i PPSH, nga një dosje me siglën “sekret”, të datës 19 prill 1973.

Dokumenti sjell atmosferën e luftës së ashpër kundër modernizimit të letërsisë shqipe, luftë që në vitet ‘70 të shekullit që shkoi shënoi ndëshkimin me punë dhe me burgosje të disa artistëve e shkrimtarëve.

Mbas fjalimit të E. Hoxhës, datë 15, 16 mars ’73, me temë “Lufta kundër shfaqjeve të huaja në art kulturë..” Dhimitër Fullani, shefi i redaksisë së Poezisë, Dramës dhe Kritikës në Shtëpinë Botuese Naim Frashëri i nis Ramiz Alisë një relacion, analizë për gabimet ideore te disa poeteve, analizë mbi ndikimet nga ‘shfaqjet e huaja’ te librat poetikë të botuar (edhe ata të pabotuar) nga kjo redaksi gjatë vitit 1972-73.

Shkrimi i Kaloçit, publikimi i këtij relacioni sekret, veç të tjerash, nxjerr në shesh atë që nëpunësit e zyrave të shtetit të kohës së komunizmit të shisnin te Partia, te Sigurimi për të mbrojtur lëkurën e tyre. Ata shefa redaksie të sjellshëm që në sy të prisnin me buzëqeshje, me fjalët: ‘Na sill diçka të bukur që ta botojmë”, mbas krahëve me po atë buzëqeshje të spiunonin te shteti. Stil dhe etikë tipike e kohës.. Si në këtë Relacion….

Fullani, perfid dhe frikacak, për të mbrojtur veten, nuk ka lënë njeri pa akuzuar, ka shënjestruar disa nga poetët më në zë të kohës, si F. Arapi, F. Reshpja, Xh. Spahiu, F. Haliti, A. Gjakova, M. Gjini, H. Meçaj, e deri te Y. Polovina e Bajazit Cahani, etj.

Ky ishte nga ato lloj Relacionesh që, pasi të lexohej nga shefat Lart, do të mbanin shënim fakte e emra dhe mandej do të kyçej në ca kasaforta të terrta.

Të denoncuarit nuk do të kishin asnjë mundësi të merrnin dijeni mbi të.

U desh gjysmëshekulli, u desh ndërrimi planetar i pllakave tektonike të politikës, që të merrnim vesh se dikur na e paskan futur mbas shpine.

Shtëpitë botuese ku shkrimtarët besojnë librat e tyre, duhet të kishin dhe duhet të kenë etikën që autorët, bashkëpunëtorët, t’i mbrojnë nga shteti, nga shtypi denigrues…, jo t’i denoncojnë.

Por ja një Relacion i zi, me siglen ‘sekret’ përsipër, ku bashkëpunetorët denoncohen fshehtas, pa u dhënë asnjë mundësi të mbrohen.

Një goditje aq e pabesë, sa ende nuk mund ta besosh një monstruozitet të tillë..

Një hipokrizi kaq djallëzore dhe e zyrtarizuar, e pranuar si e ligjshme, si normë, në cilëndo kohë të trondit.

Ai që shkruante relacione të tilla, të fshehta, e dinte se viktimat e tij nuk do ta merrnin vesh denoncimin, e dinte se ajo çfarë shkruante, nuk do të kundërshtohej nga askush… Ai ishte i besuar, ishte përmbi njerëzit, mund edhe të abuzonte në kurriz të tyre.

Ka shumë të ngjarë që një Relacion si ky të jetë i rënduar dhe me shpifje, me gënjeshtra.

Si i bëhet?

Kanë kaluar vite, dikush nga ata që u denoncuan në Zyrën e Ramiz Alisë, e paguan rëndë, disa kanë ikur nga kjo botë. Mbase nuk ia vlen të merresh me Fullanin.

Me Fullanin nuk ia vlen të merresh, por të dënosh gënjeshtrën, hipokrizinë me këto do t’ia vlente të merreshe.

Sa janë të vërteta ato që thotë Fullani mbi poezitë e mia? Nuk e di.

Për të vërtetuar disa nga akuzat që më bëhen në Relacionin e dërguar te Shefi më i lartë i propagandës komuniste, duhet të krahasoj si janë botuar në shtypin e kohës, dhe si “gjasme” janë korrektuar në librin “Rrënjët”, 1972, tri poezitë (Lumi, Meditim, Rrënjët) që denoncohen në Relacionin e Dhimitër Fullanit.

Ka gjasë që ai ka gënjyer, i ka rënduar me akuza shkrimtarët, për të mbrojtur punën e redaksisë së tij, për të lartësuar veten si nëpunës vigjilent ndaj gabimeve ‘ideore’ të poetëve, për t’u hequr si besnik i flakët i regjimit.

Një Relacion i tillë, i zi të vret dhe të lëndon edhe tani pas 50 vjetësh.

 

Mbrëmjeve në trupin tim feksin…

as vetë s’e di çfarë, por ka diçka që feks.

 

Krah me rrugën rrjedh një lumë.

Kërruset mbi të e bje mahnitshëm nëpër reflekse një qytet

reflekse që e joshin,

sa nuk e verbojnë nëpër net.

 

Mbrëmje, gjysmërrësirë, eci unë

dhe lumi me drita mbi shpinë;

 

lumi duhet t’i dojë shumë këto drita,

ndërsa rrëshqet e ikën vjedhuraz nën to,

si prind që s’do t’i zemërohet fëmija.

 

Ato e përkëdhelin nëpër trup,

ato ia dinë dhe gurët e ftohtë të shtratit në fund.

 

Po atë s’e mban vendi,  gurët,

as qyteti,

në imazhin e tij,

në mishin e tij,

në vrapimin e tij është deti.

 

Kur përpara i dalin fusha,

Këput e u jep masa ujërash nga trupi i vet,

ndërsa mes të dy brigjeve brenda shtratit të tij rrëshqet.

 

Mua, kur pranë tij eci mbrëmjeve,

nëpër tru diçka më feks.

Ndoshta brenda meje derdhet ky lumë

me tërë dritat, gjerësinë dhe shqetësimin e vet;

në qetësinë a në gëzimin,

në lodhjen a në mërzinë time

dhe fare pa dashjen time

dritat e tij më feksin, më feksin,

 

ndërsa si lumi shtratin,

hapat e mia rrugën ndjekin.

2 komente në “Relacion i zi që vret dhe lëndon dhe pas 50 vjetësh”

  1. KOZi... says:

    Ne jemi komuniste !
    Shoke te Enverit !
    Partia na kaliti,
    Besnike ne rruge te nderit !!!

  2. Pirro says:

    Urime z.Sadik per poezine “Lumi”.Shume e bukur.Per tani e sidomos e guximshme per ate kohe kur u shkrua.
    Kam vetem nje paqartesi nga ato qe shkruani tani…Nuk del cfare e si konkretisht thote per Ju e poezite thuaja ai relation I Fullanit qe ju e cilesoni relation I zi. Ju akuzon?! Ju denigron? Si, ne c’mase, me c’ epitete etj.? Apo thjesht terheq vemendjen keshillon etj etj Sa prej këtyre poetve qe permend en e pesuan?! etj etj…Pra ku e gjeni te zezen te re laconic? Ne s’ e dinI, drejtoju Kalocit..ai te sqaroje te verteten.. ..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje