Arben Vitia, heshtaku’ i shpërblyer

24 Gusht 2021, 15:22Rajoni TEMA

Jo çdokush e di kontributin e Azem Sylës në luftë. Por, të gjithë e dinë se sa ishte deputet në Kuvend nuk fliste kurrë. Heshtja kishte ndihmuar të krijohej një mit rreth tij. Duke mos folur, ai u mundësonte të tjerëve t’i projektonin atribute. Në shoqërinë kosovare ndër lëvdatat më të mëdha që mund t’ia bësh dikujt është të thuash për të se “është një burrë fjalë pak”. Azem Syla duhet disi ta ketë kuptuar këtë dhe u bë “fjalë hiç”. Kështu të tjerët ndërtonin legjenda rreth tij dhe Syla i heshtur pa folur fare ishte shndërruar në një nga njerëzit më të rëndësishëm të skenës politike në Kosovë. Ai jepej si një John Boyd në luftë dhe “Master of Puppets” pas saj dhe e gjitha, thjesht me një kyçje goje.

Në vitin 2015, i bindur edhe vetë nga ato që thuheshin për të, vendosi të flas. Bashkë me fjalët e para që nxori nga goja filloi ta varroste edhe përrallen e tij. Diku ka gjysma e fjalimit, përkundër se e kishte të shkruar, nisi të ngecte dhe të bëhej krejt i paqartë. Pati një moment kur u ngri krejtësisht dhe i iku goja, mbase ishte ai momenti që e kuptoi edhe vetë se me këtë fjalim ia mori vetës edhe gjithçka tjetër ishte ndërtuar për të.

Është e çuditshme se si dikush mund të ngjisë shkallët e suksesit në Kosovë vetëm duke mos thënë asgjë, duke heshtur. Situatën e bën më konfuze fakti se edhe në politikë, në arenën ku fjalët janë pothuajse gjithçka, prapë mund të ngritesh lartë pa përpjekjen minimale për të thënë një fjalë.

Në një tjetër kohë dhe në rrethana të tjera, ekziston edhe një shembull në politikën kosovare ku një person ka ecur shkallët akoma më lartë se Syla duke përdorur strategjinë e tij – heshtjen.

Ekziston një politikan që quhet Arben Vitia. Ai është një nga njerëzit më të pëlqyer në politikë sot. Vitia ka mbi 100 mijë vota. Jo që adhurohet shumë nga simpatizantët, por nuk atakohet as nga kundërshtarët. Megjithatë, të dyja palët pak mund të të thonë për të. Njëjtë si Syla i heshtur, por ndryshe nga ai, se Vitia ka qenë edhe drejtor, sa herë guxon dikush ta kundërshtojë përmendet një tregim folklorik rreth transformimit të qendrave të Mjekësisë Familjare në Prishtinë. Askush, as vetë Vitia, nuk di ta shpjegojë çka saktësisht qenka transformuar.

Të gjithë flasin për këtë sukses gjigant si argument të parë në mbrojtje të tij, por detaje nuk di kush të të japë. Ai ka thyer të gjitha ligjet e marketingut duke shitur produktin për të cilin askush nuk është bash i sigurt se ekziston. Si paskan qenë dhe si qenkan tash ato qendra?

Vitia është mjek, por kush e di se cili ka qenë mjeku Arben? Ai është edhe ministër, prapë njëjtë, nuk është se di të thotë dikush diferencën e jashtëzakonshme që ka bërë Vitia në çkado si ministër i Shëndetësisë. Trajtimi i situatës me COVID? Asgjë legjendare.

Po u vazhdua debati me këdo që është pro Vitisë dhe argumenti me qendrat e mjekësisë familjare shtirret, fillohet me lëvdata të tipit se është “pedant”, apo të tjera qesharake, se duket “shumë zotëri”. Por kaq. Asgjë më shumë.

Vitia e ka marr strategjinë e heshtjes së Azem Sylës dhe e ka perfeksionuar. Ai ka mundësi të bëhet kryetar i Prishtinës dhe rrjedhimisht një nga njerëzit më të fuqishëm në politikën kosovare dhe krenar mund ta thotë se gjithçka e ka arritur duke mos bëzâ.

Nuk duhet të keqkuptohemi. Nuk është se Vitia kurrë nuk ka folur. Ai ka folur dhe ka thënë gjëra mesatare që pak a shumë mund t’i artikulojë secili mediokër. Por, as adhuruesi i tij më i madh nuk mund të tregojë se çfarë mendon Vitia për çështjet kryesore në Kosovë. Cili është qëndrimi i tij për dialogun? Për ekonominë e arsimin, për Open Ballkan, për SHBA-të, për BE-në, për sistemin e drejtësisë në Kosovë, për kufirin me Malin e Zi. Për më tepër, Vitia nuk ka thënë ndonjë gjë unike as për sistemin shëndetësor në Kosovë. D.m.th edhe mund të ketë llokoçitur diçka, por prapë brenda mesatares. Politikanin e tretë më të votuar në Kosovë nuk e ka dëgjuar askush të thotë asgjë, për pothuajse asgjë.

Vitia është favorit absolut edhe për ta fituar garën në Prishtinë. Deri tani, a e dini se çfarë ka bërë më shumë se kundër-kandidatët e tij? Po pra, ka heshtur më së shumti. Vitia ende nuk e ka asnjë program, asnjë premtim, asnjë status për garën në Prishtinë dhe ai prinë padiskutueshëm. “Hesht dhe fito’, duhet të jetë slogani jo zyrtar i Vitisë në garë.

Edhe mund të gjendet diku ndonjë rast kur politikani i heshtur përvidhet disi dhe arrin një shkallë të suksesit, por kjo do të duhej të vlente për heshtjen brenda partisë. Heshtja si bindje pra. Për shembull sikur në rastin e përçarjes së Vetëvendosjes. Askush nuk e di cili ka qenë qëndrimi i Vitisë. Ai nuk ka folur, nuk ka komentuar asgjë. Dhe prapë heshtja është treguar karta fituese për të.

Vitia ngjan sikur është pjesëtar i sektit që njihen si “Quakers”. Themeluar në Angli diku rreth viteve 1650, “Quakers”-at besonin dhe besojnë se zoti i do të heshtur. I takon zotit t’iu flas atyre dhe t’i mësojë. Ata vetëm duhet ta mbajnë qetësinë.

Edhe sot e kësaj dite “Quakers” formën e adhurimit e kanë të tillë. Mblidhen të gjithë në një dhomë, ulen dhe qëndrojnë të heshtur për sa më gjatë që të jetë e mundur.

Sa më i heshtur të qëndrosh Zoti do të dojë më shumë. Mantra e tyre është një pasus në Bibel, ku Jezusi kishte thënë “ju jeni shokët e mi nëse bëni ashtu si iu them unë”.

Prandaj në mbledhitë e adhurimit të “Quakers” të gjithë janë gojëmbyllur. S’kanë nevojë të flasin. Për ta flet Zoti. Vitia përben një besimtar të mrekullueshëm të këtij sekti. Ai nuk flet, sepse për të flet Zoti, apo i zoti.

Por, askush nuk do të duhej ta meritonte besimin qytetar me veç heshtjen e tij dhe përmes heshtjes të krijohej iluzioni për madhështinë e tij, sepse më pas do ta bënte vetë të heshturin deluziv.

Nuk duhet të kalohet në heshtje heshtja. Pasi dikush që heshtë kur duhet të flas është asgjë më shumë sesa një tru i rrënuar, i etur për të besuar se ato që thuhen për të pastaj, përbëjnë ekzistencën e tij të vërtetë, duke mos e kuptuar se janë copëza të pavërteta për ta krijuar një rrëfim triumfues për të. Duhet ta luajë dikush rolin e magjistarit si te “Club Silencio” i Lynch-it. Pra vetë-deluzioni funksionon (ose duhet të funksionojë) vetëm për një kohë. Iluzioni është i përkohshëm dhe kur mbaron magjia, loja merr fund.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje