Nga drejtimi i gjimnazeve, në krye të Kuvendit të Shqipërisë. Posti si ministre e Arsimit më 2013, dorëheqja në mes të protestave studentore më 2019, tërheqja në një profil të ulët dhe ringritja si kryeparlamentare. Rrugëtimi i Lindita Nikollës në 18 vite karrierë politike
Pasi u dorëhoq nga posti i ministres së Arsimit, pasi drejtoi qarkun e Lezhës në zgjedhjet e 2019-s, Lindita Nikolla kthehet sërish në spotlight. Kësaj here duke arritur majën e karrierës së saj politike, të cilat fillimet i pati modeste.
Kryeministri zbuloi gjatë punimeve të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste se pasuesja e Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit – i cili vendosi të tërhiqej pak kohë më parë nga politika – do të jetë Lindita Nikolla.
Rama shprehu bindjen se Nikolla kishte mbështetjen jo vetëm të Asamblesë, por edhe të të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të PS-së.
Një figurë fjalëpake e me një staturë jo konfliktuale, ndoshta Nikolla ishte gjetja e peshuar e kryesocialistit për të drejtuar Kuvendin, të cilit pas dy viteve mungesë i kthehet opozita.
“…si një grua me një kontribut dhe një përvojë të gjatë në familjen tonë politike, si një shembull i padyshimtë i përkushtimit dhe i ndershmërisë në kryerjen e çdo detyre, si një shoqe e mirë e të gjithëve ne dhe si një politikane karriere që është karakterizuar nga dëshira për dialog me të tjerët do të jetë dhe anëtare ex-officio e kryesisë së PS”, e përshkroi kryeministri Nikollën.
“Ku je, më e mira, në botë!”, i drejtohej kryeministri Nikollës, në një vizitë në Lezhë dy vjet më parë, në Qendrën Operacionale të Emergjencave Civile në Lezhë. “As nuk i ndihet zëri, as nuk i del emri”, shprehej ai.
Pa bujë zgjodhi të tërhiqej edhe në mes të krizës së protestave studentore në vjeshtën e 2018-s, ndërsa menaxhimin e saj e mori në dorë vetë kreu i qeverisë duke u kërkuar protestuesve dialog me batutën e famshme “Kur do flasim?”.
Megjithëse, siç do të pohonte vetë më vonë, ajo ia kishte paraqitur dorëheqjen kryeministrit dy ditë pas nisjes së protestave, ajo e njoftoi atë ditë më pas, ku studentët e kërkonin pikërisht dorëheqjen e ministres.
Vetë Nikolla, fillimet e karrierës së saj profesionale i pati pikërisht në fushë të mësimdhënies, si mësuese e Matematikës për nxënësit e shkollës së mesme, ndërsa mbajti edhe postin e Drejtores së Gjimnazit “Sinan Tafaj”, në kryeqytet.
Do të ndodhte vetëm pas vitit 2003, kur përfundoi studimet Master për Administrim Publik, drejtimi Pushtet Ekzekutiv – ndoshta për të përsosur edhe më shumë dijet menaxheriale si drejtore shkolle – që Nikolla u hodh drejt politikës. Fillimisht e nisi si Këshilltare e Këshillit të Njësisë Bashkiake Nr.1, Tiranë, në periudhën 2003-2006 dhe për dy mandate radhazi nga 2007, ajo shërbeu si Kryetare e Njësisë Bashkiake Nr.1 Tiranë. Në zgjedhjet e 23 Qershorit 2013, zgjidhet deputete e qarkut të Tiranës. Më 2007-n, Nikolla zgjidhet anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste, katër vite pasi kishte aderuar në atë parti.
Kryeministri Rama do ta përfshinte në kabinetin e tij qeveritar në shtator të 2013-s, duke bërë që Nikolla të linte mandatin e deputetes – për papajtueshmëri me postin ministror – e të bëhej ministre e Arsimit, Rinisë dhe Sportit.
Në një intervistë televizive, Rama komentoi zgjedhjen e Lindita Nikollës në krye të Kuvendit, ndërsa ajo bëhet e dyta grua që e drejton atë në periudhën pluraliste pas Jozefina Topallit.
“Lindita Nikolla personi më i duhur për të gjithë kontributin që ka dhënë dhe ka një kontribut shumë të gjatë në PS. E ka filluar nga shkalla e parë e bazës, deri këtu ku është sot”, e vlerësoi kreu i qeverisë kryeparlamentaren e re, e cila do ta marrë zyrtarisht detyrën më 10 shtator, në mbledhjen e parë të Parlamentit. “Një person që gjatë gjithë rrugëtimit të saj ka treguar përkushtim, seriozitet, ndershmëri. E kam parë në shumë raste, është një person i prirë për të folur me të gjithë dhe këtë e ka bërë në periudhën kur u hartua ligji i arsimit të lartë dhe është një grua zonjë që i shkon shumë mirë atij vendi”, deklaroi Rama, ndërsa ka përsëritur sërish ftesat për bashkëpunim ndaj Partisë Demokratike.
Vetë Nikolla, do të deklaronte pas mbledhjes së Asamblesë se do të krijonte një klimë pozitive në Parlament dhe hapësira për opozitës. “E mbushur me përgjegjshmëri për të përmbushur pritshmëritë e kryetarit të PS për zgjedhjen time”, do të shprehej Nikolla, e cila e merr këtë detyrë, pas Gramoz Ruçit, një prej figurave të rëndësishme të Partisë Socialiste dhe protagonist para dhe pas regjimit komunist.
Pasa zgjedhjeve lokale të 2019-s, ku PS garoi e vetme, Edi Rama vendosi ta largojë Nikollën nga drejtuese e qarkut Lezhë, duke vendosur Sandër Lleshaj. Ai e caktoi atë si Sekretare e Burimeve Njerëzore, ku i ngarkoi si punë të merrej me regjistrat e vjetër të PS-së.
Megjithëse kjo u pa si një ftohje të kryeministrit me ish-ministren, së cilës nuk deshi t’ia pranojë dorëheqjen atëkohë, Rama bëri sërish lëvizje duke larguar Lleshajn e duke rivendosur Nikollën në Lezhë më 2020. Nikolla kryesoi listën e PS-së në qarkun e Lezhës, duke dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit si deputete. Kryeministri e ngarkoi kryeparlamentaren Nikolla, si pjesë të Akademisë Politike të PS-së, bashkë me të, Servet Pëllumbin, Etem Rukën, Arbër Maznikun e Ditmir Bushatin.
Megjithëse kryeministri e përshkroi si një njeri që e ka nisur nga baza karrierën e saj politike dhe kontributin në Partinë Socialiste, Nikolla nuk arriti të ketë protagonizëm as në parti e as në qeverinë Rama. Tashmë në krye të Kuvendit, që për nga rëndësia institucionale në një republikë parlamentare, vjen si numri dy pas kreut të pushtetit ekzekutiv, Lindita Nikolla do të ketë kohën e saj për të marrë protagonizmin, në atë që mund të cilësohet si ngritja e saj e dytë në jetën politike dhe të menaxhojë një parlament me opozitën që premton betejë brenda tij, për demokraci.
Kush është Lindita Nikolla
Znj. Lindita Nikolla lindi në Tiranë, më 22 Tetor 1965. Ajo është e martuar me Z. Ligor Nikolla dhe ka një vajzë që quhet Livia. Znj. Nikolla, në korrik 2010 ka kryer studimet Master në Administrim Publik, drejtimi Pushtet Ekzekutiv, pranë Albanian University dhe në vitin 1989 ka përfunduar studimet universitare pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, dega Matematikë, Universiteti i Tiranës. Ajo ka hyrë në politikë në vitin 2003. Gjatë viteve 2003–2006 është zgjedhur si Këshilltare e Këshillit të Njësisë Bashkiake Nr.1, Tiranë.
Nga shtatori i vitit 2007, znj. Nikolla është anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste. Në vitin 2006 ka përfunduar Akademinë për Udhëheqësi dhe Reformë pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (NDI) në Tiranë dhe në qershor të vitit 2008 ka kryer Akademinë mbi Policimin Komunitar dhe Qeverisjen Vendore në Universitetin e Pitsburgut, SHBA. Znj. Nikolla ka kryer gjithashtu një sërë kualifikimesh në menaxhimin e shkollës dhe mësimdhënien e matematikës, si dhe për fuqizimin e gruas në vendimmarrje.
Është zgjedhur për dy mandate në periudhën 2007-2011 dhe 2011-2013, Kryetare e Njësisë Bashkiake Nr.1 Tiranë. Në zgjedhjet e 23 Qershorit 2013, zgjidhet deputete e qarkut të Tiranës.
Lindita Nikolla në vitin 2013 emërohet nga Kryeministri Edi Rama si Ministre e Arsimit dhe Sportit në kabinetin qeveritar Rama-Meta. Jep dorëheqjen më 2018-n, nga posti i ministres së Arsimit dhe më 2019 zgjidhet drejtuese politike e qarkut Lezhë.
Parlamenti i ri mblidhet më 10 shtator
Në Shqipëri presidenti Ilir Meta dekretoi sot thirrjen e parlamentit të ri, të dalë pas zgjedhjeve të 25 prillit. Sipas Kushtetutës “presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, por jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të këtij mandati”.
Mandati i parlamentit të shkuar përfundon më 9 shtator. Presidenti Meta nuk shfrytëzoi të gjithë afatin 10 ditor, duke thirrur mbajtjen e mbledhjes së parë të Legjislaturës së 10-të, vetëm një ditë më pas.
Ashtu si dhe në 8 vitet e fundit, edhe ky parlament do të kontrollohet nga socialistët e kryeministrit Edi Rama i cili fitoi një mandat të tretë radhazi, si kurrë më parë për një forcë politike në 30 vite pluralizëm. Socialistët do të kenë 74 nga 140 vendet e parlamentit. Të enjten, gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë socialiste, kryeministri Rama pritet të shpallë edhe emrat e ministrave me të cilët synon të drejtojë vendin. Kureshtja mbetet e lartë, pasi zoti Rama shpesh ka befasuar me përfshirjen në kabinet të personave dhe pa ndonjë lidhje të ngushte me partinë apo politikën, ndërkohë që një pjesë e mirë e ministrave, e ka mësuar në sallë emërimin.
Në parlamentin e ri, në krahun e majtë, do të jenë dhe tre deputetë të partisë Socialdemokrate, e drejtuar nga deputeti Tom Doshi. Ky i fundit u tërhoq nga mandati i tij, pas deklarimeve të shpeshta publike të ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila këmbënguli me forcë se personat ndaj të cilëve qeveria amerikane ka marrë vendim për të mos ju lejuar hyrjen në territorin e Shteteve të Bashkuara, nuk duhet të jenë pjesë e parlamentit.
E njëjta situatë po përsëritet tani në kampin e opozitës, pas vendimit të Departamentit amerikan të Shtetit për t’i ndaluar hyrjen në territorin e Shteteve të Bashkuara, ish kryeministrit dhe ish presidentit të vendit Sali Berisha dhe familjes së tij. Departamenti i Shtetit e përfshiu atë në kategorinë e “zyrtarëve të korruptuar që kishin minuar demokracinë”.
Edhe në krahun e majtë, por për motive të tjera, dy deputetë kanë njoftuar tërheqjen. Pak ditë më parë ishte mjekja e njohur Najada Çomo, e cila ka kërkuar që të vijojë angazhimin në luftën kundër pandemisë Covid 19. Ndërsa sot, të njejtin veprim e ka ndërmarrë dhe deputeti Lefter Koka, ish ministër i Mjedisit. I rreshtuar fillimisht me LSI-në, ai nuk përkrahu vendimin për djegien e mandatit të deputetit dy vjet më parë, duke u përfshirë në garën për deputetë më 25 prill, nën siglën e PS-së, në qarkun e Durrësit. Arsyeja që e shtyu drejt këtij hapi lidhet sipas tij me zgjedhjen për t’i dhënë fund rrugëtimit politik duke vlerësuar se kjo ishte koha e duhur për të mbyllur një cikël. /Gazeta Liberale