Vallëzimi i “fundit” i Edi Ramës

7 Shtator 2021, 17:54Politika TEMA

Nga Baton Haxhiu

Sali Berisha dhe Ilir Meta, sot, janë aleatët më të mirë politikë të Edi Ramës.

Paradoksalisht fjalia do të ishte e habitshme në logjikën e saj politike, sepse në atë që mundohen të përfaqësojnë, ata duken si kundërshtarët e tij më të mëdhenj politikë.

Por, jo.

Të dy liderët politikë, si Berisha, ashtu edhe Meta, kanë dallime serioze me liderin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Edhe për atë që përfaqësojnë në qeverisje, edhe për idealin politik dhe të ndryshimit që kanë për Shqipërinë.

Ata duken jashtë kohe dhe të padobishëm në qasje, por edhe destabilizues në vazhdimësi.

Dhe, karshi Edi Ramës, kanë peshën e dallueshme të krahasimit politik dhe estetik për mënyrën se si qeveriset një vend.

Prandaj janë jashtë kohe, por janë edhe të vetmit aleatë seriozë në politikë, sepse përmes krahasimit, Ramën, votuesi shqiptar e voton Kryeministrin sa herë në përballje ka këto dy personazhe politike.

Vallëzimi i Edi Ramës në politikë do të varet shumë nga ajo se sa këta dy aleatë do të marrin fuqinë politike duke mbyllur rrugë për një gjeneratë të re politike, e cila, sapo ka nisur të etablohet brenda Partisë Socialiste.

Por, megjithëse PS hapi rrugën për një gjeneratë të re politike, duke e mbyllur në histori emrat e fundit të themeluesve të saj, ka diçka që nuk shkonte në gjithë atë që u lexua ditën e enjte.

Pas leximit të emrave të Qeverisë RAMA 3 dhe rikthimit të tij të tretë, më la një shije të hidhur heshtja totale e njerëzve të PS-së.

Ishte shija e nevojës për harresë të dy mandateve që kanë lënë shenja historike të ndryshimit urban dhe politik.

Edi Rama, në fjalimin e tij, tregoi idealizëm, gjë kjo e habitshme pas dy mandateve si kryeministër. Mirëpo, diçka nuk shkonte.

Në njërën anë ishte fjalimi me tone idealiste dhe, në anën tjetër, heshtja e pamëshirshme për pranimin e çdo gjëje.

Socialistët dukeshin të rinj, por të lodhur. Madje, dukeshin të konsumuar dhe pa motivin e duhur edhe për të qenë të lumtur me fitoren e mandatit të tretë.

Vitet në lavdi dhe sukseset në pushtet konsumojnë dëshirën për mirëqeverisje, megjithëse Rama, si i pari i partisë, është gjithmonë i gatshëm dhe me plot vullnet për të tjera fitore.

Heshtja në Partinë Socialiste, pas leximit të emrave, la të kuptohet se ky rrugëtim do të minohet dhe vështirësohet nga shumëkush brenda partisë.

Është çështje kohe derisa egot të pëlcasin nga dëshira për të qenë Edi Rama dhe derisa kontrolli, të cilin e mirëmban lavdia, të sulmohet nga ata që e duan kontrollin për lavdinë e tyre.

Partia Socialiste me këtë qasje dhe përmbajtje sot është kampione, për shkak të vet Ramës dhe gjithashtu me probleme të pandreqshme në horizont.

Këtu përfundon krahasimi.

Tani nuk është momenti të shkruhet për lavdinë, për Ramën dhe për historinë. As të kërkohet tani  që Rama të tërhiqet pas katër vitesh, sepse pasioni për politikën, sado i lodhshëm, është burim i pashtershëm i asaj që ai përfaqëson. Rrjedhimisht, duhet sqaruar se si duhet ta rigjejmë Ramën e nesërm, atë të mandatit tjetër – të “Vallëzimit të Fundit”.

Ajo që është vendimtare në këtë mandat dhe periudhë politike ka të bëjë me trashëgiminë. Tashmë është e qartësuar krejtësisht se me hyrjen në betejën për mandatin e tretë qeverisës, do të shtohen luftërat politike brenda PS-së. Rrjedhimisht, menaxhimi i çështjeve të qeverisë do të problematizohet.

Sepse, një lider në shkuarje, sado i mirë të jetë, nuk mund ta ketë peshën e njëjtë politike, sikurse ai që është në kulminacion. Prandaj, pavarësisht mandatit të radhës – ku pesha politike mund të lëvizë në mes të dyja poleve të pushtetit, edhe si Kryeministër, por edhe si kryetar i PS – puna e Ramës mbetet e pacenueshme, sepse Shqipërinë po e lë të rilindur.

Transformimi që është bërë në ekonomi, shëndetësi, arsim, turizëm dhe polici, Ramës i ka siguruar vendin në historinë e ndryshimtarëve të mëdhenj të Shqipërisë.

Dhe, lëre më po të flasim për rilindjen urbane. Ajo s’është veçse shije, por parakusht për zhvillim. Kur flitet për ndryshimin që ka bërë, duhet thënë se moti e ka kuptuar se nuk ka progres në shëmti.

Andaj, duhet pranuar se brusha e artistit Kryeministër dhe qeverisja nga Kryeministri artist, i dha shpirtin Shqipërisë, që vuante nga ngjyra gri.

Shqipëria shpëtoi nga zymtësia e shëmtia, për t’u ringjallur në ngjyrë e shpresë. Për t’u ngjallur në progres, sepse tashmë e bukura ka zbehur shëmtinë.

Ky mandat ka risqe dhe paqartësi.

Pas leximit të emrave dhe ndryshimeve në PS, të enjten e kaluar, kjo parti, shihet qartazi, se do të hyjë në një betejë të brendshme, të ashpër. Rrugëtimi për krijimin e liderit të ri të Partisë Socialiste, edhe për faktin se shumëkush do mendojë se ky është vallëzimi i fundit i Ramës, do të konsumojë shumë nga energjia e brendshme.

Por, Rama që njohim, nuk largohet nga PS-ja pa e etabluar trashëgimtarin e tij politik. Se kush do të jetë ai/ajo, është dilemë që do të zgjidhet përgjatë një beteje të brendshme dhe të pakompromis.

Me fjalë të tjera, i mbetet Ramës të tregojë PS-në që do ta lërë pas dhe hapësirën që ai do t’ua japë liderëve të rinj në përballje.

Dhe, për këtë arsye, shenjat e para të vuajtjes do të shihen kur PS ta tregojë vuajtjen për t’i artikuluar qartë problemet e saj.

Së pari, është zbehur numri i deputetëve të cilët kanë mendim individual, edhe pse nuk mund të thuhet që nuk kanë hapësirë. Dhe, natyrshëm, është se po nuk pate mendim dhe mendim ndryshe, nuk ke si dhe çfarë artikulon. Kjo tredhje intelektuale është edhe për shkak të fuqisë së Edi Ramës. Ai vazhdon të jetë i pamëshirshëm ndaj atyre që nuk ndërtojnë ide jashtë mekanizmit konjuktural.

Së dyti, në Partinë Socialiste është zbehur autoriteti i fjalës. Kjo parti sot nuk ka asnjë deputet që të dëgjohet për shkak të autoritetit të fjalës e të mendimit dhe, njëkohësisht, të jetë i respektueshëm në publik për faktin se di t’i artikulojë mirë gjërat. Fati dhe fatkeqësia e saj është Edi Rama si kryetar dhe mendimtar, sepse nuk ka asnjë tjetër që të ndërtojë në shkronja rrëfimin politik. Ky është shqetësimi që ngacmon edhe në mandatin e tretë.

Edhe pse ka pak shpresë, Rama duhet që në mandatin e ardhshëm të ketë si pjesë të grupit të tij parlamentar të paktën pesë deputetë, me mjeshtëri fjale, me autoritet qëndrimi dhe me personalitet të respektueshëm në publik.

Kjo do ta ndihmojë që të rrisë profilin e tij dhe profilin e partisë në parlament, por edhe që ta rrisë cilësinë e komunikimit të vet parlamentit. Për këtë duhet menduar qysh sot.

Ndryshe, është e sigurt se ekziston një mundësi që e gjithë opozita do të bashkohet kundër Ramës dhe emrit të tij të përveçëm. Dhe debatet nuk do të jetë për të sulmuar PS-në si parti, por do të jenë debate kundër Edi Ramës.

Shpesh, kur liderët konstituohen si produkt i pacenueshëm i historiografisë, Berishët dhe Ilirët e këtij vendi bashkohen – për t’i shkatërruar imazhet e historisë.

Droja nga historia nuk ua shëmton të kaluarën, por i frikëson nga e ardhmja politike dhe krijimi i shijes, me Edi Ramën si qendrën e memories bashkëkohore të qytetarit shqiptar.

Andaj, opozita do të bashkohet jo vetëm për pushtetin, por edhe për të tentuar ta njollosë figurën e Edi Ramës dhe që ta ripozicionojë atë retroaktivisht. Ajo do që lavdia e Ramës të zbehet dhe me këtë edhe historia e krijuar e një shteti modern.

Së treti, ky mandat duhet ta përmbyllë përfundimisht fazën e tranzicionit në Shqipëri. Kjo duhet bërë edhe me Lulzim Bashën.

Si Kryeministër në mandatin e tretë në Shqipëri, Rama duhet ta rikrijojë frymën e bashkëpunimit, për ta përmbyllur ciklin e rilindjes, duke i hapur rrugën një gjenerate të re politike.

Është detyrë e pashmangshme që si lider politik, përgjatë këtij mandati, të ndikojë në krijimin e trashëgimisë politike. Pa këtë të fundit, Shqipëria mund të bjerë në një vakum, ku nuk gjen më liderin e saj. Ngjashëm si Partia Demokratike. Varësia e Shqipërisë ndaj Edi Ramës duhet të zbehet. Shqipëria duhet të mësohet të zhvillohet edhe pa të nesër.

Kongresi i dhjetorit, nëse do mbahet, e ka mundësinë që të shpërfaqë fuqinë politike për krijimin e një gjenerate të re politikanësh, ku pushteti nuk do të riciklojë pushtetarët e deritanishëm.

Rama duhet të mbahet në mend edhe si lideri i tranzicionit që ka krijuar hapësirë të re në masë të pakrahasueshme për politikanët e talentuar dhe gjeneratën e re. Prandaj, përmes tij nuk duhet të rilindë vetëm Shqipëria, por duhet të lindë dhe rritet një gjeneratë e re politike, si investim afatgjatë për të ardhmen.

Dhe, pika e katërt, por jo më pak e rëndësishme, është çështja e pambyllur që i takon së ardhmes politike, të të gjithë atyre që vijnë pas Edi Ramës dhe që jetojnë midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Sado të ketë procese integruese për rajonin, e procese të tjera ndërkombëtare që janë shumë përtej nesh, tashmë Kosova dhe Shqipëria janë një realitet i integruar politik, mediatik e shoqëror. Andaj, në këtë pikë duhet menduar shumë më mirë – zotëri Kryeministër – marrëdhënia juaj afatgjate me Republikën e Kosovës dhe sigurimi i një trashëgimie historike me rëndësi më të gjerë kombëtare sesa puna e qeverisjes së zakonshme.

Nëse bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë është i pamundur, atëherë Edi Rama duhet ta japë shembullin e krijimit të një koncepti gjithëkombëtar, në funksion të realitetit të integruar brenda-shqiptar. Prandaj, nuk mund të quhet trashëgimi dhe mandat historik nëse lë detyrën dhe thjesht ikën nga përgjegjësitë politike, pa e menduar mirë vendin e tij edhe në raport me Kosovën.

E gjithë kjo duhet të ndodhë në kohën kur Edi Rama nuk ka më zgjedhje për të fituar.

16 komente në “Vallëzimi i “fundit” i Edi Ramës”

  1. Muj me ly fasadat e zymta Po shpirtin e zymte me cfare ta lysh says:

    Do krijojne njeriun e ri me tharm te skadum.

    1. Këlyshët e Komunistit Sali që po mbysin PD says:

      Po ti njeri i ri je. A thua je bere me tharm te skaduar.
      Të kesh bindje politike te majta apo te djathta eshte alfa e demokracisë.
      Por ju nuk keni bindje politike. Ju keni bindje krahinore dhe bëni vetem dallim liderësh, Jo bindjesh politike.
      Të frymezuar nga Hitleri, me fal, nga lideri juaj, ju shani me pasion liderin tjetër. Nuk ka rendesi nëse ainka bere mire apo keq. Duhet share me çdo kusht.
      Problemi eshte se ju shani, por ai vazhdon prape fiton. A nuk eshte koha perbte nxjerre mesime dhe te ndryshoni strategji? Apo do vazhdoni t’i bini murit me kokë, deri sa t’ju hapet koka ne dysh?
      Edhe gomari nuk e bën nje gabim dy here. Vetëm lopa vazhdon njesoj pa e vrarë mendjen.
      Njerëzit vazhdojne t’ju thone qe po mbani Ramën ne pushtet me zor, por juve nuk luani nga istikami. Hallall.

    2. Them une says:

      Edi Rama eshte nje lider tipike Turke Otomane me mentalitet sjedhje dhe qeverisje .. menemadhe i pa pame… i pelçen vetja jashte mase njerzit e thjeshte pra populli dhe bashpuntoret e ti i duke si krimba dhe vet shqiponja… Me promovimin e dy hajdutve siqe Jane Arben Ametaj dhe Dmire Xhiknuri …. kjo na tergone se ky njeri nuke done fare ta luftoje hajdutrine dhe korrupsjoni… Edi Rama nuke fitone se eshte njeri i mire a po që ka qeverisure mire a po që eshte njerii kulturume dhe Evropjane… Edi Rama fitone se pse perballe ka disa hajdute dhe vrase … Dhe populli thote më mire keti që të pakten nuke vret… Pse??? Edi Rama ndjehet shume mire kure shkone në Turqi dhe me Erdington me nje kriminel siqe eshte Erdogani .. se pse hajduti ndjehet mire me hajdutin .. Atokrati ndjehet mire me Atokratin… Pse??? direk fillone Shane e madhkone kure Amerkanet dhe Evropjanet i thone nderto shtet ligjore dhe luftoe korrupsjoni… por si do të jet puna më mire Edi Rama .. Se sa disa vrase si Sali Berisha Lulzim Basha dhe ilir Meta… se hajdute Jane të gjith

      1. patrioti says:

        Perpara se te thuash “them une” or taj (malok i trashe) , shko bej edhe nje here klasen e pare fillore , or taj e meso gjene me elementare – shkrimin ne shqip .

  2. ZHEJI koke pa lari says:

    RAMA ESHTE LIDERE KARIZMATIK KEMBENGULES VISIONNER I PA THYSHEM DHE MBI TE GJITHA PO PERGATITE PASARDHESIT E TIJE SI ZOTIN ERION VELIAJ DAMIAN GJIKNURI
    PS ESHTE PARTI ME VISIONE FATKEQSI ESHTE MUNGESS E NJE OPOZITE CONSTRUITIVE

  3. Monika hajdute me cizme says:

    Sa te jete sali komunist vampiri dhe ilir monika hajduta,rama do vallzoj e do fitoj….
    Pdeistet e leshelistet akoma nuk po e kuptojne qe keta kriminele po e mbajne ramen ne fuqi …
    Kete e ka kuptuar rama dhe po e perdor si karrem per ata qe urrejne keta kriminel e hajdute.

  4. edi says:

    Pse e nxirrni kete qelbesire burre qe ndante si pice Kosoven ne harte ne Klan TV?!

    1. Miradije Hoti says:

      Pse zogu ku eshte e keqja qe kosova te ndahet
      Apo po i konsiderone serbin si nje shtete koti ata e marin kosoven per 2 ore me klubin e gjuetareve jo me ushtrine se po hyri ushtria iken te gjithe rrefugjat.
      Eshte llogjike ne nje divorce gjithecka ndahet po ata nuk duan ta ndajne kosoven se duan te jene pjese e Serbise me autonomi te zgjeruar kur ta kuptoshe ti ka mbaruar filmo i mullah omarit o bole

  5. Goni says:

    Batoni ka ndjesine e te qenit limon I shtrydhur.
    Nuke ju mban dot nen sqetull Rama, jeni shume.
    Shkoni beni ndonje pune or dallkauket e shejtanit.

    1. analisti says:

      O Goni,o car me syze!
      Sa mend ke ti,Batonit i ka njëra bole.
      Kupton o Goni?!

  6. IB says:

    Berisha, Basha dhe Meta nuk i sjellin asgje politikes shqiptare. Rama perfiton.

  7. Kosovari says:

    Pasardhese e Edi Rames ne PS, pa asnje dyshim mendoj qe do te jete Elisa Spiropali.
    Eshte e vetmja qe me ngjan ne nje lider te se ardhmes

  8. Luli says:

    Je ndalur gjate per pasardhesin e Rames. Ne kete vend eshte zakon ti perzgjedh ekzistuesi. Duhet te mare fund kjo histori dhe te vine permes konkurences. Gjithmone ka persona qe i pergjigjen kohes.

  9. Rama forever,,,,, says:

    Rama 1 individ i paarritshem deri sot ne te gjitha trevat Albanofolse ..
    Zoti e falte qe shpetoj vendin nga vampiri berishovic,,

  10. Sokrati says:

    Vazhdo Baton,vazhdo Mero,vazhdo Skender,vazhdo Skender etj,etje.Vazhdoni hidhni balte,shpifni, ngjallni urejtje ndaj njeri-tjetrin dhe mos shkruani nje fjale si duhet per cka eshte sot Shqiperia,Kosova e shqiptaret ngado jane.Abazovicet dalim ne mes te dites te mbrojtur nga mburojat serbe dhe duartrokasin psallmet e klerikeve serbe per futjen e ushttise serbe ne Kosove.Dritan Abazovic doli dhe e deklaroi antishqiptarzmin e tij.Te ngjashmit e tij lepihen sot mbas Sleksandrit te Sebise dhe e bejne kete ne emer gjoja te qetesise ,stabilitetit qe vjen ne formen e platformes se Aleksadrit te Serbise per gjoja Ballkanin d hapur.Per cfare ballkan te hapur mund te flasim ne ker nuk kemi nje platforme serioze per hapjen e Shpiperise dhe Kosoves ndaj njeri-tjetrit.Shpiperia dhe Kosova nuk po afrohen as shpirterisht dhe kulturalisht me njera-tjetren.Kusuret me te medha per kete i kane qeverite dhe politika.Por pa mekate nuk jane as mediat dhe angazhimi i vaket i inteligjieces.

  11. betoni says:

    Baton. Do te jete me mire t’i japesh ndonje keshille atij Al Bin Kurtit ne Kosove se ka marre perseper dy fuse ndasine midis ty popujve shqipfoles.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje