Janë që të dy të humbur

17 Shtator 2021, 09:10Politika TEMA

Nga Skënder Minxhozi

Sali Berisha filloi sot fushatën për të destabilizuar pushetin e Lulzim Bashës brenda Partisë Demokratike. Është një përplasje e çuditshme, nën një ultimatum amerikan dhe pas një tetëvjeçari kur të dy palët kanë pasur të gjithë kohën e kësaj bote për t’u konfliktuar, marrë vesh e prishur përsëri nga e para mes tyre.

Ish-kryeministri, “burri me mustaqe” i politikës shqiptare po na tregon këto orë se katër humbje të rënda elektorale, djegia e mandateve apo marrëveshjet humbëse pas perdeve me Edi Ramën, nuk kanë qenë asnjëra motiv i mjaftueshëm për të për të ngritur dorën mbi pasardhësin e tij, porse e vetmja gjë që Berisha nuk duroi dot ishte të prekej ai vetë. Me të drejtë instikti i vetëmbrojtjes dhe i mbijetesës është më i forti tek njeriu, por Sali Berisha e ka sot shumë të vështirë të bëjë betejë parimesh me Lulzim Bashën, kur s’ka folur publikisht për tetë vite për asnjë nga gafat, gabimet e humbjet politike të ish-nxënësit të tij të dikurshëm.

Tani që zjarri ju fut në oborrin e shtëpisë, Berisha s’po e merr fare në sy rrezikun e provokimit të një çarjeje të pashërueshme brenda partisë, me turin e tij të takimeve, por ka vënë në shënjestër hallin familjar që ka me Amerikën, duke e tërhequr pas vetes në gropë partinë edhe ashtu të cfilitur nga tetë vjet opozitë.

Nëse dikujt do t’i duhej një ditë një skenar vepre artistike me sfond të thellë e të pakthyeshëm pesizimi dhe disfatizimi, ky i PD do të shërbente në mënyrë perfekte. Një forcë politike që kreun e ri s’e sheh dot me sy sepse e ka dënuar me opozitë të përjetshme, duke u detyruar nga halli të thërrasë në skenë plakun e qoshes që sot në mënyrën më ironike dhe të dhimbshme paraqitet si një alternativë e re brenda PD!

Kriza mes Berishës dhe SHBA rezultoi pikërisht ashtu siç u projektua ditën e parë kur u bë publik qëndrimi i Departamentit të Shtetit: një krizë komplekse dhe e rëndë për nga pasojat, për një parti të madhe e historike si PD.

Gërvishtja që amerikanët i bënë smaltit të holluar që mbulonte marrëdhëniet mes Bashës e Berishës, po nxjerr në pah një urrejtje të heshtur e të thellë mes dy burrash që dikur kujtoheshin si të bashkuar e në harmoni të plotë mes tyre. Nxënësi ka ngritur dorën, pasi s’mund të bënte gjë tjetër, e tani shefi i tij i vjetër po bëhet gati të marrë hak. Duke kërkuar edhe ndjesë publike pse e la pas vetes në vitin 2013!

Konflikti Basha-Berisha dëshmon se tetë vjet më parë PD kreu një gjoja-rotacion, i cili, si të gjitha gjërat false, e dha goditjen me tetë vjet vonesë. Nën hijen e firmanit të firmosur nga sekretari Blinken, Lulzim Basha po përpiqet sot të bëhet kryetari që nuk qe kurrë i partisë së tij. Me tetë vjet vonesë dhe duke vrarë politikisht babain e mentorin e tij.

Është e paqartë sesa dëm do t’i bëjë Bashës nga brenda partisë turi i Berishës. E sigurt është se kjo klimë pezullie dhe ndasish e fjalori të skajshëm, është gjëja që më pak i duhej opozitës së sapodalë nga tuneli i 25 prillit. Sa më shumë që Berisha do të insistojë të provokojë forumet, të tundë statutin e partisë nëpër studio mediatike e podiume, apo të thërrasë “nën armë” gardën e tij të vjetër të militantëve, aq më e kripur do të jetë fatura që vetë partia do të paguajë në fund.

Sepse në këtë përplasje kalorësish të lodhur (njëri nga mosha, e tjetri nga konsumi e humbjet) është kaq e vështirë të gjesh dhe identifikosh një fitues e një humbës. Pavarësisht se cili nga të dy do të tundë në fund flamurin e rreckosur të fitores, janë, qysh në krye të udhës, që të dy të humbur. Edhe Lulzim Basha, edhe Sali Berisha. I pari ka kundër aritmetikën, i dyti historinë…

4 komente në “Janë që të dy të humbur”

  1. Iso says:

    Luli ka shumicen e deputeteve (mendoj une) dhe vulen e partise e nese nuk e leshon vet partine sali vuku nuk ja merr dot, si rezultat sala duhet te krijoi nje parti tjeter e cila do shpallet nga Amerika terroriste dhe pas kater vjetesh me pampersin e sales nga burgu si simbol te partise ose arkivolin e tij ne supe do shkojne te kutite e votimit “krenare” por te dhjere!

  2. diti says:

    Rama bam e Kenua ham.

  3. Nje mergimtar says:

    Saliu ka te drejte se e vendosi me dhune Bashen ne krye te PD-s.Kjo qe ndodhi tregon se Saliu nuk e njihte ambicjen e Bashes dhe friken e tij.Ai ka ambicje per pushtet por per kete arsye trembet mos e heqin.Frikacaku eshte tradhetar,mashtrus dhe vrases.Luli ka siguri se Sala nuk do te flase per shume BEMA te tij se i kane bere bashke.Oret e punes se Saliut mbaruan por me sa duket edhe oret e Lulit e te ndonje tjetri.Le te filloj SPAK-u me te parin dhe ta heqe kemben zvare edhe per te tjeret.

  4. Maja says:

    Je analisti me i perkryer per politiken shqipetare z.Minxhozi.Me lejo te them se hapi qe ka marre Berisha kunder Bashes eshte tejet inaçor pasi ka marr vesh se Lulezim Basha ka refyer te gjithe ngjarrjen e 21 Janarit atje ku duhet duke vene perpara pergjegjesise per te gjithe ngjarrjen Sali Ram Berishen!Ndaj terbimi i Berishes pavaresisht pozicionit te tij fatal eshte legjitim sepse e ka hengur pas shpine per interes personal!Do vije dita qe ai do t’ja permendi kete fakt e Bashes i mbetet vetem varianti qe te jape doreheqje nga kjo parti qe po shkermoqet keqazi .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje