ONM mbështet zgjatjen e afatit kushtetues të organeve të vetingut: Konsultohuni edhe me Komisionin e Venecias

23 Shtator 2021, 13:15Kronika TEMA

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, institucioni që monitoron procesin e vetingut në Shqipëri, është dakord që Parlamenti të zgjasë afatet kushtetuese të organeve të vetingut, për të bërë të mundur vijimin e procesit pa pengesa.

“Në përputhje me mandatin kushtetues të ONM, besojmë se është e një rëndësie parësore që të gjitha rastet e vetingut që kanë mbetur pezull të përfundohen në periudhën më të shkurtër kohore, duke ruajtur në të njëjtën kohë konsistencën dhe integritetin e procesit”, thuhet në një njoftim të publikuar në delegacionit të BE në Tiranë.

“Për të arritur këtë rezultat, është e nevojshme që të zgjatet mandati kushtetues i anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe e Komisionerit Publik, për një afat të kufizuar. Kjo do të lejonte të dy trupat që të përmbyllnin të gjitha rastet për të cilat hetimi ka nisur. U takon autoriteteve shqiptare që të përcaktojnë kohën e saktë të kësaj zgjatjeje, në konsultim të ngushtë me aktorët e rëndësishëm, përfshirë Komisionin e Venecias”.

Afati i organeve të vetingut skadon qershorin e ardhshëm. Për ta ndryshuar nevojitet ndërhyrja në Kushtetutë, për të cilën mazhorancës i duhen edhe votat e demokratëve. Por këta të fundit deri tani duket se janë kundër. Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Oerd Bylykbashi, deklaroi ditë më parë se edhe Komisioni i Venecias ishte kundër shtyrjes së afatit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje